BallinaAktualitetPROFIL/Ndahet nga jeta ikona e gazetarisë ekonomike dhe radiofonike Afërdita Selimaj, gazetarja...

PROFIL/Ndahet nga jeta ikona e gazetarisë ekonomike dhe radiofonike Afërdita Selimaj, gazetarja zë ëmbël e radio Tiranës

Mina HYSA
Gazetaria shqiptare ka marrë sot një lajm të hidhur. Një nga emrat më të njohur të saj, veçanërisht në gazetarinë ekonomike, kolegia Afërdita Selimaj u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.  Veçse një profesioniste e fushës. Afërdita Selimaj ishte dhe një njëri i mirë, e dashur më kolegë dhe jo vetëm, fjalëëmbël. E sotmja ishte një ditë e keqe për këdo që e ka njohur. Lajmi kobëzi vuri në mërzi jo vetëm të afërmit, por këdo që e ka njohur, e ka pas kolege, mike apo qoftë dhe nëse ka ndërruar dy fjalë me të. Personalisht me zërin e saj të ëmbël u rrita duke dëgjuar radio Tiranën pa e ditur që do të bëheshim koleg. Madje dhe më shumë, me Ditën siç e thërrisnim u bëra mik i saj dhe së bashku me kolegët e ekonomisë ndanim kohë me të, madje fal organizimeve prej saj në takime pune kishim kohë te rrinim më shumë dhe çmalleshim me njëri – tjetrin duke harruar stresin që na jepte ngarkesa në punë. 
Dita Semilaj, siç ne e thërrisnim sot na la vetëm, iku një prej nesh, një zonjë e nderuar por që për ne kolegwt do të mbetet e paharruar. Prehu në paqe Afërdita Selimaj. Ndër ne do të kujtohesh si Dita e mirë, e dashur, fjalëmbël. Mbrapa ke lënë emrin që e ke skalitur jo vetëm ndër ne, por edhe tek shqiptarët.
Kush ishte Afërdita Selimaj(CV)
U nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, një nga figurat e shquara të RTSH-se dhe gazetarisë shqiptare, Afërdita Selimaj. Afërdita Selimaj u lind në Tiranë në vitin 1955 dhe kreu arsimin e mesëm në gjimnazin Petro Nini Luarasi në vitin 1974. Studimet e larta i zhvilloi në fakultetin e Shkencave Politike, Dega Gazetari, duke diplomuar në vitin 1977. Pas kësaj, ajo filloi rrugëtimin e saj në fushën e gazetarisë, fillimisht nga gazeta lokale “Shkëndia” në Lushnjë në vitin 1977 dhe më pas si gazetare në Radio Tirana në vitin 1981. Gjatë kësaj periudhe dhe pas saj, Afërdita Selimaj u shqua për kontributin e saj në trajtimin e ngjarjeve dhe problematikave kryesore të ditës në radio dhe televizion, duke përfshirë kronika dhe shënime mbi ekonominë dhe zhvillimet aktuale. Afërdita Selimaj shquhej për përkushtimin në emisionet sociale-ekonomike, duke kontribuar me pasion edhe në shumë fusha të gazetarisë radiofonike dhe televizive. Afërdita ka qenë një ndër themelueset e gazetarisë ekonomike në Shqipëri, pas ndryshimit të sistemit. Ajo, ka qenë frymëzim dhe mbështetje për të gjithë gazetarët, e veçanërisht ata të fushës ekonomike. Për të përmendur disa nga veprat që Afërdita i la pas, mund të veçojmë emisionet televizive në RTSH, si “Cikli Otranto 97”, “Shqiptarët dhe fajdet”, Telereportazhi “Expo 98 dhe Shqipëria”, realizuar në Lisbonë te Portugalisë. Në vitin 2000, ajo u emërua Drejtore e Departamentit të Lajmeve në Radio Tirana, pozicioni që e mbajti deri në gusht të vitit 2003. Në vazhdim, ajo ka drejtuar sektorin për bashkatdhetarët në Radio Tirana. Në vitin 2003, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, Afërdita ka qenë Kryetare e parë e Bordit të Monitorimit të Medias, pranë KQZ-se. Gjithashtu, gazetarja e RTSH-së Afërdita Selimaj, ka qenë e vetmja gazetare pranë ekipit negociator shqiptar në Gjenevë, për anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Nga viti 1998 e në vazhdim, ka drejtuar Lidhjen e Gazetarëve Ekonomike të Shqipërisë, LEGA. Afërdita Selimaj në vitin 2021, nderohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e vyer si gazetare dhe drejtuese e Departamentit të Informacionit në ‘Radio Tirana’. E para grua në krye të Lidhjes së Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë, u shndërrua në një figurë të ndjekur brenda dhe jashtë vendit për zërin e spikatur dhe aftësinë në drejtimin e emisioneve të lajmeve.
Përveç kësaj, i është dhënë çmimi “Vangjush Ganbeta” nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, për raportin më të mirë radiofonik, për problemet ekonomike. U zgjodh Ambasadore e Paqes nga Federata Ndërkombëtare për Paqen në Botë në vitin 1999. Në 2011, ishte anëtare e trupit drejtues në Katalogun e sipërmarrjes së grave Shqiptare në Bruksel. Afërdita Selimaj, edhe pas daljes në pension, vazhdoi të kontribuojë në fushën e gazetarisë dhe informacionit përmes pjesëmarrjes në shumë programe dhe projekte mediatike. Me ndarjen e saj nga jeta, humbëm një nga gazetaret më të jashtëzakonshme dhe kontribuuese të shquar në fushën e informacionit dhe gazetarisë ekonomike. Ne kolegët e saj do ta vazhdojmë ta kujtojmë me respekt, duke e vlerësuar lartë kontributin e Afërdita Selimaj në zhvillimin e medias shqiptare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular