“Brenga e prokurorit”, Rudolf Marku: Një roman komunikues, që mbizotërohet nga një narracion fluid, rrjedhës, i natyrshëm

0
242

Rudolf Marku Poet Laureat, shkrimtar

Është e njohur bezdisja që i shkakton shpesh herë autorit  suksesi i librit të parë – ai sukses, që i bëhet pengesë sidomos librit të dytë të tij. Përballë kësaj bezdisjeje është ndodhur dhe Ahmet Prençi, pas botimit të romanit Anja, i cili u prit mirë prej lexuesve dhe kritikës . Mendoj se romani i dytë, që merr në duar  lexuesi, premton një arritje më të madhe, sigurinë se krijimtaria artistike nuk është  thjesht një hobi a një shprehje e akumulimit të përvojës personale të autorit – siç janë në pjesën më të madhe librat e parë, – por një preokopim i vetëdijshëm i krijuesit që shpreh vendosmërinë për të ecur gjatë në rrugëtimin e krijimtarisë artistike. Thënë ndryshe, nëse Anja është një roman mbi vetveten, romani i dytë është një roman mbi të tjerët.

Ahmet Prençi ka shkruar një roman komunikues, që mbizotërohet nga një narracion fluid, rrjedhës, i natyrshëm. Duket se autori di se si të komunikojë me lexuesit. Vetë romani është bashkëkohor, jo thjesht nga ngjarjet dhe karakteret, se sa nga atmosfera emocionale që krijon dhe na  shoqëron gjatë gjithë leximit . Ahmet Prençi ka ditur të ruaj një raport të ndershëm më të vërtetën, duke krijuar një balancë të admirueshme mes së vërtetës dokumentare dhe asaj që quhet paradoksalisht – e vërtetë trilluese.

Ashtu si në romanin Anja, edhe në këtë roman duket se pika më e fortë e autorit është krijimi i karaktereve, metamorfizimi i tyre nga të qënurit real në një të vertetë fiktive – Prokurori Martin Guri, Arjana Boja, Artur Rrasa dhe grotesku Zambak Boja sidomos vrasësi Marjan Boja – ky i fundit një karakter që nuk  shqitet nga vëmendja e lexuesit, njëri ndër karakteret më të mirëgdhendur në veprat e botuara, krijojnë atmosferën e Siçilisë së romaneve të Leonardo Shasha-s. Dy realitete, ky i përditshmërisë tonë dhe ai i fqinjit  adriatikas, që nuk duken shumë fort të largët sidomos si realitete romaneske.

Mendoj se një meritë e padiskutueshme është  se Ahmet Prençi ka ditur të lozë në këtë roman me suspension-in, truket e të cilit ai i ka përdorur me mjeshtëri në këtë roman. Ndaj dhe lexuesi duhet  të presë që të japë gjykimin derisa ta mbarojë romanin deri në fund, që të bindet se libri që sapo ka lexuar është ndër ato libra që nuk të zhgënjen.
Londër, më 04.09.2023