BallinaEkonomiNdalimi i dinarit serb: SHBA, BE dhe QUINT kundër vendimit të Kosovës

Ndalimi i dinarit serb: SHBA, BE dhe QUINT kundër vendimit të Kosovës

Nga data 1 shkurt i këtij viti, në Kosovë pagesat do të mund të bëhen vetëm me valutën euro. Valutat jo euro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare”. Për ndalimin e dinarit serb kanë ardhur shumë reagime në drejtim të Kosovës.

Bashkimi Europian i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se këtë çështje, palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Shtyrja e vendimit, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt, sipas BE-së, do të mundësonte që të adresohej ndikimi i mundshëm negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Kërkesa e bllokut vjen në ditën kur i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndron në Serbi dhe në ditën pasuese do të vizitojë edhe Kosovën.

“BE-ja ka marrë në dijeni rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë.

Megjithatë, kjo ngriti shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, tha Stano.

Stano tha se BE-ja bën thirrje “që të ketë një periudhë të mjaftueshme transitore që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar” lidhur me vendimin e BQK-së.

Ky vendim i BQK-së nga serbët në Kosovë është parë si vendim që do t’iu pamundësojë atyre të përdorin dinarin.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Ndryshe, kërkesë për shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për operacionet me para të gatshme më herët kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara, por edhe shtetet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Franca dhe Britania.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka kërkuar që të shtyhet zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.

Në një prononcim për media, ambasadori amerikan ka theksuar se ky vendim i BQK-së nuk duhet të ndikojë negativisht tek qytetarët.

“Ne besojmë se kjo rregullore, mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht… Pra, ajo që po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave, të japin pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullatat e prekura të mos ndikohen negativisht.

Së pari, besoj se këtë vendim e ka marrë Banka Qendrore e Kosovës, e cila është institucion i pavarur. Dhe në fakt, sot në mëngjes pata rastin të takohem me kreun e Bankës Qendrore. Shtetet e Bashkuara absolutisht e pranojnë Kushtetutën e Kosovës.

Dhe në fakt, mendoj se është e qartë se ne ndihmojmë në mbështetjen e procesit të miratimit të tij dhe mbështesim dispozitat e tij. Dhe ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht në këtë rast konkret. Ne besojmë se kjo rregullore (një pjesë e saj), mund të kenë pasoja që nuk janë menduar plotësisht”.

Hovenier ka thënë se një pjesë e kësaj rregullore shkon me atë se çka kanë kërkuar prej kohësh nga Kosova, por se duhet të zgjidhen disa çështje.

QUINT-i dje lëshoi një komunikatë po ashtu në thirrje të “pezullimit” deri në kohë të përshatshme të vendimit duke thënë se “rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës…ngre shqetësime në lidhje me ndikimin tek serbët, në veçanti komunitetet shumicë”.

“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia.

Pas një bisede për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar të BE-së”.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale. Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim. Por, këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje./ Fatos Shala/Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular