BallinaKultureE jashtëzakonshmja e “personazheve të zakonshëm”, të autorit Ylljet Aliçka

E jashtëzakonshmja e “personazheve të zakonshëm”, të autorit Ylljet Aliçka

E jashtëzakonshmja e “perzonazheve të zakonshëm”, të autorit Ylljet Aliçka

Shkrimtari, përkthyesi, skenaristi, diplomati dhe pedagogu Ylljet Aliçka nuk është një emër i panjohur brenda e jashtë vendit, për aq kohë sa ai shkëlqen si një prej autorëve më të mirë të letërsisë sonë bashkëkohore. Mjeshtër i një stili të veçantë shkrimtarie dhe këndvështrimi të mprehtë për botën e djeshme, të sotme dhe të nesërme, Aliçka ka gdhendur prej kohësh profilin e një shkrimtari të spikatur. Në dukje të parë modest, duke nisur që nga volumi konçiz i veprave të tij, ky krijues, të zë “pritë” me befasitë e tij artistike, që i shpalos faqe pas faqeje e personazh pas personazhi. Nuk janë vetëm skulptorët ata që mbajnë dorën kur gdhendin veprat e tyre, por edhe shkrimtarët kur mprehin penën për të krijuar personazhet e tyre. Madje, shkrimtarët lodhen ca më shumë, sepse, duhet që përveç krijimit të personazheve, të krijojnë edhe atmosferën plot ngjyra jete, ku duhet të veprojnë heronjt e tyre artistikë.

Historia e letërsisë, qoftë për veprat e klasikëve të mëdhenj, qoftë për ato të kohëve moderne, ka konsideruar krijime të pavdekshme artistike ato vepra, të cilat me personazhet e tyre kanë frymëzuar ndryshime të mëdha, revolucione politike e sociale, duke tejkaluar kohën dhe autorin e tyre krijues. Psh, shkrimtarëve të mëdhenj si Dante, Shekspiri, Balzaku, Hygo, Tolstoi, Gogol, Xhojsi, Nabukov, Dostojevski, Folkner, Dikens, Drajzer, Markez, Molier, Flober etj, u ngatërrohet pasaporta e identitetit personal me personazhet që kanë krijuar. Ashtu si skulptorët dhe piktorët e mëdhenj, që mbetën përjetësisht të gjallë nëpërmjet veprave që lanë pas, të cilat gjenden në sallonet më të famshme të Europës e botës, edhe shkrimtarët e poetët e mëdhenj kanë lënë si trashëgimi të vazhdimësisë së tyre, personazhet që kanë gdhendur me penën e tyre. Hamleti, Makbethi, Mbreti Lir, etj, e kanë tejkaluar autorin e tyre në famë ose e rivalizojnë atë denjësisht edhe sot! Askush, nuk thotë, psh, “dilemë shekspiriane”, por të gjithë thonë,”dilemë hamletiane”!

Ylljet Aliçka është një nga ato shkrimtarë, të cilët nuk nxitojnë pas numrit e volumit të veprave e, aq më pak drejt famës së tyre individuale. Komod brenda kostumit qytetar të modestisë, ai gdhend ngadalë dhe me mjeshtëri të rrallë profilet e personazheve të tij të “zakonshëm”, që vijnë mes nesh me historitë e tyre të “jashtëzakonshme”. Për Ylljetin duket qartë se nuk ka rëndësi personazhi i “jashtëzakonshëm”, por letërsia e jashtëzakonshme! Ai e di që nuk e sjell dot një Hamlet shekspirian në mesin tone, por sjell dilemën hamletiane të mijëra njerëzve të zakonshëm, të cilët jetojnë në një kohë të jashtëzakonshme, brenda të cilës ripërtypet në heshtje vargu hamletian;”të rrosh a të mos rrosh – kjo është çështja”!

Këto heronjë, vijnë si njerëz të zakonshëm, por jeta dhe mesazhet që na sjellin, janë të jashtëzakonshme. Mbase i zalisur nga periudha e një letërsie soc-realiste shqiptare, kur në qendër duhej të ishte patjetër një “personazh i madh”, një “hero kryesor”, Aliçka, (edhe në shenjë të refuzimit estetik), ka zgjedhur të na flasë me personazhe të “zakonshme”. Sepse, e gjithë pesha e shoqërisë, na thotë ai, bie mbi supet e këtyre të “zakonshmëve”, të cilët shpesh bëjnë një jetë të jashtëzakonshme deri në absurd. Janë pikërisht këto personazhe “të zakonshme”, të cilët dalin jashtë vetes duke përdorur mjete e forma të jashtëzakonshme për të bërë, në fund të fundit, një jetë të zakonshme! I tillë është, psh, mësuesi “mashtrues” Shasivari, tek romani “Histori të Njerëzve të Zakonshëm”, i cili mban një xhep një autorizim fallco për të realizuar falas udhëtimin e tij me makinë, në një vend ku ka pak makina… Shasivari i kohës së shkuar, sot nuk mban në xhep një biletë fallco, por mban autorizime dhe vërtetime pronash që nuk i takojnë, siç mban tituj akademik të vjedhur apo të blerë..

Unë mendoj se nuk është modestia ajo që e shtyn shkrimtarin e njohur Aliçka, të merret me personazhet e zakonshëm (historitë me njerëz të zakonshëm), por mjeshtëria e tij e lartë artistike, vetëdija e tij e thellë social – filozofike, ajo që e ka planvendosur në një këndvështrim të tillë të shikimit të jetës. Ai kërkon të mbetet original dhe si i tillë, ka zgjedhur të mos e shikojë jetën nga lart – poshtë (ku personazhet janë figura qëndrore të jetës publike) as nga poshtë – lart (ku personazhet janë figura shumë periferike), por shikon drejtpërdrejt, në përditshmërinë e zakonshme, në të cilën është jeta ajo që i bën personazhet “të jashtëzakonshëm”. Ata nuk lindin të tillë, por duket se rrethanat e jetës, u diktojnë atyre stilin e të menduarit dhe formën e sjelljes shoqërore.

Aliçka, në tërë veprën e tij, përfshi edhe romanin më të fundit “Histori Njerëzish të Zakonshëm”, nuk kërkon të na imponohet si “shkrimtar i jashtëzakonshëm”, por, përkundrazi, duke qëndruar vetë sa më në hije, nxjerr gjithnjë e më shumë në dritë të jashtëzakonshmen e njerëzve të zakonshëm! Nuk besoj se është një rastësi kjo strategji stilistike e rrëfimeve të mëdha nëpërmjet perzonazheve të “vogla”(të zakonshme). Kjo mund të konsiderohet një risi në prozën modern shqipe.

Shkrimtari Aliçka, nëpërmjet personazheve të tij të zakonshëm, duket se na fton të gjithëve në vallen e tij letrare, duke na thënë se, “edhe ti mund të jesh, ose mund të ishe njëri prej tyre”. Figura e mësuesit – një personazh i zakonshëm në jetën e përditshme, i cili nuk është as në foltoren e parlamentit, as në karrigen e ministrit, as në studiot rrëzëllitse të televizioneve, vjen në veprat e Ylljetit, krejt natyrshëm, duke hyrë pa droje në teatrin e madh, ku secili prej nesh luajmë një rol të caktuar. Vëzhgues i jashtëzakonshëm i realitetit dhe studiues tepër i hollë i tipave dhe karaktereve, që i kalojnë pranë rrugëve të kryeqytetit apo në vendet ku ka punuar e jetuar, Aliçka përzgjedh mes tyre disa nga personazhet më pikante, ata që kanë “karakteristika” të veçanta. Jo vetëm përshkrimi plot ngjyra dhe me detaje sarkastike, por edhe përzgjedhja e gjuhës së personazheve në dialogjet konçize që zhvillojnë, bën që, secili prej tyre të duket aq i gjallë sa mendon se do e takosh diku përsëri nesër. Kështu ka ndodhur me mesuesit që kemi parë tek filmi “Parullat”, ku ne njerëzit e zakonshëm kemi parë personazhet e zakonshëm, në një kohë të jashtëzakonshme!

Mësues Shasivari, tek “Histori Njerëzish të Zakonshëm”, është një personazh i zakonshëm, që sjell mesazhe aktuale nga një kohë e jashtëzakonshme, të cilën duket sikur e kemi lënë pas. Ai, në përditshmërinë e tij, rrokulliset si një kungull social i lyer me ngjyrën e kohës kur jetoi. Pyetja që rri pezull në këto vepra të Aliçkës është: pavarësisht kohës kur kanë jetuar këto personazhe, a janë karakteret e tyre të gjalla edhe sot mes nesh? Përgjigjen e marrim po nga Aliçka nëpërmjet filozofisë së personazheve të tij dhe, “po”, ato karaktere, pavarësisht kohës kur jetuan, janë edhe sot mes nesh si plagë e moralit shoqëror, si dhimbje e idealistëve që duna një shoqëri të përsosur. Pavarësisht ndryshimit të sistemeve politike, udhëheqësve, ligjeve etj, palca e një shoqërie qëndron pikërisht tek njerëzit e zakonshëm dhe, vetëm kur të ndyrshojnë normat morale dhe sjellja shoqërore e njerëzve të zakonshëm, atëherë ndryshon edhe vetë shoqëria në tërësi.Ky duket se është një nga mesazhet e fshehura të autorit. Për aq kohë sa ne jemi ende në rrjetën e një mentaliteti konfrontues dhe arrivist, ku nga mëngjesi deri në darkë mendojmë se, si “t’i bëjmë gropën tjetrit”, nuk mund të pretendojmë të bëjmë hapa të mëdhenj përpara.

Brenga e autorit, më shumë se artistike, është sociale, politike e morale. Ylljet Aliçka, pavarësisht se abstragon në procesin e shkrimtarisë, ai vetë është një personazh i “zakonshëm”, i këtij tranzicioni të jashtëzakonshëm 30 vjeçar, që sillet si teatër kafkian.

Romani “Histori Njerëzish të Zakonshëm”, mund të ishte fare mirë një sagë librash me historitë e jashtëzakonshme të mijëra njerëzve të “zakonshëm”, të cilët i kanë dhënë formë asaj që ne e quanim dje ose siç e quajmë sot, “shoqëria shqiptare”. Por, edhe me një histori të vetme, me historinë e mësues Shasivarit, shkrimtari dhe skenaristi Ylljet Aliçka, na sjell një dramë sa qindra drama me mesazhe të qarta për shoqërinë e sotme.

Ylljet Aliçka, ka meritën, veç tjerash se, me personazhet e tij të “zakonshëm”, po i tregon botës një Shqipëri (dhe shoqëri) të jashtëzakonshme. Arben Çejku

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular