BallinaAktualitetDitëlindja e Sarandës, Manastiri i “40 Shenjtorëve”

Ditëlindja e Sarandës, Manastiri i “40 Shenjtorëve”

Nga Josif Papagjoni
…Ah, Saranda, qyteti im i lindjes, më 9 mars ti ke ditëlindjen e “dytë”, pas Onhezmit si themelitë e tua! Ti je i bekuar nga 40 shenjtorët aty sipër manastirit. Prej tyre e more emrin “40 SHENJTORËT” (në greqisht “Ajios Saranda”). Ke në gurin e themelit një histori ngjethëse: martirizimin dhe madhështinë për epokën e re që po lindte. Me këtë akuarel të bukur të Lefter Çekos për 40 shenjtorët, dua të përshëndes këdo.
Qenë ata 40 ushtarët romakë të ushtrisë së Licinues në vitin 320, që nuk e refuzuan Krishtin dhe krishtërimin atje larg, në Armeni, duke u mbytur që të dyzetët në ujin e ftohtë akull si ndëshkim prej një kuestori të pamëshirshëm! Por vdekja e tyre u bë jetë dhe përjetësi. Kulti i tyre u përhap si vetëtima në gjithë Mesdheun lindor. Kockat u kthyen në relikte dhe u mbajtën në Kostandinopol e Caesarea. Ato u bënë objekte pelegrinazhi për të krishterët në kohën e perandorit Justinian (527-565). Kronikani i këtij perandori të madh bizantin me origjinë ilire, Procopius, tregonte se si ai ishte shëruar nga një seri infeksionesh të lëkurës teksa këmba i kish prekur padashur eshtrat e 40 shenjtorëve, të cilat porsa qenë zbuluar. Ç’ishte ajo mrekulli ashtu?! Ai kishte lënguar aq shumë nga ajo këmbë e mallkuar dhe shpesh çalonte! Këta janë njerëz të Zotit, mendoi perandori. Dhe porositi që 40 martirët kisha t’i fuste në gjirin e saj. Që aty nisi edhe zanafilla e pagëzimit të qytetit të Sarandës, “40 shenjtorët” (Ajios Saranda).

9 Marsi duhet të jetë një ditë pelegrinazhi për qytetin, duhet të “shenjtërohet” si kujtesë dhe krenari në brezat e rinj, të organizohen rituale festive masive. Krejt ato rrënoja të sotme të manastirit të “40 shenjtorëve” duhet të kthehen pak nga pak në një pikë të fortë turistike, e cila bart një histori të jashtëzakonshme, jo thjesht të krishtërimit, por të qytetit dhe ekzistencës së tij. 9 marsi duhet të falë gëzime, krenari dhe festë për qytetarët e saj.
Kam shkuar disa herë tek ato rrënoja të Manastirit të 40 shenjtorëve të Sebastit mu në majë të malit. Manastirin e kishte pagëzuar me këtë emër crusader Benedict i Petërburgut të Rusisë në shekullin e XII. Tek ai vend qe një bazilikë tre nefëshe dhe dy radhë kolonash. Të mrekullonte struktura, dyshemeja me pllaka të zbukuruara, copëra mozaikësh, gurë të gdhendur, qelat e murgjëve të futura në gjirin e tokës, një nga manastiret më të mëdhenj të kohës prej ku vinin pelegrinë nga gjithë vendet përreth e më tutje, duke kapërcyer male e dete.
Sa të vonuar jemi! Teksa bota mburret për gjëra shumë më të vogla, ne s’po bëjmë asgjë. Rrënojat e kësaj bazilike qenë publikuar së pari nga arkeologu italian Luigi Maria Ugolini më 1920. Ai pat thënë se bazilika e “40 shenjtorëve” në Sarandë ishte më e bukura nga gjithë kishat që kishte vizituar në Shqipëri. Në vitin 1938 historiani danez Ejnar Dyggve kishte bërë edhe gentplanin e manastirit të martirëve me një nave të vetme e të gjerë, një heptaconch me shtatë kënde konike, një kolonë kryesore mbajtëse në lindje dhe tri kënde mbajtëse anësore ndërtuar nëpër mure. Komunikimi nga jashtë brenda dhe brenda për brenda ishte i zgjidhur përmes një strukture solide. Më kanë mbetur në mendje ato rrënoja. Tek shkoja me babanë rrugës nga Shën Vasili për në Sarandë, kur isha i vogël, me qëllim që t’i binim shkurt, i hipnim malit nga Qafa e Hamalloit. Kur i afroheshim manastirit syri kishte një fushëpamje të jashtëzakonshme, shihje krejt ngushticën e Korfuzit dhe pamja shkonte tutje drejt Siqilisë. Bazilika u bombardua nga anglezët gjatë Luftës II Botërore, ndërsa rrënojat e saj u kthyen në një bazë ushtarake gjatë komunizmit, gjer në vitin 1997.
Shpesh mendoj: Pse jemi kaq të vonuar për ta shndërruar këtë vend të bekuar në një pelegrinazh jo vetëm fetar, por turistik më së pari, që ka në vetvete një kureshtjeje të madhe? Kjo kërkon promovime të shumëfishta përmes librave, posterave, bisedave në televizioni, programeve qeveritare e bashkiake, organizimit të ritualeve shëtitëse e njohëse me rininë shkollore e më gjerë, aktivitete artistike e sportive etj, etj. Pikërisht ai vend aty, Manastiri i 40 shenjtorëve, është pergamena e lashtë e qytetit, e vetë Onhezmit të dikurshëm; aty është asociacioni i historisë së lashtë të qytetit tonë si për të dëgjuar frymën e murgjve, që këndonin në psalmet e tyre martirizimin e 40 shenjtorëve, ata që i patën dhënë emrin. Psalme të Jan Kukuzelit. E kush nga sarandiotët nuk do të donte që ai manastir e ajo bazilikë të ringrihej siç pat qenë, sepse do të ishte një vlerë e shtuar e qytetit. Ndofta nesër, një mendje e kthjellët dhe një vullnet rindërtues do ta bënte mepatjetër këtë gjë. Në majën e malit tjetër përbri Manastirit është Kështjella e Lëkurësit, ndërtuar më 1537. Tashmë aty bujtin në sezonin veror e më tej me mijëra vetë, që argëtohen falë urbanizimit të saj. Mendoni sa bukur, sa përplotësuese dhe sa me leverdi do të jetë nesër, kur edhe mali tjetër ku fle Manastiri i rrënuar, të ringrihet si zogu Fenix në një resort turistik, doemos me një dhomë muze për historinë e tij, aty ku nis udha e emrit të qytetit tonë…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular