BallinaTe tjera“Kjo femër pranon se ka kryer marrëdhënie intime me ty, kurse ti…”-...

“Kjo femër pranon se ka kryer marrëdhënie intime me ty, kurse ti…”- Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit për ngjarjen e vitit ‘75: Më torturuan në mënyrën më çnjerëzore!

“Një nga sadistët më të mëdhenj të Sigurimit të Shtetit, hetuesi Kadri Ismailati, më tha: Kjo femër po pranon që ka patur marrëdhënie intime me ty, ndërsa ti e mohon. Pse”?!

Ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg. Agim Akcani, është ndër tre ish-të dënuarit politikë, të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë personave të tjerë, iu dhanë 115 vite burg gjithsej.

U quajtën anëtarë të “Grupit sabotator të Baldushkut”, që siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zones, morën pjesë në; “organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë”. Të gjitha këto akuza u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therrën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e, lëndë të tjera toksike.

******

Agim Akcani u mbyll në qelitë e hetuesisë, në moshën 21-vjeçare. Pas një viti torturash, për të pranuar atë që nuk e kishte bërë, u dënua me burg me të njëjtën shifër, të moshës sa ishte, 21 vite. Aktualisht Agimi Akcani, është ndër 3 ish-të dënuarit politik të mbijetuar, nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë persona të tjerë, iu dhanë 115 vite burg gjithsej.

U quajtën “sabotatorë të sistemit ekonomik”, për shkak se “helmuan me dashje” 98 lopë të racës holandeze, në Baldushk të Tiranës. Historia bëri shumë bujë asokohe dhe mbahet mend edhe sot e kësaj dite, por edhe nëse u harrua – një nga hetuesit e kësaj çështjeje, Dilaver Bengasi, e riktheu ngjarjen në media me pretendimin se gjithçka është e vërtetë.

Deklarimet e tij kanë irrituar jashtë mase viktimat e tij, ndër ta edhe Agim Akcanin. Në pjesën e parë të intervistës ai tregoi fillin e ngjarjes, por vijimi i sotshëm është më konkret. Ai citon emrat e hetuesve dhe të burgosurve, ndër ta edhe dy motra, njëra prej të cilave vdiq në burg…!

Z.Akcani, deklaruat se gjatë hetimeve, Bengasi ju kërcënoi në qeli me fjalët: “Gjykatat janë formale, ato legalizojnë vendimet tona. Kostumi juaj është i prerë, dy vetë do të ikin nga kjo botë”! A nuk e menduat se njëri nga ata dy persona mund të ishit ju?

Më pati thënë disa herë Bengasi, që nuk je ti ai që duhesh pushkatuar, por me qëndrimin që po mban, do të zësh vendin e ndonjë tjetri.

A e keni pranuar autorësinë e helmimit të lopëve, siç thotë Bengasi?

Jemi torturuar që të gjithë, jemi reduktuar në kufoma. Çdo proces-verbal është firmosur në mënyrë të dhunshme, të pavetëdijshme. Për një vit rresht nuk kam ditur datën, muajin, vitin. Nuk di se çfarë është firmosur nën torturë, apo në pavetëdijen time. Këto lojërat e firmave në gjendje kome janë histori të përsëritura në qelitë e hetuesisë.

Sipas proces-verbalit të hetuesisë, Bashkim Allmuça, arsimtar, e pranoi krimin e helmimit, duke treguar me detaje madje, se ku e kishit gjetur zhivën…?!

Ai ishte arsimtar me shkollë të mesme, i hequr nga puna. Nuk e kisha njohur kurrë, dhe as jam përplasur ndonjëherë në hetuesi apo në kaush, me atë. Ishte disa vite më i madh se unë, siç e mora vesh më vonë, nëpërmjet të dënuarve të tjerë. E vërteta është, se ai u përdor keqas nga Sigurimi i Shtetit. Ai ka qenë kyç, për të inskenuar tragjedinë e njerëzve të pafajshëm. Mjafton të lexosh dëshminë e tij, është qesharake.

Hetuesi Bengasi në deklaratat e tij të fundit, edhe pas gati katër dekadash nga ngjarja, është i bindur akoma se helmimi i lopëve ishte i qëllimshëm, u realizua nga një person që organizoi një grup për këtë, vetëm ngaqë ishte ulur në detyrë. E quan kokëshkretë, madje. E ka fjalën për ju me këtë epitet, apo për kë tjetër nga grupi juaj?

E kam idenë për kë e ka fjalën. Nuk jam unë, sepse unë nuk kam patur ndonjëherë detyrë të lartë. Detyrë e ulët, apo e lartë për mua, ka qenë vetëm ajo e brigadierit. Sepse unë, fill pas mbarimit të shkollës në Teknikumin Bujqësor në Shkodër për katër vjet, direkt nisa punë si brigadier, i këtij kompleksi blegtoral.

Por ndryshe mendon Bengasi, ai ka thënë se ju ishit me biografi të keqe dhe se kishit marrë poste “të rëndësishme”, për të sabotuar ekonominë…?!

Kisha një xhaxha të pushkatuar nga Partia. Ekzekutimi i tij ishte bërë, kur unë ende nuk kisha lindur, por që nuk na ishte treguar ndonjëherë në familje. Si fis, nuk kishim patur ndonjëherë probleme biografie, pasi e dinim që xhaxhai ynë, kishte vrarë një oficer, ndaj edhe ishte pushkatuar. Biografinë time, e mora vesh në hetuesi. Të kishte qenë aq problem biografia, nuk do të isha emëruar menjëherë brigadier, ndërsa në fisin tim gjithashtu, të afërmit ishin krejt në rregull, pa probleme.

Hetimet e plota dhe gjyqi i bërë për grupin tuaj të të akuzuarve vërtetoi katërcipërisht organizimin prej tetë vetash, dhe se kishit një program të plotë e ambicioz për të sabotuar dhe dëmtuar rëndë ekonominë e zonës. Çfarë ishte ky program?

Absolutisht jo. Çfarë programi?! Sigurimit të Shtetit i leverdiste të sajonte një organizatë kriminale. Ne, 8 persona, fshatarë nga zona e Baldushkut, do të minonim pushtetin popullor, duke ngordhur lopë…!? Mbi të tilla sajesa, ngriheshin në detyrë hetuesit, prokurorët, etj., duke bërë karrierë mbi “zbulimet e grupazheve” dhe ekzekutimet.

Për të përligjur makabritet e tyre, p.sh. në Baldushk, pas ngjarjes, gjatë natës kishin çuar disa makina rreth e rrotull, duke hedhur dritat e prozhektorëve në një arë, sikur aty bëheshin mbledhje të armiqve të popullit, të sabotatorëve. U arrestuan gati 100 vetë, me të tilla sajime.

Në grupin e të arrestuarve dhe që u dënuan në grupin tuaj, ishin edhe dy motra. Pse duhet të akuzoheshin edhe dy femra, bashkë me 6 meshkuj?

Ah, çfarë kleçke…?! Ky ishte stili e metoda, që nisi të përdorej në atë kohë, por edhe më vonë në gjyqe të tjera. Organet e Sigurimit të Shtetit, nisën të kujdeseshin që në çdo organizatë, të kishte një apo dy femra. Arsyeja? Qëllimi ishte që të jepej imazhi, se këta persona, jo vetëm që kryejnë akte kriminale, por janë edhe të degjeneruar moralisht, merren me femra. Ishte parulla e famshme, që doli atëhere, ku thuhej se; “degjenerimi moral çon në degjenerim politik”.

Në fakt, a kishte ndonjë nga të arrestuarit lidhje intime me ato vajza, apo ju vetë?

Jam i sigurt, që asnjë prej tyre, nuk ka patur ndonjë lidhje me ato vajza. Përfshirë veten time. Edhe pse ato të gjorat, nga presioni e dajaku nëpër qeli, kanë deklaruar e firmosur sikur kanë pasur lidhje me mua, dhe të gjithë pjesëtarët e grupit kriminal. Gjë që, nuk ishte absolutisht e vërtetë, por ato i besuan “fjalës” së hetuesve, që po të pranonin diçka të tillë, do të nxirreshin nga hetuesia.

Do t’i shpëtonin dënimit. Unë isha djalë i ri asokohe, kisha një lidhje, por me asnjërën prej këtyre dy motrave, nuk kam patur ndonjëherë diçka. Madje, njëri nga sadistët më të mëdhenj të Sigurimit të Shtetit, që e ka emrin Kadri Ismailati, më tha: “Kjo femër po pranon që ka patur marrëdhënie intime me ty, ndërsa ti e mohon. Pse”?! Iu përgjigja: “Kjo femër pranon, sepse ashtu i thua ti, se do të dalë nga hetuesia, por gjynah ajo…”! Si përfundim, të dyja motrat u dënuan, me nga 15 e 14 vjet burg. Njëra vdiq atje.

Sa kohë ndenjët në hetuesi?

Për një vit rresht. Akt-akuza u formulua më 7 dhjetor 1976 nga hetuesi Kosta Gazeli, e cila përfshinte mbi grupin e arrestuar këto pika:

-Kanë marrë pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor.

-Kanë zhvilluar agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor dhe kanë kryer aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë.

Nga doli emri i Kosta Gazelit, deri tani keni përmendur vetëm Dilaver Bengasin, si hetuesin tuaj. Gazeli ishte hetuesi i Rifat Dajës…?

Ka qenë edhe Kosta dhe ca hetues të tjerë, që do t’i përmend me radhë. Fillimisht Dilaver Bengasi, ndenji dy muajt e parë si hetues dhe nuk e di se ku u transferua. U zhduk. Pas tij, erdhi hetues Fari Kraja. Ky ka qenë më i rregullt, me mua. Vërtet që bënte presion psikologjik, pyeste me tendencë e bënte provokacione, por gjithçka ishte në rregull. Krejt normale për punën e tij, por di të them që; është i vetmi person hetues që ka qenë korrekt, që nuk më ka goditur kurrë.

Është sjellë profesionalisht me mua. Nuk më ka prekur asnjëherë me dorë. Hetues tjetër, kanë qenë; Dino Leli, Bujar Jazexhiu, Niko Paskali dhe Kosta Gazeli, siç ju thashë. Megjithatë pas largimit të Dilaver Bengasit, hetuesit e tjerë, sikur patën një lloj tërheqje mbrapsht nga procesi. Siç duket, e kuptuan qartë, se nuk kishin asnjë lloj fakti, për të vërtetuar akuzën dhe ia lanë “dopio-gjashtë” Bengasit, që të rimerrte çështjen dhe të bënte arrestime të tjera.

Kush ushtronte më së shumti dhunë mbi ju nga hetuesit?

Të gjithë të tjerët. Bengasi më ka torturuar, në mënyrat nga më mizoret. Hekurat ishin të parat, më shtrëngonin dhe më gjuanin me to, derisa më binte të fikët dhe zgjimi më bëhej me kova uji të ftohtë mbi fytyrë. Hetuesi tjetër, Dino Leli, gjithashtu. Më ka lënë kushedi sa herë pa ndjenja, duke më dhunuar si kafshë, derisa bija pa ndjenja, duke pështyrë gjak.

Këta hetues, përdornin duart e tyre për t’ju dhunuar apo gardianët a persona të tjerë?!

Me duart e tyre. Ata duar që i kanë, jo të lyera me gjak, por të zhytura me gjak. Dërrasat e hekurat, i merrnin që mos t’u dhimbin duart e këmbët, duke na rënë me grushta e shkelma.

Në çfarë periudhe të ditës dhunoheshit më tepër?

Pa orar. Kur t’u tekej hetuesve. Edhe pas mesnate, në rast se do ishin grindur me gratë e tyre, apo nuk i zinte gjumi. Vinin dhe shkarkonin nervat e tyre më të këqija, duke na u derdhur në dru. Më kujtohet që Dino Leli, në natën e martesës, ka ardhur në hetuesi dhe më ka rrahur. Ka qenë ora dy e natës. Nuk e prisja kurrë, që natën e martesës të kthehej në hetuesi. Më goditi derisa më la pa ndjenja dhe iku. Ishte sadist safi.

Ku e dinit ju që ai martohej, kishit aq konfidencë, sa për të folur për jetën private me hetuesin?!

Se Dino Leli, po bisedonte me hetuesin tjetër, Fari Kraja, në italisht. E kishin zakon që flisnin në gjuhë të huaj, në mënyrë që të arrestuarit, mos kuptonin gjë. Sidomos për mua, nuk ia kishin idenë, që merrja vesh nga italishtja. Por gjatë muajve të qëndrimit në hetuesi, unë ndaja dhomën me J. M. Ngaqë nuk kisha se çfarë bëja, gjatë kohës që nuk haja dru, ai nisi të më mësonte italishten.

Pse, ai, nuk hante edhe ai dru si ju?

Ai ishte djalë intelektual, inteligjent, përgjithësisht pozitiv, por dru nuk hante. Siç duket ai ishte dorëzuar para hetuesve, nga dhuna e presioni dhe përdorej prej tyre, për të spiunuar. Unë isha puna e radhës, për të.

Nga dolët në këtë konkluzion?!

Sepse atë e merrnin hetuesit, fill pasi ikja unë dhe e pyesnim veçmas. Thoshte që nuk e kishte thirrur njeri e, nuk kishte dalë nga qelia, por shapkat, nuk ishin asnjëherë në të njëjtin vend. Sipas urdhrit të gardianit, ato duhet të ishin gjithnjë në rregull, gati për t’u veshur, në rast dalje nga dhoma. Se shapkat i vishnim vetëm kur dilnim nga dhoma…! Më vjen keq ta them këtë se ai nuk jeton më, por unë isha fatlum, sa kohë qëndrova me J. M.

Mësova prej tij dhe fundja ai nuk kishte se çfarë të spiunonte, nuk kisha ndonjë gjë për të fshehur. E vërteta është, se sa herë hapej dera, unë krijoja iluzionin, sikur do të dilja, ngaqë nuk kisha bërë gjë…! Pas 2 muajsh me J. M., në dhomë ndenja 3 muaj të tjerë, me Lefter S., që ishte nga Gjirokastra, i cili ishte një njeri i deklaruar. Dihej. Akuzohej për tentativë arratisje, por e vërteta, nuk u mor vesh asnjëherë.

Si dihej, çfarë ishte një njeri i deklaruar?

Që ishte agjent i Sigurimit dhe futej nëpër biruca të ndryshme për të spiunuar, madje shkoi deri në burg, me këtë mision.

Ka një tendencë përgjithësisht, tek ish-të burgosurit politikë, që shpesh bashkëvuajtësit, i shohin si spiunë. A nuk ju duket pak si paranojë?!

Asnjë lloj paranoje. Sigurimi i Shtetit, ka përdorur manovra nga më të poshtrat, për rekrutimin e spiunëve. Me dëshirë apo me dhunë, kush thyhej. Ndaj edhe kemi kaq vjet, që këmbëngulim për hapjen e dosjeve. Të dihet e vërteta. J. M. dhe Lefteri, ishin të tillë. Pas tyre, në dhomë pata Petrit Kadarenë, pse nuk them unë edhe për atë, se ishte i infiltruar?! Ishte djalë shumë i mirë. Por, shih si funksiononte Sigurimi? Pasi të fuste shok në qeli, të parin dhe të dytin, si spiun, pastaj të linin rehat. E kuptonin që nuk del gjë.

Gjatë kohës që ishit në hetuesi, a u takove dot ndonjëherë me familjarët, arrite të kontaktoje me ata?

Për t’u takuar, as që bëhej fjalë, sa kohë isha në hetuesi. Kam arritur të komunikoj me ata, në mënyrë të pabesueshme. Kam arritur të shkruaj një letër, në kushte absurde. Sigurisht që nuk lejoheshin letrat, por ja si ndodhi. Duke qenë se nuk kishe ç’bëje në hetuesi, ndonjëherë bëje veprime koti, instiktive. I kisha kontrolluar kushedi sa herë xhepat e pantallonave dhe ja tek po i kontrolloja sërish. Kur në fund të xhepit, më has dora në diçka, por nuk po e kuptoja se çfarë ishte.

Kthej xhepin përmbys, kur ç’të shoh? Një majë lapsi, por pa laps. Si brigadier, shpesh mbaja lapsa në pantallona, por duke lëvizur këputej maja ndonjëherë. Ashtu kish ndodhur. Pasi mora atë majë lapsi, që mezi mbahej në dy gishta, menjëherë nisa të vras trurin, se si të gjeja letër. Aty më rrinte mendja. Herë pas here, familja më dërgonte ushqim në qese transparente, që kontrolloheshin nga gardianët.

Që aty, arrita të tërheq një letër gjalpi nga ushqimi. Pasi e lava, e thava në batanije duke e fshehur. U ruaja vazhdimisht mos ma shikonin atë copë letër, që më dukej si dhuratë. Pasi u tha, mora majën e lapsit dhe i shkrova familjes; “Mua më akuzojnë për lopët dhe do të dënohem. Jam i sigurt që do të dënohem, madje rëndë, edhe pse nuk kam bërë asgjë. Të jeni moralisht të qetë se jam i pafajshëm…”!

Letrat nuk lejoheshin në hetuesi apo jo? Kujt ia dhatë këtë letër për ta dërguar?

Askujt nuk ia dhashë, por veprova ndryshe. Në qeli, çfarë nuk të pillte mendja. E palosa atë copëz letër, derisa u bë një katrore shumë e vogël. Dukej si copë mbeturine e mbetur në fund të qeses. Qeset u ktheheshin sërish familjeve, sepse përdoreshin sërish. Nuk është se ishin si sot njëpërdorimshme. Edhe qeset ishin aq me kursim, sa qepeshin disa herë, derisa nuk mbanin më.

Nejse… E lashë ashtu atë letër dhe bashkë me qeset ia dhashë gardianët. Ai nuk e pa. Por për të vërtetuar, nëse kjo copë letër do t’u binte në dorë familjarëve, u shkruajta në fund: Nëse do ta merrnin këtë letër, kur të më sillni ushqim herën tjetër, bëni petulla, siç dimë t’i bëjmë ne në Baldushk. Për fatin tim të mirë, herën tjetër më erdhën petulla nga shtëpia. Kur dola nga burgu, mora vesh që letrën, e kishte gjetur nusja e vëllait tim….! Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular