BallinaAktualitetKontrollet në rrugë të kontejnerëve për trafikun e drogës nga porti i...

Kontrollet në rrugë të kontejnerëve për trafikun e drogës nga porti i Durrësit po falimentojnë kompanitë e transportit; Largohen tregtarët e Kosovës e Maqedonisë

spot_img
spot_img

Pas disa ngjarjeve në të kaluarën, të bëra publike edhe në media, për gjetjen e drogës dhe futjes së parave cash në kontejnerët frigoriferikë të mbushur me produkte mishi të ngrira apo edhe banane që vijnë nga portit i Durrësit, nga Dogana dhe policia e shtetit janë forcuar kontrollet ndaj bizneseve importuese.

Tashmë prej më tepër se 1 muaj kamionët e kontejnerëve frigoriferike pasi kalojnë kontrollin e skanimit, mallrat shkarkohen në tokë, në pluhur dhe temperatura të larta dhe rikontrollohen sërish nga njësia e antikondrabandës së Doganave dhe strukturat e Policisë së Shtetit.

Operatorët e transportit të mallrave detare ngrenë shqetësimin se për shkak të kryerjes së këtyre kontrolleve pa asnjë standard, shumë kompani importuese nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut po largohen drejt porteve alternative.
Produktet me origjinë shtazore që importohen nga shtetet e Ekuadorit, Brazilit, Argjentinës, Perusë etj nga kompanitë vendase mbërrijnë në Shqipëri nëpërmjet portit të Durrësit. Por prej vitit 2005, gjithashtu porti i Durrësit, shërben si tranzit për shumë kompani të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që importojnë produktet me origjinë shtazore nga këto shtete.

Largimi i tregtarëve drejt porteve të Malit të Zi dhe Greqisë, ka ulur ndjeshëm volumin e aktivitetit të kompanive të transportit të mallrave frigoriferike, duke rrezikuar falimentimin e tyre.

Rodolf Xhillari drejtuesi i kompanisë së transportit ndërkombëtar “Balkan Trans” pohon për Monitor se përgjatë këtij muaji situata me kontrollin e mallrave të konsumit është tepër kaotike dhe po rëndon te operatorët e linjave tregtare, pasi është ulur ndjeshëm volumi i aktivitetit.

“Shkelja më flagrante që bëjnë vet organet e shtetit është shkarkimi i mallrave ushqimore të ngrira në rrugë me orë të tëra në diell dhe në çdo atmosferë dhe pisllëk tjetër që sjell rruga dhe e ndaluar rreptësisht nga Autoriteti Ndërkombëtar i Ushqimit, si një krim i hapur që bëhet çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë kaq muaj e vite me radhë në Portin e Durrësit”, thotë ai.

Ndërkohë në vend prej 2013 sipas kontratës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë aplikohet shërbimi i skanimit të kontejnerëve të mallrave në 5 dogana, duke përfshirë edhe atë të Durrësit nëpërmjet një koncesioni PPP, i cili financohet prej pagesave direkte nga zhdoganimet e mallrave në dogana dhe financimeve nga buxheti i shtetit. Nga doganat Kapshticë, Morinë, Qafë Thanë dhe Kakavijë, ku skanohen të gjithë kontejnerët që kalojnë nëpërmjet këtyre pikave kufitare, ndërsa në Doganën e Durrësit skanimi i kontejnerëve bëhet mbi bazën e profileve të riskut- natyrës së mallit, origjinës etj.

Tarifa e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera që paguhej nga bizneset fillimisht ishte në vlerën 39 euro (pa përfshirë TVSH-në). Tashmë me ndryshimin ligjor tarifa e skanimit u vendos të jetë 5 Euro për deklaratat doganore nën ose të barabarta me 1000 Euro dhe 22 Euro për deklaratat doganore mbi 1000 Euro.

Drejtuesi i kompanisë “Balkan Trans” thotë se për shkak të rikontrolleve të mallrave të kontejnerëve në rrugë, pa asnjë kriter edhe pas skanimit shumë kompani importuese të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë detyruar t’u drejtohen porteve alternative fqinje për transport, pasi procedurat e kontrollit po u dëmtojnë mallrat.

Nga largimet e kompanive të vendeve fqinje, volumi i aktivitetit të kompanisë nga 10 deri 15 kamionë me mallra që transportonte në ditë, ka arritur në 1 kamion në ditë.

“Së pari, këto procedura kontrolli të pa asnjë kriter po dëmtojnë dhe rrezikojnë prishjen e mallrave, humbja e vetive ushqimore dhe kalorive ushqimore të mishit i cili shkarkohet në rrugë të madhe i ngrirë dhe qëndrimi i tij jashtë frigoriferit në kushte jo të ngrira dhe duke u përballuar me të gjitha papastërtitë që sjell rruga dhe mundësia e madhe për marrjen e mikrobeve më të ndryshme, gjë e cila është kategorikisht e ndaluar.

Së dyti, hapja e të gjitha kutive të paketimit të mishit dhe produkteve të tij në rrugë dhe në ambiente jashtë frigoriferit gjë e cila për veç ato që thamë më lart po prish dhe dëmton ambalazhin që të cilën e bën të pa tregtueshëm mallin apo dhe ulë vlerën e tij në shitje te konsumatori, pasi ambalazh i tyre shkatërrohet dhe dëmtohet në etiketat që flitet për afate skadimi dhe marke.

Së treti, për këto arsye tregtarët dhe sidomos ata të Kosovës dhe Maqedonisë të Veriut po transferojnë mbërritjen e mallrave të tyre nga Porti i Durrësit reciprokisht në portet e Selanikut Greqi dhe Barit të Malit të zi ,gjë e cila ulë ndjeshëm aktivitetin e kompanive të transportit që punojnë këtë sektorë deri në falimentim, etj dëme të mëdha në sektorët e tjera të shërbimeve në portin e Durrësit”, pohon ai.

Ndërsa pak ditë më parë disa drejtues të kompanive të transportit të mallrave detare i kanë drejtuar letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Taulant Balla, të Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete dhe ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj për zgjedhjen e menjëhershme të kësaj problematike që po i çon drejt falimentimit kompanitë të cilat operojnë prej 30 vitesh në këtë sektor.

Ekspertë njohës të tregut të transportit të mallrave detarë rekomandojnë si zgjidhje për këto biznese mundësimin e një magazine të mbyllur frigoriferike me standarde higjeno-sanitare, ku mund të shkarkoheshin për kontroll mallrat nga kontejnerët frigoriferikë. Sipas tyre kjo zgjidhje nuk do të shtonte kostot e buxhetit të shtetit, pasi tarifa do të vijojë të paguhet nga bizneset, siç veprohet aktualisht. /Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular