Berisha: Argita nuk do garojë përballë meje në PD, por më pas nuk e di

0
159

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sërish për fjalimin e vajzës së tij, Argita Malltezi në Kuvendin Kombëtar. I pyetur në emisionin e Çim Pekës në Syri Tv, Berisha u shpreh se e bija nuk do të jetë ajo që të garojë me të atin, por la të hapur mundësinë që ajo të hyjë në politikë pas tij.

“Se çfarë do të bëjë Argita Malltezi në të ardhmen e saj, unë nuk mund ta them, dhe këtë ta them haptas. Por për një gjë të jeni i sigurtë, që nuk do të jetë ajo që do të garojë me të atin e saj. Për këtë 100%”, – u shpreh Berisha.

“Pas meje unë nuk jam përgjegjës se çfarë mund të ndodhë. Unë them që ajo është një njeri që ka të drejtën si çdo demokrate e demokrat, të marrë pjesë në garat, cilat të dojë. E vetmja gjë që nuk mund të ndodhë është që ajo të garojë me ta atin e saj. Kjo nuk ndodh. Nuk mund të bëhet partia familje”, – theksoi ish-kreu i qeverisë.

Malltezi u shfaq për herë të parë në një Kuvend të PD-së duke ngritur shumë aludime mbi angazhimin e saj në politikë.

Vetë ajo e pyetur për këtë çështje në emisionin Top Story dha këtë përgjigje: “Jo. Betejën politike e bën Sali Berisha dhe them se shkëlqen në atë që bën. Unë nuk kam ndonjë plan të fshehtë për t’u futur në politikë. Unë kam zgjedhur me vetëdije këtë rrugë. unë nuk kam asnjë plan për të hyrë në politikë. Jam pjesë e PD-së dhe vlerave që ajo përfaqëson” – tha Malltezi.