BallinaPolitikeADMINISTRATA 2023: Modernizim. Inovacion. Mirëqeverisje

ADMINISTRATA 2023: Modernizim. Inovacion. Mirëqeverisje

Nga Znj. Adea Pirdeni

Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin

Përshëndetje të gjithëve!

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar Ministra,

Shkëlqesi të pranishëm,

Të dashur kolegë,

Dua ta nis me një përshëndetje veçantë dhe me shumë përulje për të gjithë ekipin e madh të administratës publike shqiptare. 

Dua ta nis me një falenderim të veçantë për të gjithë ju, që po kushtoni disa minuta nga pasditja e fundjavës tuaj, Administratës 2030.

Me një pjesë të mirë prej jush rishihemi pas një sfide që besoj e kaluam me shumë sukses në Bruksel, ku secili nga ju dhe secila nga ju shkëlqeu si këto yjet që kemi këtu në sfond, duke na bërë të gjithëve shumë krenarë për misionin tonë në administratën publike; një mision në fakt që shkon përtej vetes tonë dhe që i përket të ardhmes së Shqipërisë 2030. Gjithashtu do doja të them që jam e lumtur që më është dhënë mundësia sot për të punuar edhe më intensivisht me të gjithë ju, mundësi për të cilën falenderoj Kryeministrin Rama për besimin dhe për mbështetjen për të çuar përpara planin e energjizimit të kapaciteteve dhe të kapitalit njerëzor në administratën publike shqiptare. Por shumë modesisht do të doja të thoja që  historia nuk nis me këtë Ministri.

Përgjatë një dekade kaluam nga modeli i “fituesi merr gjithçka, përfshirë dhe administratën” tek një model aparati administrativ që zhvillohet, që vetëpërmirësohet dhe transformohet drejt mirëqeverisjes. Krijuam një kuadër të tërë ligjor, funksional dhe solid të Shërbimit Civil, i cili vendosi dalëngadalë themelet e stabilizimit të shtetit në Shqipëri. Ajo çfarë ne bëmë gjithashtu, është që me forcën e digjitalizimit, injektuam elementë të rinj, filluam të aplikonim sistemet aplikimi në pozicione pune, vetëm me një klik, jo vetëm në Administratën Publike Shqiptare, po ashtu edhe në forma të tjera të aplikimit, si për infermierët, ashtu edhe për mësuesit, si dhe ripamë sistemin e rekrutimit për strukturat dhe institucionet e sigurisë.

Natyrisht, konkurset nuk i kanë shpëtuar paragjykimeve. Megjithatë, tashmë kemi një sistem solid, dhe besueshmëria në sistem dëshmohet pikërisht nga numri i shtuar i aplikantëve që ne kemi vit pas viti për pozicionat tona vakante. Gjithashtu, një nga iniciativat më kuptimplota në kuadër të Paktit të Universitetit ka qenë pikërisht Programi i Ekselencës. Në saj të këtij programi, mbi 500 kolegë të rinj, sot, studentë ekselentë, me mesatare mbi nëntë, janë pjesë e stafeve tona, dhe pikërisht ata që i japin administratës ritmin e një strukture që ripërtërihet vazhdimisht.

Doja të theksoja këtu gjithashtu që viti 2023 ishte një pikë e rëndësishme kthese për vetëdijen tonë dhe për të kthyer vështrimin drejt kapitalit tonë njerëzor. Është viti ku pikërisht ndërmorrëm një reformë thelbësore të sistemit të pagave në Administratën Publike. Ishte një vit, ku ripamë që duhet të kthejmë vështrimin dhe të sjellim në administratën tonë publike një element thelbësor, për t’i dhënë motivimin dhe për t’i dhënë shtysën kapaciteteve tona. Në këtë proces, patëm një rritje nga 19 deri në 41% të nivelitë të pagave për specialistët, sikundër një rritje tjetër deri në masën 46 % për nivelet drejtuese në administratë.  Ligji vendosi dhe standarde bazë jo vetëm për të mundësuar që paga të rishikohet mbi bazën e normës së inflacionit, por gjithashtu kemi vendosur sisteme të qenësishme të cilat mundësojnë dhënien e një shpërblimi për procese pune të cilat sjellin inovacion, madje dhe çmime në rastin kur projektet sjellin inovacion në sektorët kyç.

Por e gjithë kjo punë në fakt, ka qenë produkt pas kuintave e një trupe shumë të madhe kolegësh, të cilët dita ditës kanë vendosur gurët e tyre të themelit që ky proces të ecë përpara dhe duhet të përmend këtu, në një mënyrë shumë të veçantë, punën e udhëhequr nga Departamenti i Administratës Publike, i drejtuar me përkushtimin maksimal, për më shumë se afro 10 vite, nga sot kolege Ministre Znj, Albana Koçiu, e cila i kaloi stafetën e përgjegjësisë Drejtoreshës së re Znj. Enkela Dudushi, e cila shërben prej 22 vitesh në DAP me shumë diligjencë dhe me shumë profesionalizëm që nga krijimi i këtij institucioni. Ka qenë pikërisht puna e të gjithë këtyre kolegëve, që renditën Shqipërinë të parën në rajon për zbatimin e standardeve të legjislacionit  të shërbimit civil.

Megjithatë, sfida jonë sot i kalon kufijtë e rajonit.   

Sot sfida jonë e vërtetë është që administrata duhet të pulsojë me ritmin e kohës dhe të përgatisë Shqipërinë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Pikërisht me këtë vizion të madh në mendje, është sot më shumë se kurrë, momenti për të vlerësuar dhe për të zhvilluar kapitalin tonë të çmuar njerëzor. Kolegë si Irena, kolëgë si Roberti, kolegë si Elvana, dhe nuk dua të harroj këtu kolegët e çmuar të Ministrisë së Drejtësisë me të cilët pata fatin të punoj për tre vite. Por njëkohësisht, është e domosdoshme sot, që Administrata të shndërrohet në një punëdhënës tërheqës për talentet e reja si Xhoana, si dhe për profesionistë të kualifikuar që vijnë me bagazhin e tyre nga jashtë, për ta sjellë dhe për ta jetësuar këtë administratë, njësoj si Petriti dhe gjithashtu njësoj si Ledi. Duke patur këtë vizion në mendje, në këto 5 muajt e fundit, kemi bërë një vështrim shumë introspektiv tek vetja jonë. Kemi bërë një sërë analizash, një sërë studimesh, intervistash të strukturuara, fokus grupe me një pjesë të mirë prej jush. Ndaj doja gjithashtu të falenderoja të gjithë ata që morën pjesë dhe që ishin pjesë e këtij ushtrimi, pikërisht duke ndarë komentet e tyre, sugjerimet e tyre, madje dhe kritikat e tyre pa doreza. Narrativa dominante, mbizotëruese, e gjithë këtij procesi ishte po, është e vërtetë, një pjesë e mirë e kolegëve, mbi 63% e tyre e shohin veten e tyre në Administratën Publike.

Sikuse një pjesë e mirë e kolegëve, e konsiderojnë tashmë më të kënaqshme se më parë, pagën në Administratën Publike. Nëse në vitin 2022 vetëm 16% e kolegëve ishin shprehur të kënaqur me pagën, ky numër është trefishuar në vitin 2023.

Megjithatë, pavarësisht të gjitha konstatimeve, ose gjetjeve pozitive, nga ky studim konstatuam shpeshherë dhe probleme. Një problem serioz i cili shpeshherë është përsëritur në të gjitha intervistat dhe takimet, madje dhe në anketa, është se një pjesë e mirë e kolegëve tanë nuk e ndiejnë veten të vlerësuar për punën e tyre mirë që bëjnë. Një pjesë e mirë e tyre gjykojnë se vlerësohen të gjithë nësoj, pavarësisht nëse ky vlerësim i mirë përkon vërtet me realitetin. Një pjesë e mirë e tyre është shprehur që ka patur raste ku kanë patur mundësinë të progresojnë në karrierë, sikurse raste ku mundësitë e një rrugëtimi të qartë në karrierë ka qenë i munguar.

Janë pikërisht këto momente të cilat na kanë bërë të reflektojmë dhe të shikojmë që duhet patjetër që në këtë epokë të re të Administratës Publikë, të fokusohemi drejt modernizimit, të përqafojmë natyrisht inovacionin, dhe të garantojmë mirëqeverisjen. Dhe modernizimi natyrisht i ekipeve nis nga të gjithë ne, ne që drejtojmë ekipet tona. Duke e nisur këtë pikërisht me aksiomën e njohur “duhet të drejtojmë përmes shembullit tonë personal.”

Dhe pikërisht përmes këtij shembulli duam të nisim një iniciativë tashmë për një program të mirëfilltë motivimi për të gjithë kolegët në administratë, për të ndryshuar kulturën e funksionimit dhe të marrëdhënieve midis njëri-tjetrit, për të rritur nivelin e angazhimit të stafeve drejtuese dhe gjithashtu të eprorëve me vartësit e tyre, me të gjithë kolegët në varësi. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme në këtë fazë, që të injektojmë elementë të motivimit për punën e mirë, sikurse të shikojmë mundësi për të ofruar më shumë fleksibilitet në punë, ashtu edhe për të afruar nëpunës civil digjital nga jashtë, për t’ju përshtatur sot sfidave të domosdoshme për t’u përballur të një brezi të ri punonjësish.

Gjithashtu, çfarë është thelbësisht e rëndësishme, është që sot më shumë se kurrë është e nevojshme që secili nga ju të ketë një rrugëtim të qartë në karrierë, të di se ku do shkojë pas disa viteve. Ashtu sikundër është e rëndësishme që sot, të kthejmë vështrimin nga zhvillimi i të gjithë kapacitetit tonë të lidershipit. Të gjitha stafet tona drejtuese do t’i nënshtrohen një procesi trajnimi pikërisht me besimin e thellë se ndryshimi vjen dhe duhet të vijë nga lidershipi.

Njëkohësisht, do të bëjmë dhe do të mundohemi që të fusim element të inovacionit në menaxhimin e burimeve njerëzore. Të përdorim modele të ngjashme me korporatat por edhe modele të ngjashme që i kanë aplikuar tashmë administrata të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Sot, kemi parë që është e domosdoshme më shumë se më parë që secili nga ne të vetëpërmirësohet, të vetëaftësohet, por sigurisht ky është një proces për të cilin administrate gjithashtu është përgjegjëse për të trajnuar stafet e veta. Për të trajnuar jo vetëm me domosdoshmërisht me njohur mbi fushat përkatëse, por edhe me njohur për sa i përket detyrimeve që të gjithë ne kemi për të komunikuar feedback, për të komunikuar me të gjithë kolegët, dhe për të pasur një marrëdhënie dhe një mjedis të shëndetshëm në punë.

Prandaj është e domosdoshme sot që të rienergjizojmë të gjithë mënyrën e funksionimit të trajnimeve që ofron ASPA. ASPA do të duhet të ketë një ofertë trajnuese tërheqëse, jo vetëm për kolegët tanë në administratë, por gjithashtu edhe për të gjithë ata që vijnë nga bota e biznesit dhe që duan të trajnohen nga specialistët tanë, të cilët midis nesh natyrisht që nuk mungojnë. Për t’iu kthyer lajtmotivit në fakt të një pjese të mirë të këtyre ndërhyrjeve, meritokracisë. Kemi gjetur në fakt bashkëpunimin shumë të mirë të gjithë kolegëve ministra, për të nisur dhe pilotuar një proces të vlerësimit të performancës i cili i bën drejtësi çdo kolegu dhe çdo kolegeje në këtë strukturë administrative. Është shumë e rëndësishme për ne që të vendosim balanca të drejta, ku secili ta gjejë veten të vlerësuar për punën që bënë dhe për të marrë meritën për atë që i takon. Natyrisht të gjitha këto përpjekje vijnë në një linjë dhe kanë pikëprerjet e tyre me iniciativat tona në kuadër të forcimit të integritetit në administratë, të riorganizimit të proceseve të brendshme të funksionimit të administrës, pikërisht për të krijuar mure të jashtëm mbrojtës dhe për ta bërë administratën imune ndaj çdo lloj ndërhyrje të jashtme. Por natyrisht për t’i bërë këto procese të pakthyeshme dhe të qëndrueshme, është e rëndësishme që ne të gjejmë një partner tek secili dhe secila prej jush. Kjo administratë është motori lëvizës i këtij vendi. Shpejtësia dhe eficenca me të cilën lëviz ky motor varet nga të gjithë ne. Natyrisht duhet ta fitojmë këtë garë, dhe duhet ta fitojmë këtë garë në radhë të parë për veten, por duhet ta fitojmë këtë garë edhe për vizionin tashmë të prekshëm të Shqipërisë Evropiane, familjes së cilës ne natyralisht në fakt i përkasim. Dhe në fund, do të doja që të ndiqnim një përshëndetje shumë të shkurtër të një prej miqve të administratës publike shqiptare.

Faleminderit të gjithëve!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular