BallinaKryesore“Për Tropojën duhen 143 metra litar dhe 7 grupe, për 50 persona...

“Për Tropojën duhen 143 metra litar dhe 7 grupe, për 50 persona që do arrestohen në kohë lufte…”/Dokumenti me planin-operativ të Sigurimit! Emrat që do drejtonin operacionin

Nga Kastriot Dervishi

Siç dihet, nëse regjimit komunist do t’i rrezohej pushteti, ishte përgatitur për një valë goditje, që përfshinte vrasje dhe burgosje për të gjithë elementin e konsideruar kundërshtar. Në bazë të direktivës; “Mbi funksionet dhe detyrat e forcave të armatosura të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për kohë lufte”, udhëzimit, nr. 01 – 34, datë 30. 10. 1986; “Për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar” dhe udhëzimit nr. 01 – 35, datë 30. 10. 1986 të ministrit të Punëve të Brendshme; “Për mënyrën e veprimit të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, me marrjen e urdhrit nëpërmjet shifrës shtetërore për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar”, Dega e Punëve të Brendshme Tropojë, në vitin 1987, përpiloi planin e veprimeve për kohë lufte, i miratuar nga kryetari i saj, Ibrahim Gjetja.

Rruga e veprimeve të shtatë grupeve është e mëposhtmja. Përfundimi ishte në pikën nr. 33. Të grumbulluarit, të gjithë do shkonin në këmbë, në itinerarin: Fierzë – Iballë – Pukë –Kaçinar – Ura e Fanit (Shpal). Pikat e hapjes do të kryenin funksionin e burgjeve të fshehta, të gatshme për t’u përdorur në situata lufte. Sot kanë mbijetuar fare pak prej tyre.

Këto u ngritën mbi bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme, të datës 6.7.1971. Ndër të tjera, në listën përkatëse, figuron edhe pika nr. 33 (Shpal, Mirditë) e destinuar për repartet nr. 301, 302, 303 dhe 311. Në këtë pike, ishte menduar edhe grumbullimi i personave me rrezikshmëri politike, nga dega e Punëve të Brendshme Tropojë.

Plani i veprimeve të para operative për kohë lufte, i Degës së Punëve të Brendshme Tropojë, i vitit 1987

– Grupi i parë, i drejtuar nga operativi Miti Kurici, zëvendës-përgjegjës Rushan Dervishi, duke pasur 20 ushtarë, vepronte në: Bajram Curri, Gri, Geghysen, Bujan. Do arrestonte 11 persona, duke pasur 11 zinxhirë e çelësa, 33 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te Teqja e Grisë. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i dytë, i drejtuar nga operativi Naim Muçalli, zëvendës përgjegjës Mark Melani, duke pasur 20 ushtarë, vepronte në: Llugaj, Babinë. Do arrestonte 11 persona, duke pasur 11 zinxhirë e çelësa, 33 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te Përroi i Dunishës. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i tretë, i drejtuar nga operativi Shpëtim Halili, zëvendës përgjegjës Besnik Musa, duke pasur 6 forca, vepronte në: Lekbibaj, Peraj, Gjonpepaj, Btoshë, Curraj, Tetaj. Do arrestonte 9 persona, duke pasur 9 zinxhirë e çelësa, 27 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te ura e re e lumit Mërtur. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i katërt, i drejtuar nga operativi Veledin Meto, zëvendës përgjegjës, Abedin Et’hemi, duke pasur 4 forca, vepronte në: Margegaj-Dragobi-Valbonë. Do arrestonte 3 persona, duke pasur 3 zinxhirë e çelësa, 9 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te poligoni i qitjes Margegaj. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i pestë, i drejtuar nga operativi Foto Çelari, zëvendës përgjegjës, Xhemal Skoqi, duke pasur 6 policë, vepronte në: Kasaj, Kojel. Do arrestonte 4 persona, duke pasur 4 zinxhirë e çelësa, 12 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit, te përroi te Qafa e Mejdanit. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i gjashtë, i drejtuar nga operativi Gjergj Shusku, zëvendës përgjegjës, Gjergj Marku, duke pasur 7 policë, vepronte në: Pac, Kam, Kepenek, Berishë. Do arrestonte 5 persona, duke pasur 5 zinxhirë e çelësa, 15 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit në Radogosh. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

– Grupi i shtatë, i drejtuar nga operativi Agim Ramici, zëvendës përgjegjës Esat Kulmaku, duke pasur 7 policë, vepronte në: Rajë, Tpla, Fierzë. Do arrestonte 4 persona, duke pasur 4 zinxhirë e çelësa, 14 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit në pikën e Fierzës. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular