BallinaKulture"Alfabet aliteracionesh mbi krijimin"/Nga Petrit Nika

“Alfabet aliteracionesh mbi krijimin”/Nga Petrit Nika

Alfabet aliteracionesh mbi krijimin

Ajgëtohet aura në artin e amshuar,
hieroglif mistik ku qenia gjen kumtin,
Bibla e besimit në bashkimin e bekuar,
të shpirtit dhe lëndës në anima mundi.

Cakëllon centuria cimbal në cekatore,
vlerën e materies përditë në konsum,
çafkëtor çalok çallëstis në çajtore,
në teh, rrekem arsyen mos ta humb.

Dekolte dafinore dalldisin degëtendë,
poshtë qiellit plim re të zeza dendësuar;
dhuntia që dheut dhuratë iu pat dhënë,
më kumt pa ia dá misionin e harruar.

Emocionet endacake evoluojnë në emfazë,
dhe zbrazen në epigrame ajrore eliptike,
ëndërrimi ëmbëlak është ëngjëll ëndërrimtar,
në diskurs logjik me ligjet fizike.

Faktet fajkojnë në filigranë fantazinë,
për misterin e Fjalës, mahnitjen pa cak,
galdimin gudulisës që gulfon guxim,
për ta kthyer kumtin e verbit në akt;

githpërfshirës për gjësendet në gjithësi,
si shenja stoike në pluralizmin mendor,
hepimin hirplot të Heliosit për hegjemoni,
në proporcion me Fjalën, në kënd drejtvizor.

Identik me idetë që improvizojnë importin,
e kumteve të panjohura me një emërues;
jehun jetësor jeratisur prej ku jetonin
Edenit – aura dhe qenia në eter paqëtues.

Kafkulli i kafenjtë i këmbanës kabá,
shujton hapësirën e shurdhët pa dinamizëm,
laboti loton largësinë e lëbyrët ku lira,
me vaj monoton të cyt në nihilizëm.

Llohën e llahtarshme ta llogarisësh në llumë,
së gjati, së thelli përbërjen e saj ta perceptosh,
megjithë makthin malarik makut në maksimum,
dhe mugëtirën kompakte që s’të lë të shikosh.

Misioni mistik misteresh marroset,
si rrokje e patheksuar në ligjërim të belbtë,
në ndihtë njeriun njeti, e nakatosi,
guroren e fjalëve me tingull të sertë.

Opsionet opake organizon organi,
i frymës së fishkur në fëshfërimë karboni,
papritmas paudhësia parashtron planin,
për vese skandaloze e grykësi frymori.

Qetësia e qullët në qoshkun qyqar,
ta sjell në mendje pareshtur mundësinë
e rastësisë në renditjen për rol rënkimtar,
me gurin mbi supe, vetëm me vetminë.

Sikur ta sajdisësh saktë sajesën në skemë,
si gjethe ekzotike të thatë në herbar,
shmang shijen shëmtane që shthur shimpanzenë,
mes pyllit të bananeve me tabiat xanxar.

T’ia taksësh teptisjen e tipareve tekanjoze,
pabesisë së xhunglës egrashe, pa fat,
thirrjeve thuthuqe nën thikë në thertore,
ku tablloja ekzotike stërpiket me gjak.

Uvertura e utopisë ushton mbi ujë me uzdajë,
të përcjellë tek qenia shpresën optimiste,
vallëzimi vagabond i valutës mbi valë,
të mos e vyshkë aurën e pamjeve lirike.

Xanxare xibërrima xixëllon në xingonë,
qenia sizifiane pareshtur ngjitet në atë xipë,
xugitet xurxull mes xunkthesh dhe xixëmon,
përmes shkretëtisë së Tartarit pa dritë.

Xhibali i xhindosur, xhibër si xhonturk,
nuk tërhiqet nga vendimi për shortin fatzi,
yllshuari yllndriturit i ysht ymër kah yllon,
në këtë botë të shthurur, plot marrëzi.

Zakoni zbraz zavallet e zemrës në Zanafillë,
ku Fjala përlind krejt aktet e pafundme,
zhurmshëm e zhbën zhgënjimin në zhvillim,
kur shpalos Alfabetin e saj plot kumte.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular