BallinaKultureDel ne librari romani i ri i Xhevat Mustafës, "Dashuri në detin...

Del ne librari romani i ri i Xhevat Mustafës, “Dashuri në detin e urrejtjes”

Më 8 shkurt 2024, publicisti, poeti dhe botuesi i mirënjohur jo vetëm në Kosovë e në hartën shqiptare, Abdullah ZENELI soli në Tiranë një sasi kopjesh nga romani im i ri, i pesti, “DASHURI NË DETIN E URREJTJES”!

Edhe këtë roman, ashtu si të mëparshmin, “Dashuri diktatori” mund ta gjeni në Librarinë në Rr.“Hoxha Tahsim” ose e Porcelanit, menjëherë pas pikës së karburantit, në krahun e majtë në drejtimin nga mali i Dajtit, rreth 30-40 metra më tutje “Qendrës Stefan” tek Pazari i Ri! Ndërsa në Prishtinë, këto ditë vetëm në dy libraritë “BUZUKU”! Çmimi 800 lekë ose 8 euro!

Për një njohje sa më të gjerë e të saktë për këtë roman, po ia lë fjalën Emi KROSIT, poetes dhe kritikes letrare të mirënjohur dhe “të pamëshirshme” për të qëmtuar, analizuar dhe vlerësuar vlerat e vërteta artistike e për të mos i kursyer kujtdo vërejtjet dhe kritikat!

I kërkoj falje që, për koncizitet në facebook, ia kam shkurtuar ca variantin e parë të recensionit të saj, futur në faqen e saj në facebook, më 28 janar 2024!

Dashuria dhe Vdekja, në luftë e bashkëjetesë në romanin “Dashuri në detin e urrejtjes” të Xhevat Mustafës

Romani i ri “Dashuri në detin e urrejtjes” i Xhevat Mustafës, i pesti i autorit në këtë gjini, rrëfen sesi historia, letërsia, gjuha, kujtimet elementet etnokulturore, popujt, harresat dhe kujtesat bashkohen dhe ndahen, ashtu si etnitë, luftrat dhe paqet. Përmes rrëfimit, me fabul nga ngjarje të vërteta historike (data historike, por dhe toponime gjeografike) të mbajnë mbërthyer me njëmendësinë, rrjedhshmërinë, natyrshmërinë dhe artin e rrëfimit, sikur po shohim një film, parakalojnë personazhet e dy familjeve fqinje, serbe dhe shqiptare, në Mitrovicë (qytet në veri të Kosovës). Në pranverën e vitit 1999, siç dihet, lufta mes forcave paramilitare serbë dhe UÇK-së, kishte marrë një tjetër kthesë, pasi kishin filluar bombardimet e NATO-s, mbi Serbinë. Linja e dashurisë mes Teutës dhe Mirosllavit, të dy fqinjë dhe të rritur bashkë (Teuta shqiptare dhe Mirosllavi serb) sendërton dhe linjën romanore të marrëdhënieve konfliktuale mes familjeve. Dashuri dhe urrejtje. Dashuri mes të rinjve, urrejtje mes prindërve. Edhe Marina ka ndjenja pëlqimi ndaj Adrianit, djali i familjes shqiptare, por ai dashuron një luftëtare të UÇK-ës, po ata janë rritur dhe shkolluar bashkë. Ata janë moshatarë dhe shokë. Ashtu si Marina me Teutën. Por edhe gratë, Vjosa dhe Radmilla. Bojko Kovaçeviç, një -ish oficer karriere i ushtrisë serbe, është një vrasës dhe përdhunes. Një personazh, që skalitet si një antishqiptar i tërbuar, aq më shumë me fqinjin e tij dhe familjen e Hysen Drenicës, duke i quajtur me përçmim shiftarët . Ai, lajmëroj paramilitarët që të digjnin shtëpinë e tij dhe ta vrisnin, madje duke përdorur edhe djalin e tij, për ta bërë vrasës të fqinjit të tij d.m.th të vriste babain e të dashurës, Teutës. Bojko u vra nga fundi I romanit, në tentavë për tu arrestuar nga trupat e UÇK-së, pasi i provokoi me pistoletën pa plumba, që mbante në brez, duke shantazhuar shqiptarët dhe fqinjët e tij. Familja e Bojkos (pa dëshirën e tij), Marina dhe Radmilla, shumë herë i kishin ndihmuar dhe strehuar Teutën dhe Vjosën, derisa u larguan për Shqipëri, pas përdhunimit dhe traumës psikologjike të Teutës. Ashtu dhe Adriani shpëtoj Mirosllavin nga ushtria e UÇK-së. Personazhet kryesore janë: Teuta dhe Mirosllavi, dashuria e tyre e ndaluar nga dy familjet. Marina dhe e ëma Radmilla serbe. Vjosa e ëma e Teutës. Romani ka disa linja:

a)linja e parë: mënyra e përshkrimit, përmes një dikotomie metaforike të natyrës. Një

natyrë me akullsi të eposit. Kordinatat vertikale herë-herë priten dhe herë-herë janë paralele me kordinatat horizontale, të një natyre të zymtë, vetëm gri. Natyra e zhveshur dhe e zbrazur. Natyra dhe mjedisi, kanë një atmoferë të rëndë lufte, vrasjesh, tmerresh, vdekjesh, kufoma kudo nëpër rrugë, ara, oborre, lumë. Të vdekur që i hanë korbat. Një natyrë vetëm me shi, mjegull dhe borë…borë dhe ftohtë… b)-linja e dytë: marrëdhënia mes dy familjeve me kombësi dhe fe të ndryshme, që kanë

bashkëjetuar prej shumë vitesh bashkë. Madje dhe një marrëdhënie jashtë martesës mes Radmillës dhe Hysenit, që përshkruhet në roman thjesht si një dëshirë seksuale, por jo si mëkat apo pendim, mes dy fqinjëve. Ata janë fqinjë të mirë. Në çastet e vështira u duhet të mbështeten tek njëri- tjetri dhe pse mes tyre ka urrejtje dhe dallime shumë të mëdhaja: “më beso, shpesh herë ia kam ba vetes pyetjen: Pse gjithë kjo urrejtje e tyre ndaj nesh? Të këqijat që kanë psue nga ne në 1200 vjet numërohen me gishta, ndërsa për të tynet nuk mjaftojnë as netët e nji dimni…

c-linja e tretë: linja më e gjatë romanore. Ajo rrok gjithë sendërtimin jo vetëm fabulor por edhe të subjektit deri në pikën e zgjidhjes që sipas Zhenetit: rrëfimi në [n] herë, këtu mishërohet më së miri. Rrëfimi klasik-realist në roman, që zhvillohet në një kohë të shkurtër kohore historike [mars 1999 -korrik1999], ka ngërthyer ngjarje, histori, emra, njerëz, politikanë, situata, gjendje, dhembje, braktisje, krime, përjetime, humbje, dashuri, dhunime, vdekje, marrëdhënie kohë/hapsirë, duke ndërfutur elementin e ëndrrës së Teutës me Mirosllavin. Ëndërra është fshehja e realitetit, është mbyllja “deus ex machina”, është një shprehje që do të thotë një përfundim i papritur, i qëllimshëm i një situate të caktuar], se dashuria e tyre kalon përmes topikave:

– topika e pranisë/mospranisë (refuzimi i dashurisë të së rinjve nga familjet respektivisht

famijes shqiptare dhe asaj serbe),

– topika dyshimit/refuzimit (beteja që bën me veten Mirosllavi kundër refuzimit për

dashurinë ndaj Teutës të përdhunimit në grup dhe dyshimi i Teutës ndaj dashurisë së tij ),

– topika e “tones”/”huajës”, (dilemat për lidhjet ndërfqinjore ose të sindromës e huaj/e

jona ose ne/ata).

a) linja e katërt: Përmes këtyre topikave shenjohet edhe dilema e madhe e urrejtjes

shekullore të dy fqinjëve me gjuhë dhe kombësi të ndryshme, përmes fateve të njëjtë, për të jetuar sëbashku në mirën dhe në të keqen, mes dy kufijve të dy popujve dhe historive, ku kemi edhe tre semantika: “sepse mes nesh asht një det urrejtjeje, luftnash, gjaku, kufomash… Sepse edhe kjo luftë e re po dëshmon pikërisht këtë anmiqsi të vjetër dhe me siguri do të na anmiqsojë dhe largojë edhe ma tepër – foli Vjosa, duke e habitur të bijën. – Gjithmonë kështu duhet me qenë, nanë? – foli Teuta, duke bërë një pyetje, që ishte për të dyja”

– semantika e parë: (komunikimi ndërgjinor femror, me një ndjesi mëshire dhe dhembjeje

dhe për vetë natyrën e tyre femrore dhe amësisë),

– semantika e dytë: (marrëdhënia e linjave mashkullore [Bojko/Hysen] është shumë e

ashpër dhe me një gjuhë mllefi dhe urrejtjeje deri në vrasje dhe kënaqësi shtazarake ndaj dhunës dhe vrasjeve sidomos të Hysenit),

– semantika e tretë: (indiferenca e të rinjve ndaj luftës, ndarjeve por edhe ndaj mllefit të

prindërve apo hasmërive të vjetra dhe ndasive fetare, racore apo historike, përmes dashurisë dhe bashkëpunimit rinor).

c) linja e pestë: është ndoshta edhe surplusi i romanit, që mjerisht dhe mjeshtërisht vjen

përmes rrëfimit që të rrëqeth. Përshkimi i krimeve dhe vrasjeve. Dhunimet e shqiptarëve nga serbët, por sidomos skenat e përdhunimeve janë ndërtuar aq mjeshtërisht dhe me një frikë dhe suspansë, që lexuesi ndien katarsis të herë pas hershëm, sikur një skenë filmi. Përjetimet e dhunimeve nga personazhet (Luljeta/Teuta) apo edhe kënaqësia e vrasësve/përdhunuesve/zjarrvënësve (Zdravko/Dejan), janë aq të arrira saqë përlotesh… e)-linja e gjashtë: është linja e historisë dhe urrejtejve etnike të popujve të Ballkanit.

Lufta, dhuna dhe vrasjet masive mes shteteve dhe etnive, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, vijnë përmes vetërrëfimit të Bojkos, si ushtar në Kroaci dhe Bosnje, ku “përveç detyrës…” si vrasës, ka kryer dhe “detyra shtesë…” ai ka përdhunuar femrat e kombësive dhe feve të tjera. Ndjenja e përdhunimit ia ka ngurtësuar akoma më shumë shpirtin e tij të urrejtjes sidomos ndaj myslimanëve (Bosnje/Kosovë) që lidhen përmes elementeve:

-elementi i spastrimit etnik, elementi i holokaustist dhe i krimeve kundër njerëzimit; “– Pas operacionit do t’i mbledhim të gjitha kufomat e njerëzve që nuk janë djegur! – urdhëroi përsëri Zdravko me zë të ngjirur. – Një pjesë do t’i hedhim dhe mbulojmë qysh sonte në një gropë të madhe diku në periferi të këtij fshati. Pjesën tjetër do t’i dërgojmë në furrat e Trepçës… Atje nuk u mbetet asnjë gjurmë… Qartë?

Romani ka semantikë në formë fuge, që rrotuhollet rreth vetes. Emri i kryepersonazheve [Teuta (mbretëreshë ilire) + Mirosllav {I miri + sllav}= me djali i mirë sllav/ mbretëresha Teutë]. Por edhe fjalët sema më të shpeshta si:[ urrejtje /serb /shqiptar /luftë /vrasje /shtëpia përballë /dashuria /libra /përdhunim /ikje /arratisje /UÇK /luftëtar /ushtarak /paramilitarë /shokë /kamp /ftohtë /borë /bomba /avionë /gri /kufoma /vdekje /paqe /ëndërr etj] .

Analiza e këtij romani, ka kalime dhe ndërkalime, por edhe me simbolikën e postmodernietit, ku ndërfutet ëndërra. Ky element zbut edhe dramacitetin e rrëfimit prej kohës vetëm të ftohtë, me borë dhe natyrë vetëm gri. Kudo batërdi, vdekje, kufoma të karbonizuara, erë mishi të djegur dhe gri…gri pafund. Të kuptosh, sesa urrejtje ka mes kombeve mes besimeve të ndryshme etnike duke lexuar këtë roman, kuptojmë se akoma historia nuk është bërë një mësim për të ardhmen. Sa pak vlen paqja. Dashuria. Qenia jonë humane. Vatrat e luftrave nëpërmjet Ukrainës – Rusisë apo edhe Izrael-Hamas, tregon se në letërsi buron gjithmonë vizioni i trillimit, ku dhuna sjell dhunë, lufta sjell luftë, urrejtja sjell urrejtje. Dashuria, është ilaçi që shëron çdo plagë, për të na shpëtuar nga zhbërja dhe për të na bërë më njerëzor dhe më të vërtetë.

Së fundi: ky roman duhet lexuar, më përtej mësimit të historisë së popujve të Ballkanit, që të mos e harrojnë atë, se ajo mund të përsëritet. Në kuadrin e ndërtimit të personazheve, autori ua ka krijuar mjeshtërisht karaktere realiste sipas mendësisë dhe antropologjisë. Kritika, mund ta sugjerojë si lexim dhe më përtej lexuesit shqiptar dhe në hapsirat ballkanike, madje një subjekt për një film të madh, se dashuria mund ta bëjë botën njerëzore më të mirë dhe më të paqtë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular