Nga Hajri Mandri
MËSUESIT TË LETËRSISË
(Duke kujtuar ish mësuesin Q.P.)
Kur shkoj në vendlindje, shfaqet si mirazh,
Si kartolinë, befason Peshkopia-qytet
Fanitet pezull, mbi qytet një imazh
Me fytyrë të qeshur, i yti portret.
Tre orë rrugë, këpucët pika balte,
Hyja në gjimnaz, ora e letërsisë,
Me fjalët letrare – hoje mjalte,
Më fute në shtjellën e poezisë.
Fillova të rritem të shkruaj vargje
I vogël unë, gjimnazi madhështor
Kur pashë një ditë, nxënësit grumbulluar
Lexonin vargjet e mia në koridor.
Hyjni m’u duke, mësuesi im
M’u duk se fati më mori për dore.
Më mori më çoj n’qytete të mëdha
Ku zjente jeta kulturore.
…Imazhi yt e fytyra e qeshur
Në cep të kujtesës më mbeti prore.
Sa herë kaloj bulevardit të blirtë
E përshëndetem me njerëz në trotuare
Në kujtesë, mes tyre, shfaqesh i hirtë
Me baluke të zeza e kollare.
Kur dëgjoj dibranët që krenarisht thonë:
“Më ka dhënë mësim Qani Përtafi!”
Po t’i nis këto vargje në atë botë
Lule rikujtimi dhe mesazhi.
H. Mandri. 7 mars 2024