NGA BEHAR GJOKA
Debati se kritika letrare është ndërmjetës me lexuesin, e për një pjesë tjetër të lexuesve, se është absurde që në marrëdhënie me letërsinë të ketë ndërmjetësim, është i hapur. Madje, më tepër debatin e yshtin dhe ushqejnë, ata që nuk e kanë haberin se çfarë është kritika letrare, në marrëdhënien me tekstin letrar, si dhe me shkencën letrare, ku mendimi akademik, bashkë me historinë e letërsisë, teorinë letrare, përfshinë edhe kritikën letrare. Po a ka nevojë për ndërmjetës lexuesi i letërsisë?!
Sërish si përherë, në marrëdhënie me letërsinë, pra edhe me letërsinë e sotme, shfaqet pyetja, që më tepër tenton që të rrokë thelbin e letrares, sepse ndërmjetësimi më tepër është një zgjatim didaktik, i një kohe tjetër, kur kritika shihej si syri magjik, me zbulue devijimin nga modeli i realizmit socialist. Në syrin tim është term i pagjetur, me shumë gjasa një stisje e rimarrë nga modeli i realizmit socialist, për ta pasur nën kontroll kreativen, por mjerisht edhe vetë lexuesin.
Pse mendoj i pagjetur, për termin ndërmjetës, sepse leximi i librave të caktuar të çon në interesa të caktuara, në interesa shkencore te libri shkencor, për interesa letrare te libri letrar, pra në interesa nga më të çuditshmet, e pothuajse të pashpjegueshme. Pra, nevoja për të lexuar secilin libër, letrar apo joletrar, është një kërkesë e brendshme te njeriu. Në këtë kuptim unë do të thosha se a ka nevojë për gazeta, për revista të mirëfillta, që të afirmojnë autorët dhe të kritikojnë dukuritë që vihen re në tekstet e shkruara, por padyshim që të marrësh përsipër që të shtjellosh idenë se nuk duhet të ketë poezi erotike, kjo është veçse një marrëzi “heroike”, e kohës së Babaqemos.
Teksa flasim për poezinë, vjen në mend porosia e L. Poradecit, mjeshtrit të poezisë, kur thoshte: “Poezia kërkon fuqi të madhe shpirtërore. Poezia duhet të jetë personale. E tillë, që, si ti, të mos ketë mundur ta ketë bërë njeri gjer më sot dhe që, si ti, të mos mundë ta bëjë tjetër njeri sot e njëmijë vjet.”, që bart vlerë edhe sot e gjithë ditën. Poezia nuk lexohet tematikisht, poezia, proza dhe çdo gjë që emërtohet letërsi, lexohet estetikisht, pra nëse ne duam që të shkojmë te letërsia e mire, duhet që ta lexojmë vetëm si tekst, sepse duke e lexuar si tekst do të kuptojmë nëse ka shumë ujë, ujë apo ka edhe estetikë dhe art e kështu me radhë.
Në këtë kuptim unë do të thosha se kritika e recensës, kritika e prezantimit, kritika e reagimit ndaj librave cilësorë, pra kritika letrare e mirëfilltë, tashmë duhet që të shoqërohet edhe me atë që quhet verifikim i vlerave estetike dhe, porse edhe verifikim i heshtjes së mungesave, në tekstet që bartin vlera dhe jo në librat që shkarrashkruhen, sa për të bërë emër dhe famë. Unë nuk mendoj se kritika apo studimet letrare që merren me historinë e mungesave, që do të ishte një kontribut krejt i lodhshëm dhe mendoj se do të mbyteshim me një pikë ujë, në atë që quhet, kinse det i letërsisë dhe do të humbim në atë pyll të tmerrshëm, ku është e vështirë që të ndash letërsinë nga jo letërsia, vlerën nga antivlera.
Megjithatë, përveç raportit personal dhe shijes, kreatives dhe leximit, pa mëdyshje të rileximit, përveç raportit ndërmjetës le të themi, sepse kështu dikush e pranon, ndonëse është një term që të kujton motet e realizmit socialist, kohës kur kritika letrare, vihej në mes letërsisë dhe lexuesit, madje sipërmerrte të udhëhiqte letërsinë, nëpër shtigjet e shkatërrimit të formës letrare. Me interes në këtë ligjëratë, është përfundimi Roland Barthes, kur thotë: “Kritiku nuk mundet me asgjë që të zëvendësojë lexuesin. Madje, në fund të fundit, ai nuk është veçse një lexues. Prandaj, duhet t’i themi lamtumirë idesë se shkenca e letërsisë mund të na mësojë kuptimin përfundimtar të veprës, për sa kohë libri është një botë”.
Ka një raport të përjetshëm, tek e fundit se me librin e mirë, librin modern, librin jo thjeshtë të blerë, jo thjeshtë të lexuar, përgjigjja nuk jepet dot në këtë moment, kur nuk ke lexuar libra të autorëve të kësaj periudhe. Ka gjithmonë një akt të parë që zgjon interes, vetëm nga leximi, ka gjithmonë një moment të dytë që me domosdo do ta argumentosh zgjimin e interesit, ose nevoja për rilexim, që nuk ka ardhur për arsye jashtëletrare. Unë kam gjithmonë parasysh tekstet dhe jo autorët kur flas për letërsinë, pavarësisht kohës dhe hapësirës, kur dhe ku u shkruaj një tekst letrar, sepse teksti në të gjitha rastet e tejkalon autorin, si gjasa të komunikimit me lexuesin.
Në këtë periudhë janë botuar edhe libra të politikanëve të mirëfilltë, por që tashmë nuk i mban mend askush, kjo tregon se tek e fundit ishte një përpjekje për t’u çuditur vetë dhe prandaj duhet të kthehemi te pjesa serioze e marrëdhënies me letërsinë, jo me letërsinë si kontribut, me letërsinë jo si situatë ku secili shpërndanë grada apo merr grada, me letërsinë e çmimeve, kur juri që nuk ndjekin atmosferën e letërsisë së sotme (me gjasë pa u lexuar librat), shpërndajnë dokoratat e radhës, gjë që po rrënon garën, por vetëm me letërsinë si materie artistike.
Po kaq, në turravrapin për të fituar famë me anë të letërsisë, në këtë kohë u lëshuan gazetarë, opinionistë, aktorë dhe ambasadorë, e ku di unë, me bindjen se janë të famshëm në fushën e tyre, dhe ia kalëruan letërsisë. Jo, ndërkaq do të thosha se letërsia është bota e të gjithëve, është universi, fryma, është tek e fundit e sotmja dhe e nesërmja, është shpirti tek e cila, secili “shkarravit”, shkruan atë çka bota do ta pranojë apo jo, e në mënyrë të veçantë, koha e mban ose e lëshon dikur në humnerë si bëzhdile. Do ta pranojë në kuptimin që do ta hipotekojë si vlerë, ose do ta lërë anash, por që gjithmonë këmbëngul në një pikë, pa lexuar tekstet, nuk ka gjasa të flitet për librat dhe autorët.
Ne, banorët e shekullit të njëzet e një, edhe në dhënie-marrje me letërsinë, mbartim një mentalitet të pushtetit të djeshëm, sepse pushteti i djeshëm merrte përsipër sesi duhet të shkruash, edhe sot, pavarësisht lirisë së kushtëzuar nga kushtetuta dhe të drejtat, mentaliteti është po ai, sepse burokracia kulturore dhe letrare, merr përsipër të udhëheqë letërsinë dhe mendimin për të, që të ndërmend situatën e sugjerimit të Tomas Eliotit, mbi “shijen e mbrapshtë të leximit”.
Të mos harrojmë përvojën e mjeshtrave të shkrimit, ku do të veçoja një pohim të Ernesto Sabatos, teksa shprehet: “…Vetëdija e njeriut është jokohore: ajo përmban të tashmen, po është një e tashme e mbushur me të shkuarën dhe e ngarkuar me projekte për të ardhmen…”, te libri “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”. Kur them te burokracia, kam parasysh burokracinë kulturore dhe letrare, ku burokracia nuk siguron shijen e tij, por sugjeron paragjykimin e shijes së tij, për të zëvendësuar tekstin me famën, që e shkatërron letërsinë, sikur molaja teshat.