Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%.
Guvernatori, Gent Sejko tha që, megjithëse në rënie, presionet e brendshme inflacioniste mbeten relativisht të larta dhe nuk janë ende në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve. Kjo ecuri diktohet nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, e cila mban të larta marzhet e fitimit, si dhe nga rritja e shpejtë e pagave, e cila përcillet më tej në kosto të rritura prodhimi.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve për inflacionin qëndron në kahun e sipërm. Në këtë kontekst, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për kontrollin dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve. Në çdo rast, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri, si dhe do të jenë konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit,” tha Sejko.
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar prej 3.9% në tremujorin e katërt, me një rënie të lehtë kundrejt tremujorit paraardhës. Rënia e inflacionit u diktua nga ritmi më i ngadaltë i rritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë, ndërkohë që çmimet e karburantit e të qirave erdhën në rritje dhe inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte relativisht i qëndrueshëm.
Sipas Guvernatorit, rënia e inflacionit gjatë tremujorit të katërt pasqyroi rënien e presioneve të brendshme inflacioniste. Kjo rënie ka pasqyruar si efektin e bazës së lartë krahasuese të një viti më parë, ashtu edhe pasojat e normalizimit të deritanishëm të qëndrimit të politikës monetare. Nga ana tjetër, presionet e huaja inflacioniste erdhën në rritje gjatë tremujorit të katërt, pavarësisht forcimit të kursit të këmbimit, si pasojë e rritjes së shpejtë të çmimeve të produkteve energjetike në tregjet botërore.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.5% në tremujorin e tretë të vitit të shkuar. Për Bankën e Shqipërisë të dhënat e disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike do të qëndrojë në nivele të ngjashme edhe gjatë tremujorit të katërt.
Rritja ekonomike gjeti një mbështetje më të lartë nga kërkesa e huaj dhe – në veçanti – nga rritja e shpejtë e sektorit të turizmit. Nga ana tjetër, konsumi dhe investimet private vijuan të rriten, por me norma më të ngadalta krahasuar me tremujorët paraardhës, ndërsa politika fiskale pati një kontribut neutral në rritjen ekonomike. Ky profil kërkese është pasqyruar në zgjerim të aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që aktiviteti në sektorin e bujqësisë dhe të industrisë shënuan rënie.
“Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e ka shtyrë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri është pasqyruar në rritjen e vazhdueshme të punësimit, në nivelet minimale historike të normës së papunësisë, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat. Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të mbështesë rritjen e konsumit në ekonomi, por – nga ana tjetër – ai mban të larta edhe presionet e brendshme mbi inflacionin.
Politika monetare ka pasur një rol të rëndësishëm në kontrollin e inflacionit dhe në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm monetar e financiar të vendit. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare, i realizuar nëpërmjet rritjeve graduale të normës bazë të interesit, ka ndihmuar funksionimin normal të tregjeve të brendshme financiare. Ai është transmetuar në një rritje të përgjithshme të normave të interesit të depozitave dhe të kredive, duke krijuar premisa për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës për fonde në ekonomi, por i ka lënë kushtet e përgjithshme financiare në vend në pozita ende stimuluese,” tha Sejko.
Sipas tij, ekonomia shqiptare do të vijë në rritje, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve. Rritja ekonomike do të ushqehet nga bilancet likuide të biznesit dhe familjeve shqiptare, nga besimi i tyre për të ardhmen, nga rritja e shpejtë e të ardhurave nga turizmi, si dhe nga zgjerimi i kreditimit, në pasqyrim të përqasjes pozitive të bankave ndaj kreditimit. Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të shënojë një ngadalësim të lehtë në vitin 2024, si pasojë e ambientit ende sfidues të huaj, dhe t’i rikthehet potencialit të tij në vitet në vijim.
Inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet më tej gjatë vitit në vazhdim dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij. Ky reduktim do të pasqyrojë ecuri më të balancuar të kërkesës dhe të ofertës agregate në ekonominë vendase, si dhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në partnerët tanë tregtarë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni pritet të kthehet pranë objektivit prej 3% në tremujorin e fundit të këtij viti.