BallinaEkonomiPunësimi në sektorin bankar arriti nivelin më të lartë historik në 2023

Punësimi në sektorin bankar arriti nivelin më të lartë historik në 2023

Punësimi në sektorin bankar arriti numrin më të lartë historik vitin e kaluar.

Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të vitit 2023 bankat raportonin 7024 të punësuar, në rritje me 4.3% krahasuar me një vit më parë.

Punësimi në sektorin bankar është rritur për të pestin vit radhazi dhe ka kaluar nivelin e mëparshëm më të lartë, që ishte regjistruar në vitin 2016. Në atë periudhë, nisi cikli i shitblerjeve dhe i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

Përqendrimi solli dublime të pozicioneve të punës, por edhe të shtrirjes së rrjetit të degëve, çka çoi në mënyrë të paevitueshme shkurtime të stafit. Pjesërisht, punësimi u ndikua negativisht edhe nga frenimi i strategjisë së zgjerimit të rrjetit të degëve dhe fokusit të shtuar drejt automatizimit të shërbimeve. Por, pasi konsolidimi i sektorit bankar e kaloi fazën kryesore, punësimi në sektorin bankar iu kthye rritjes, duke filluar nga viti 2020.

Megjithëse numri i bankave është ulur pas vitit 2018 dhe tashmë ka zbritur në 11, bankat që kanë dalë nga procesi i konsolidimit duken më konkurruese dhe me një fokus më të madh në zgjerimin e aktivitetit.

Rritja e punësimit, së bashku me presionet e tregut për rritjen e pagave, sollën edhe një rritje të mëtejshme të shpenzimeve për personelin. Sipas të dhënave paralele të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2023 shpenzimet e bankave tregtare për personelin arritën në afërsisht 15.7 miliardë lekë, në rritje me 20.6% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, numri i degëve të bankave vazhdoi rënien edhe vitin e kaluar. Në fund të 2023, bankat raportonin 385 degë, në rënie me 2.8% krahasuar me një vit më parë. Por, pavarësisht tendencës disavjeçare për të ulur numrin e degëve dhe agjencive, punësimi në sektorin bankar është mbështetur nga ecuria pozitive e biznesit dhe nga zgjerimi i shërbimeve të bankingut në distancë.

Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si edhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit. Gjithashtu, rritja e aktivitetit, performanca e mirë financiare dhe rezultatet fitimprurëse po mbështesin një zgjerim të vazhdueshëm të punësimit.

Të dhënat e paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se totali i aktiveve të sektorit bankar arriti në 1.97 trilionë lekë, në rritje vjetore me 5.3%. Ndërsa fitimi neto i sektorit bankar për vitin 2023, mbështetur në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, arriti vlerën rekord prej 28.5 miliardë lekësh, në rritje me 19.5% krahasuar me vitin 2022.

Sipas të dhënave të INSTAT, sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonomi, por rritja e pagës mesatare u ngadalësua ndjeshëm në tremujorin III 2023. Në fund të kësaj periudhe, paga mesatare në këtë sektor arriti në pothuajse 133 mijë lekë në muaj, në rritje vjetore me 1.4%.Monitor

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular