BallinaIntervistaKreu i degës nr.11 të PD Tiranë, Neritan Vladi: Koha të fitojmë...

Kreu i degës nr.11 të PD Tiranë, Neritan Vladi: Koha të fitojmë si alternativë e besueshme me Bashën kryeministër

INTERVISTA/Është koha të bashkohemi rreth PD krah aleatëve tanë strategjik SHBA-Britani e Madhe dhe BE. Gazment Bardhi dhe grupi i tij nuk u bashkuan sot, ata kanë qenë gjatë gjithë kohën me Rithemelimin grupimin antiamerikan. Çdo akt i tyre ka qenë dhe është në funksion të karriges dhe interesave të ngushta dhe demokratët nuk iu besojnë më

Partia Demokratike është në një proces zgjedhor të brendshëm. Ky proces po kryhet përpara se të zgjidhen kandidatët për deputetë me qëllim që degët të jenë gati për garën elektorale me kandidatët më të mirë. Në disa prej degëve duket se ka risi sa i përket drejtimit të tyre. Njëra prej degëve është e Njësisë Administrative nr.11 Tiranë, e njohur si Lapraka, ku në krye të saj ka ardhur një zotëri i nderuar që në të përditshmen e tij është histori suksesi dhe brenda vetes ka energjinë, pasionin që t’i çojë gjërat para, jo vetëm si dëshirë për të qenë i suksesshëm, por dhe si obligim ndaj atyre që i kanë besuar detyrën e shefit opozitar për Laprakën, një nga zonat e vjetra të Tiranës. Prej disa muajsh ishte komanduar nga kryetari i PD Lulzim Basha si kryetar dege, për të marrë më 6 shkurt 2024 bekimin dhe besimin e demokratëve të Njësisë nr.11 si kryetar i degës së Partisë Demokratike në Tiranë.
Quhet Neritan Vladi, me origjinë nga Lura e Dibrës, një qytetar me aftësi komunikuese në komunitet dhe kontribues për të, por dhe një njeri human njihet në rrethin e atyre më të cilët, punon, bashkëpunon apo jeton.
Në një intervistë për startnews.al kryetari i degës nr.11 të PD Tiranë Neritan Vladi komenton besimin që i dha anëtarësia, flet për situatën e krijuar nga 9 shtatori 2021 në PD, pa harruar t’i përgjigjet interesit tonë se si e sheh ai qeverisjen e Rilindjes dhe çfarë pret nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Zoti Vladi nga 6 shkurti anëtarësia ju ka zgjedhur si kryetar i PD për degën nr.11 Tiranë. Çfarë do të thotë ky votëbesim për ty?
Zgjedhja në krye të degës nr.11 të PD Tiranë e njohur si zona e Laprakës, veç gëzimit të momentit teksa konfirmohesh kur numërohen votat, është përgjegjësi e madhe ndaj atyre që të besojnë. Obligimi është i madh jo vetëm ndaj anëtarëve të PD që ushtruan të drejtën e votës, por dhe ndaj qytetarëve të cilët presin shumë nga opozita që të jetë një alternativë e besueshme qeverisëse.
Dua të falënderoj rivalen time në garë Laura Hoxha e cila me qytetarinë që e karakterizoi respektoi vullnetin e anëtarësisë, ndaj dua t’i shpreh mirënjohjen. Dua që të iu uroj të zgjedhurve në Kryesinë e re të degës nr.11 të PD Tiranë suksese në misionin dhe rrugëtimin tonë të përbashkët politik. Është një kryesi qëndrestarësh që përfaqëson më së miri komunitetet që jetojnë në zonën tonë.
Keni marr drejtimin lokal të opozitës në Njësinë nr.11 në një moment të vështirë për shumë nga rrethanat. Përse një vendim i tillë dhe cilat janë hapat që do të ndërmerrni për ringritjen e strukturave?
Është e vërtetë që ky nuk është momenti më i mirë, por sfidat më kanë pëlqyer dhe për nga eksperienca ato më kanë bërë më të fortë. Jam i vetëdijshëm për momentin  e vështirë politik që ndodhet PD sot, por ama mjaft premtues kur kemi parasysh faktin që pjesë e strukturave sot janë ata që në 33 vite vetëm kontribuonin dhe nuk kishin asnjë qasje në drejtim të partisë aq më keq në qeverisje sepse kjo nuk iu mundësohej nga ata që drejtimin në qeverisje dhe parti e kishin me tapi.
Sot i janë bashkuar dhe vazhdojnë të shtojnë radhët demokratët e ndershëm nga të gjitha shtresat dhe krahinat të cilët duan me shpirt ta shohin PD të fortë dhe alternativë qeverisëse si forca që do të zhvillojë Shqipërinë dhe integrojë në familjen e madhe Euroatlantike BE. Është pikërisht kjo çfarë kam konstatuar tek anëtarësia jonë e ndershme që më dha kurajo të përfshihem në politikë dhe jap më të mirën nga eksperienca ime e suksesit si qytetar në favor të PD.

Më konkretisht çfarë keni bërë me degën tuaj për riorganizimin e PD dhe si ka shkuar ky proces?
Puna për riorganizimin e PD në terren ka disa muaj që ka nisur dhe vazhdon dita-ditës për të ofruar pranë nesh sa më shumë demokratë të pakënaqur dhe shmangur ndër vite si dhe qytetarë të paangazhuar që duan të japin kontributin e tyre në politikë. Kjo punë vijon çdo ditë dhe do të jetë e pandalshme. Për avancimin e këtij procesi dua të falenderoj dhe të deleguarin dhe anëtarin e Kryesisë së PD Xhemal Gjunkshi, Sekretarin për Sigurinë Kombëtare dhe Koordinimin Euro-Atlantik i cili na është gjendur duke na dhënë ndihmën sa herë ia kemi kërkuar. Ajo që garantoj si kryetar dege është fakti që meritokracia është elementi kyç që do të vlerësohet dhe një gjë të tillë do të mbroj me forcë.
Më duhet të vlerësoj çdo qëndrestar të PD që në këto momente të vështira sepse e kanë mbajtur partinë të pa rrëzuar nga sulmet që iu kanë ardhur nga ata që vetëm i kanë marrë kësaj force politike në 33 vite dhe nuk i kanë patur sytë dhe vëmendjen nga demokratët e ndershëm atyre që iu kërkonin vetëm votat, por sytë nuk iua hidhnin dhe as telefonat nuk iua hapnin më pas çdo procesi elektoral. Është ky kontigjent që meriton falenderime për atë çfarë kanë dhënë për PD në çdo nivel strukture.
Si i keni parë zhvillimet në Partinë Demokratike pas 9 shtatorit të vitit 2021 dhe si e lexoni të ardhmen e forcës tuaj politike?
Partia Demokratike pas 9 shtatorit 2021 hyri në një kurs përplasjesh të brendshme krejt të panevojshme pas vendimit të kryetarit Basha për pezullimin e ish-kryetarit Berisha nga grupi parlamentar. Ishte kjo një kërkese e aleatëve pas shpalljes non grata të Berishës dhe rrugë tjetër nuk kishte sepse në të kundërt PD sipas meje rrezikonte mos ekzistencën. Një forcë politike që pretendon për të ardhur në pushtet asnjëherë nuk mundet ta arrijë në përplasje me aleatët tanë dhe veçanërisht SHBA. Këtë e kanë të qartë jo vetëm demokratët, por dhe shqiptarët. Pastaj nëse flasim për të ushtruar ndikimin si pasojë e pasjes së pushtetit për më shumë se 3 dekada, për ta përdorur dhe për të mbajtur peng opozitarizmin, kjo mund të ndodh përkohësisht, por do të ishte e turpshme dhe e pandershme për demokratët dhe kauzat opozitare në këtë vend. Pavarësisht asaj që ka ndodhur, tej çdo zhvillimi politik të brendshëm, sot Rithemelimi thjesht po xhiron bosh pasi rezultatet e produkteve elektorale kanë qenë zero dhe janë të izoluar ndërkombëtarisht. Nga ish lidershipi i PD mungon vullneti për të hapur rrugë ose dhënë zgjidhje situatës. Kujtojmë që Lulzim Basha e bëri një hap pas më 6 mars në kërkim të kësaj zgjidhje për të parë se nëse kjo ishte ajo që kërkohej realisht nga ishët e PD-së, apo donin të mbanin peng karriget dhe opozitarizmin. Rezultoi që Basha ka të drejtë.
Rithemelimi propagandoi me të madhe se do të ishte mbrojtës i votës së lirë, se nuk do të guxonte Rama ta prekte votën sepse do i priteshin duart, se do të ishin fitues të zgjedhjeve e plotë pseudo premtime, por ama asnjërën nuk e mbajtën. 14 maji ishte dëshmia më e qartë e katastrofës së tyre. PS i dërrmoi në zgjedhje, humbën bastionet si Kamza, Shkodra, Tropoja, dhe prapë me propagandën false vazhdojnë të premtojnë fitore dhe revolucione imagjinare, madje kësaj here me ca paterica që deri dje nuk linin gjë pa i thënë njëri-tjetrit. Bashkimin me Gaz Bardhin e shitën si hapje dhe forcim të strukturave të tyre. Po Gazi aty ishte, ky grup ka qenë gjithë kohën me Rithemelimin në urdhrat e tyre dhe për mua nuk do të ketë asnjë efekt elektoral.
Gaz Bardhi ishte gati t’i bashkohej nongratave që në drekën e firmës Uka përmes atij demonstrimi që bënë në publik, i shërbeu grupimit antiamerikan edhe në zgjedhjet e fundit vendore ku kërkoi që PD të mos përfaqësohej me kandidatë dhe t’i lihej fusha bosh Rithemelimit me vulën e Ilir Metës sikurse dhe ndodhi. Madje Gazi ka pranuar publikisht se ka bërë fushatë në Kavajë për Rithemelimin, e njëjta gjë ka ndodhur dhe në Kukës dhe nuk pati produkt bashkimi me ngjitje copash. Ata që gjasme janë bashkuar sot, bashkë ishin dhe dje. Atëherë ku është e reja këtu?!
Është skandaloze ama çfarë ka ndodhur mes tyre ku vetëm familjarët ende nuk kanë sharë, sepse ndaj njëri-tjetrit të fundit e kanë thënë, ndaj nuk kanë lënë vend që demokratët t’u besojnë më, por tashmë kanë vetëm hallin e një mandati deputeti nën strehën e Saliut!  Asnjëra nga palët si Rithemelimi ashtu dhe grupi i Gaz Bardhit nuk ka qenë të ndershëm me demokratët, janë përplasur deri në ekstrem (kujtojmë 8 janarin) dhe sot pa koherencë politike, pa kauza, pa asgjë, po na pajtohen gjasme, se duan të rihynë sërish në Parlament. Duan t’i marrin njerëzit për budallenj. Madje po të vësh re pjesa më e madhe e këtij grupi emër për emër, janë ata që iu kanë më shumë borxhe demokratëve!
Mendimi im është që Partia Demokratike duhet të ringrihet shëndetshëm. Pjesë e saj duhen thirrur të vijnë ata që kontribuan për këtë forcë politike dhe nuk u qasën as në dyert e saj sa herë u fitua pushteti. Duhet të integrojmë shtresën e ish të përndjekurve politikë që iu kemi një borxh të madh, ish-pronarët gjithashtu, shoqëria civile, pjesa e shoqërisë e cila është një masë e madhe njerëzish që nuk janë të angazhuar në politikë. Ne duhet të jemi shpresa e një Shqipërie ndryshe. Duke u shkëputur nga elementë të korruptuar që tashmë në këtë vendin tonë i njohin të gjithë i kemi bërë shërbimin më të mirë PD duke e rritur dhe ringritur fuqishëm. Duhet të intensifikojmë takimet me artistë, sportistë, mësues, mjekë, inxhinierë, gazetarë, profesorët dhe intelektualët e të gjitha fushave që nuk janë peng e dosjeve dhe tranzicionit 30-vjeçar për t’u kërkuar të vijnë e japin kontributin e tyre për PD, sot në opozitë dhe nesër në qeverisje. Edhe kjo rruga më e mirë dhe e sigurt që të jemi të besueshëm për shqiptarët. Kjo rrugë ka nisur, ka pengesat e veta, herë-herë hezitime për afrime, por që çdo ditë radhëve të PD po i bashkohet ky kontingjent që kërkon për të dhënë ndihmën për një vend më të zhvilluar dhe më të begatë dhe europian.
Si do ta konsideroni qeverisjen e PS që tashmë po ezauron tri mandate? A është gati PD me një alternativë të qartë që të fitojë besimin e shqiptarëve për qeverisje? Kujtojmë faktin që sikurse në 2021 nuk u fituan zgjedhjet edhe kur ishit të bashkuar, cila është pritshmëria që keni për garën elektorale të pas një viti, në 2025?
Për mua qeverisja e PS ka dështuar. Premtimet elektorale edhe sot e kësaj dite rezultojnë të pambajtura, veçse duhet thënë që mbi ato premtime sot Rilindja ka dhe zyrtarët me të lartë në burg ose hetime për korrupsion siç janë psh; koncesionet në shëndetësi.
Qytetarët e Laprakës sikurse çdo shqiptar sot janë më të varfër dhe më të pasigurt. Papunësia vazhdon një problem jo më i vogël, problemet me arsimin janë të shumta, shëndetësi po e po.
Raportet e DASH si dhe të tjera ndërkombëtare, por dhe statistikat e drejtësisë së re si SPAK, flasin për një qeverisje të korruptuar deri në qelizë, ndaj dhe na mbetet ne si opozitë që të vërtetojmë të kundërtën që kemi program, kapacitete intelektuale të papërlyera në zullumin 33 vjeçar për t’u kërkuar shqiptarëve votën dhe bazuar mbi një program të qartë të qeverisim për të çuar vendin drejt familjes së madhe europiane, Bashkimi Europian, aty ky ka qenë ëndërra e parealizuar e shqiptarëve që në 1990.

Zgjedhjet e vitit 2021 nuk u fituan nga PS, ato u vodhën. Kur Lulzim Basha deklaronte manipulimin e zgjedhjeve nga Rilindja këta punonin me propagandën e shplarë të tyre se gjasme ishin shitur dhe se me ta PD do të ishte fituese. Çfarë ndodhi dy vite më vonë. A i fituan zgjedhjet?! Kjo nuk ndodhi, por taborri i ish pushtetarëve të qeverisjes së PD mbajti dhe po tenton të mbaj peng opozitën.
Këtë gjë kryetari i PD Lulzim Basha e ka kuptuar dhe e ka bërë të qartë luftën pa kompromis ndaj korrupsionit. Basha ka kërkuar veting në politikë, që e vërteta të dal lakuriq për secilin që shkon para shqiptarëve për të kërkuar vota. Përkundër Rithemelimit dhe bardhgazistëve, Basha i ka dhënë mbështetje të pakompromis dhe pa kushte drejtësisë. Përballë një qeverisje super të korruptuar PD duhet të shkojë para  shqiptarëve si një alternativë e besueshme. Kjo po ndodh, po punohet dita-ditës që të arrihej kjo. Lulzim Basha ka garantuar që në qeverisjen e nesërme ndershmëria dhe devotshmëria në detyrën shtetërore do të jenë dy pikat më të forta të nëpunësit të shtetit pa harruar profesionalizimin që do vijë mbi meritokracinë. Shqipëria po përballet me ditë të vështira. Qytetarët kanë marr vrapin dhe po ikin, veçanërisht të rinjtë dhe kjo është një kambanë jo e vogël alarmi. Ndaj kryetari Basha në qendër të vëmendjes ka rininë që e ka ftuar t’i bashkohen PD  për të dhënë kontributin e tyre dhe marrë në dorë fatet e vendit.
Gjërat janë të qarta, shqiptarët janë përballë dy alternativash një klase politike e njohur si ”Trekëndëshi i Bermundës” që kërkon të ruaj favoret dhe privilegjet, pasuritë e vëna me të padrejtë dhe PD e drejtuar nga Lulzim Basha që kërkon një Shqipëri pjesë të Bashkimit Europian bazuar mbi vlera dhe meritokraci. Është koha që të triumfojnë vlerat pas 33 vitesh dhe me Lulzim bashën Kryeministër Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar sepse i ka të gjitha potenciale ekonomike dhe intelektuale.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular