Emri i Kasandër Nogës ka më shumë se dy dekada që lakohet në media dhe dosjet e policisë. Të shtunën policia e Tiranës doli në një konferencë për shtyp për të folur për një masakrën e Don Boskos në 4 janar 2022 ku në një lokal të kësaj zone në Tiranë u vra Erion Çela dhe u plagosën 4 të tjerë. Tashmë del se viktima humbi jetën gabimisht pasi autorët kërkonin një person tjetër.
Shënjestra ishte Geron Hasanbelliu ndërsa vrasja ishte porositur nga Kasandër Noga. 46-vjeçari është futur herët në botën e errët të krimit. Ishte student i Akademisë së Policisë kur u përjashtua para se të diplomohej, kur plagosi me thikë në ambientet e shkollës një student nga Lushnja. Në Akademi njihej, gjakftohtë, pak i frikshëm, por inteligjent. Ra në hakmarrje fare i ri. 24 v vjet më parë në Patos, Kasandër Noga u konfliktua me Gentianin, vëllain e Erion dhe Geron Hasanbellit, sherr ky që vazhdon të shkaktojë viktima në Tiranë e Belgjikë.
Në atë kohë Erion Hasanbelliu jetonte në Itali. Atje kontaktoi Mariglen Hodajn të cilit i dha një shumë parash që t’ia dorëzonte babait të tij, Aqif Hasanbellit në Patos. Por, Marigleni nuk i dorëzoi paratë dhe më 4 gusht të vitit 2000 u vra në qytetin e Patosit. Në përplasjen me armë u plagos djali tjetër i familjes Hasanbelli, Geroni. Erion Hasanbelli u cilësua organizator i vrasjes.
Viktima ishte miku i ngushtë i Kasdandër Nogës. Për t’u hakmarrë, vetëm dy javë më pas, më 19 gusht të 2000, Kasandër Noga hyri në Sanatorium në Tiranë i shoqëruar nga Julian Çela. Aty ndodhej i shtruar Aqif Hasanbelli (babai i vëllezërve Hasanbelli) dhe Dritan Hajdini, shoku i Geronit. Me breshëri automatiku, i lanë të vdekur në vend. Ngjarja u njoh si “masakra e Sanatoriumit”.
Për të larë gjakun e babait, vëllezërit Geron dhe Erion Hasanbelli ekzekutuan Julian Çelën dhe plagosën rëndë Kasandër Nogën në Belgjikë në 2002. Geroni u strehua në Itali, por u arrestua në 2009-ën dhe u ekstradua në Shqipëri. Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës së Sanatoriumit u arrestua nga policia belge u ekstradua në Shqipëri. Mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm.
Geron Hasanbelli doli fillimisht i pafajshëm ndërsa vëllai i tij, Erioni u dënua me 25 vjet burg. Më pas Gjykata e Apelit e Vlorës e dënoi edhe Geronin me 14 vite burg, ndaj dhe ai u riarrestua. Pas disa vitesh vëllezërit Hasanbelli u liruan, por Noga i mbante nën mbikëqyrje. Në vitin 2022, Noga shtiu në qendër të Brukselit, por Erion Hasanbelli mbijetoi. Një vit më vonë Kasandër u vu sërish në pranga.
Nga qelia ai vendosi të ekzekutojë vëllezërit Hasanbelli dhe nipat e tyre. Për këtë pagoi Ilirian Feçin dhe vëllezërit Indrit e Gentjan Beqiraj. Por pas disa kohësh ata u tërhoqën nga frika, dhe për vrasjen Kasandër Noga dhe miku i tij Kevin Zeneli (Suçi) kontaktuan dy persona të tjerë, që ende nuk janë identifikuar.
Policia thotë se më 4 janar 2022, Kevin Zeneli dhe dy të panjohurit hapën zjarr drejt një lokali në Don Bosko. Synimi i tyre ishte vrasja e Geron Hasanbellit, por ata ngatërruan objektiv. I vrarë mbeti Erion Çela dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Tashmë në pranga për këtë ngjarje është vënë edhe Roland Ahmetsulaj. Ai akuzohet se ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e personave që ishin objektiv i atentatit.
Ai ka treguar se ka pasur njohje me Kevin Zenelin, i cili është ende në arrati. 36-vjeçari Ahmetsulaj ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen në Don Bosko. Megjithatë policia thotë se nga të dhënat e tabulateve dhe qelizave telefonike rezulton se Ahmetsulaj, ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka komunikuar me Kevin Zenelin. ©LAPSI.al