BallinaTe tjeraDëshmia e panjohur e legjendës së këngës vlonjate: Për ‘biografi të keqe’,...

Dëshmia e panjohur e legjendës së këngës vlonjate: Për ‘biografi të keqe’, më hoqën nga estrada e më dërguan…

Nga Gëzim Llojdia   

Në përmasat e kohës, kur erdhi në jetë, trio-vlonjate u gjet në një terren të përshtatshëm, gati “prush e flakë” mund të quhet në gjuhën vendase. Një “kohë e urie”, për shpirtin varfanjak, ndihej për këngën qytetare vlonjate. Këngën popullore qytetare të këtij lloji, shoqëruar me instrumente popullor, që u përhap dhe rrugë nisi me të vërtetë një traditë të bukur. Ishte llohë dimri, gjithsesi nuk mbetej shumë përcaktuese stinë ardhja. Rëndësi përbënë, që në jetën e këngës popullore shqiptare u shfaq, lindi ose erdhi trio vlonjate, një grup solid, me zëra harmonik, grup brilant me tre vetë përbërësit e saj. Ardhja e saj është si kohë pritja e zonjës mëmë për të birin, si malli i nuses për burrin, malli i të atit për fëmijën.

Koha e trios vlonjate, është në vitet ’70-të. Një çerek shekulli më parë në qytetin bregdetar, në sallën e estradës u lind një grup i vogël brilant, i emërtuar thjeshtë dhe qartazi: “trio vlonjate”, por në thelb nënkuptonte treshen e një grupi popullor të këngës qytetare, me protagonist: Meliha Doda, Konstandin Thana, Reshat Osmani. A ndihet sot, silueta e trios vlonjate në këtë kohë rroku e gjithfarë rryme muzikore? Specialistët shprehen se; triot nuk para vijnë shpesh, si punë yllnajash, vijnë e sjellin ndriçimin e tyre, zhduken. Në të vërtetë edhe poezia, kënga pra ai frymëzimi, një burim e kanë prej andej nga qiell-hapësira e pamatshme.

Ndoshta ajo nuk erdhi me të qara me zhurmë si çdo ardhje në jetën tonë, por e ëmbël, e ngrohtë, befasuese, frymëzuese. Kështu e përcaktojnë bashkëkohësit e saj, ardhjen e këtij grupi si dhe të tjerave të këngës shqiptare të muzikës popullore. 30 vjet pas kohës së trios vlonjate, Bashkia e qytetit ka hedhur në letër një ide brilante. Duke rikthyer në mëndje trion vlonjate dhe muzikën popullore, sot ka një shpërfytyrim të këngës popullore, por jo në të gjitha rastet, por në të shumtën e gjërave, kënga e këtij lloji mbërrin me rrëmujë e, zhurma herë e kopjuar nga fqinjët e, herë e vjedhur diku më larg, por sa dhimbje ndjen, o Zot sa nervozë bëhesh kur shpirti që kërkon muzikën e bukur, tabanin e tij po rrëshqet, më ankohej një kompozitor i këtij qyteti.

Risit dhe traditat që po ndryshojnë kaq befasisht e çmendurisht, po shembet përpara teje, si një ngrehinë e tërë, shkrumb e hi, ajo pjesë e asaj gjenerate, që sollën mbeten të papërsëritshëm, ato këngë, melodi plot nur e hire, ëmbëlsisht si mjalti, bukurisht si bukuria, që nuk dihej nga cili element i shpirtit krijues, ishin krijuar muzikalisht, duken se s’po na mbrinë siç i prisnim vetëm të sjellura e të përpunuara pa origjinalitet.

35 vjet më parë

Kështu 50 vite më parë, nën grinë e qytetit detar, nën erën e jodit, por pa e ndryshuar grafikën e ekzistencës së tij, u ngjiz një grup muzikor, i vetmi me tre pjesëmarrës të zgjedhur. Ishte trio vlonjate, lindur mes lotëve, melodive dhe poezisë së bukurisë. 50 vjet më parë, ”diagrami i grupeve muzikor”, pësoi një lëvizje jashtë të zakonshmes, ishte tregues domethënës, për shpirtra, që hapësira kërkonin, a ndoshta më bëhet ta quaj një soj eklipsi, por i hënës muzikore!

Tre emra të një grupi si trio vlonjate. Meliha, Konstandin, Reshat. Në një segmentim të këtij grupi gjejmë, dy zëra burri dhe të një zë femre. Një kombinim i gjetur lehtësisht në tabanin e popullit, në folkun labë. Mbi këtë gjurmë u muar referimi rreth një pike të vetme. Trio vlonjate erdhi, jetoi ndoshta mbi 30 vjet, rrugë e ngjeshur. U shfaq si vegim boreal tek ne, por ende e pazbuluar mbetet qëndrueshmëria e këngëve të tij, këngët e të cilit, po bëhen burim në këtë kohë për këngëtarët rinj.

Po përpunojnë tharmin thua?! Por deri më sot nuk ka asnjë këngëtarë a grup nga këta të sotmit të zhurmës, që të ketë bukurin e trios dhe ëmbëlsinë e zërit të Meliha Dodës. Por në të ardhmen, se përjashtojmë këtë mundësi. Ndonëse trio po furnizon ritmikisht këngëtarët e sotëm, që kanë marrë dhe po marrin këngë të trios vlonjate, për repertorin e tyre.

Konstelacioni i yjeve këngëtarë

Në kostelacionin e yjeve këngëtarëve popullor, Meliha Dodën, pa frikë do ta quaja një yll-najë të ndritshëm. Një gur i trios vlonjates, përmban më tepër një lartësi në murin e ngritur nga këngëtarët e këngës popullore qytetare. Meliha Doda, këngëtarja e këngës popullore qytetare, më e adhuruara për 30 vjet në muzikën popullore, më ka pritur në apartamentin e saj, pranë sahatit të lashtë në qendër të qytetit ishte e vetmja artiste e këtij grupi artistik popullor qytetar që, gjendej në qytetin e saj, ajo shua shumë vite më vonë.

Këtë intervistë e ruaj të veçantë. Reshati, artisti dhe kompozitori i këtij grupi të veçantë, është shuar kohë më parë. Ndërsa Konstandini, më ngjanë se është jashtë vendit në mërgim. Meli siç e thërrasin “bukurinë e këngëve vlonjate”, ruan po atë timbër zëri, si në rininë e këngëve të saj. Melihaja është këngëtarja e këngës himn të Vlorës ”Aromë portokalli”, melodinë e saj dikur e dëgjoje aksioneve të rinisë në shpyllëzimet masive, në hekurudhat kur hapej trase më e re e ndonjë udhë hekuri, tek gjimnazistët që thurnin vargëzime dashurie përmbi tekstin e saj: “Ngrije kokën lartë moj se më mori malli/ vinte gusha jote moj, aromë portokalli…”! Në të vërtetë ishte një këngë lirike. Përmbante vargje të thjeshtë, dhe një melodi të kapshme shpejt: “Nënë portokalle moj, ç’të ndala unë ty’/lulet e limonit moj ç’të binin në sy…”!

Në dasma, përpara vellos së nuses, gjitoni i këndonte, dashurisë ndërsa dhomëzat e vogla mbusheshin me tingujt, me shpërthimin: “Ngrije kokën lartë moj se më mori malli….aromë portokalli”. Me këtë këngë fillonte, përvijonte, mbyllej një dasmë këtu në jug, në shtëpitë qytetare, por edhe sot është pikërisht kështu.

Kënga e shtegtarëve të panjohur

Ka një aksiomë të hershme, që thotë, kur u linda unë se pyeta botën, ose…etj., etj. Por Meliha Doda, një ndër yjet e këtij grupi muzikor, e rrëfen disi më ndryshe: “Kam ardhur në jetë në kryeqytetin e vendit. Jam lindur në 1933, në Tiranë. Origjina ime vjen nga Kosova. Nga qyteti, ku formua lidhja e dëgjuar e shqiptarëve në Prizren. Prindërit e mi kanë zbritur nga Kosova aty rreth viteve ’30-të. Kemi banuar në Tiranë, ku kemi patur një shtëpi. Nëna ishte një malësore fisnike nga Dibra e Madhe, nga fisi Shehrit. Germat e para të shqipes i kam mësuar tek shkolla “Avni Rustemi”. Atëherë ishte një sistem 7-vjeçarë. Deri në vitin e dytë të 7-vjeçares qëndrova në Tiranë”.

Rrokullisje të pafata ose ndarja përmes dhimbjes

Në jug, rrëfimet njerëzia i fillon të lidhura me historinë e vendit tënd. Edhe rrëfimi i Melihas, ndoqi pikërisht këtë shtrat: “Babai im antifashist, i tronditur nga dhimbja e pushtimit të vendit, së bashku me xhaxhanë, u internuan nga gjermanët. Xhaxhai im, Xhevdet Doda, është “Dëshmor i atdheut”, i cili nuk u shpëtoi dot tmerreve të kampeve të përqendrimit nazist. Nga ai ferr i çmendur, shpëtoi gjallë vetëm im atë. Babai shkoi në Kosovë. Mbasi Shqipëria u prish me Jugosllavinë, ku gjendeshin padrejtësisht trojet e shqiptarëve, pas ”kirurgjisë së pamëshirshme” të fillim shekullit, babai shkoi andej, ne mbetëm këtej, unë dhe nëna ime. Është e vështirë të përshkruash një dhimbje të dyfishtë”.

Zemra të lënduara

Gjurmët nëpër të cilat rrodhi jeta e këngëtares janë të lexueshme, por ajo shton: “Të vetmit, që u bënë strehë ishin njerëzit tanë në Tiranë, por edhe aty gjërat shpejt do të ndryshonin. Tashmë koncepti i lëvizjes shoqërore, prek fëmijërinë time. Aty rreth viteve ’47-të, të afërmit tanë, xhaxhai, dajot, i nxorën nga kryeqyteti si familje të mëdha tregtare, duke i larguar për të mos u kthyer dot më. Më nënën shkuam në Shkodër, kishim një mbështetje. Aty përfundova të mesmen tek “Shejnaze Juka”. Në 1952 mora emërimin në viset jugore”.

Qyteti me aromë portokaj

Një rrugëtim i panjohur për në jug të vendit, ka zanafillën e ardhjes së këngëtares drejt viseve jugore. “Isha e tmerruar, ndërsa kthenim nëpër duart fletët. Atje lexohej: mësuese fshati Piqeras. Nuk e di as sot ku bie, por e di, që është në bregdetin e Sarandës. Ndihej po aq e dëshpëruar edhe nëna ime. Rrugëtimi u krye, por ne “ngecëm” në Vlorë, në gjysëm të rrugës. Qyteti jugor u bë pas kësaj streha ime e përhershme. Ishte viti 1952. Në këto rrethana, qytetin me aromën e portokajve, e njoha. Qëndrova 4 muaj pa punë.

Gdhiheshim ngryseshim të vetmuara me një kosh plaçkash në dyert e hotel “Sazanit”. Filluam të na shfaqen vështirësitë e mëdha financiare, sepse rronim me ndihmën që na dërgonin dajallarët. Gjithë ato ditë na u kthyen në ankth. E provova se nuk ia dilnim dot më. Sa për jetën, ishte shkruar të hiqnim kështu, vuajtje pa fund. Paratë po shkonin çdo ditë, ndërsa nëna ime sëmurej vazhdimisht. Nuk deshëm të shkonim më larg, të paktën në ato rrethana, që gjendeshin. Ishte një tmerr. As rastësia nuk mund të na sillte dot asgjë për momentin. Ashtu e brengosur për të mos u larguar më nga ky qytet, por duke ndjerë një fije shprese shkova tek shtëpia e kulturës. Aty, ku takova Themistokli Monen, kënga më hyri si ai i ftohti deri në thellësi të shpirtit.

Përgjithësisht, unë vij nga një familje muzikantësh. Halla ruante një freski për këngën. Gjyshi i binte, dajres, xhaxhai violinës, ndërsa babai mandolinës. Kjo është një vegël muzikore që përdoret në trevat e Kosovës. Por, që kur isha tek “Shejnaze Juka”, isha evidentuar si këngëtare. Zëri më buronte të paktën pa ndalesë, ishte i kthjellët. Në Shkodër, kur isha gjimnaziste, kisha kënduar me Simon Gjonin, një kompozitor i dëgjuar nga Shkodra. Porfesor Liu, arriti t’i kapë të gjitha vuajtjet dhe përjetimet e mia. Do të këndoj i thashë, sepse më duhet të jetoj. Profesor Liu, më ndihmoi kur me nënën time gjendesha në pikë të hallit.

Ai u kujdes që të sistemohesha mësuese tek shkolla ”1 Maji”. Isha 19 vjeç dhe sido dhe çfarëdo që këndoja, ndonëse me një brishtësi çupëline, më afruan në këtë qytet. Punova si mësues tek shkolla Nr.1 dhe 2. Gjatë kësaj kohe jam aktivizuar shumë. Zëri ishte kristalizuar. Më ofruan vend që ditën kur estrada e qytetit u formua. Kjo ishte edhe familja ime e parë. Ndiheshim të çliruar brenda bërthamës së parë. Estrada e Vlorës, u formua me 15 vetë. Me mundim dhe këmbëngulje artistësh, M. Ferra, G. Vishi, V. Panozaqi, P. Sava, E. Shtrepi, M. Lako, bënë një estradë, që t’i ndihet zëri shumë, por jo vetëm brenda këtij qyteti.

Krijesa e papërsëritshme popullore-trio vlonjate

Identifikuar në këtë qytet, në muzikën e tij qytetare. A se keni dëgjuar trion e famshme vlonjate, trion e Konstadinit, Melihas dhe Reshatit? Ishte një formë e të kënduarit prej tre vetësh, lebrëit, kur bëheshin tre këndonin, ndryshe s’kishin ç’të bënin. Dukati nxori një mënyrë të kënduari me trio polifonike. Kjo traditë që është gjurmuar nga Themistokliu, ndoshta i ka rënë në vesh në fshatrat e Labërisë burimi mbetet i paidentifikuar, mënyrën më të mirë, të thjeshtë, të shkurtër, pra koncize të këngës qytetare, prej tre vetësh që do të sillte në skenë suksesin dhe ndoshta kjo, ka qenë edhe një mënyrë për të provuar, mënyrë që do të rezultonte për kohën ngjitja në lartësi të paarritshme dhe të padiskutueshme muzikore. Rrëfimi për gjetjen e kësaj mënyre, Meliha e ka bërë kështu:

“Themistokli Mone, me dimensionet e një artisti, me sytë, me mendjen në skenë, nxori ‘Dasmën vlonjate’. Ishte kënga e të gjitha zonave si Kanina, Lumi i Vlorës, ‘Bilbili’. Mbas ‘Dasmës vlonjate, u pikëzua grupi. Treshja ishte Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe unë. Trioja vlonjate u ndërtua e atillë, dy burra ishin marrësi dhe një lloj hedhësi të këngës, unë isha zëri i gruas. Pra, ishte një formë e këngës popullore me konture të grupit lab. Trioja vlonjate, ishte forma e parë në atë kohë. Pas nesh, nxori Gjirokastra dhe Lushnja. Trioja vlonjate në ditën e saj të formimit, përbëhej nga mosha më e re e këngës. Reshati ishte 25 vjeç, Kostandini 26, unë 22 vjeçe

Janë provuar trio të tjera, që nuk u ngjitën dot tek trio vlonjate

Rreth 10 vjet më parë, kontaktova me drejtuesit e Pallatit të Kulturës “Labëria”, të cilët më thanë: “Trio vlonjate, janë provuar disa, të paktën 4-5 të tilla, por të gjitha hamëndësit janë shuar, duke sjellur veçse dëshpërim. Në çdo festival qyteti dhe të rretheve, ne kemi nxjerr trio vlonjate, kështu emetohen kjo mënyrë e të kënduarit nga tre vetë, shprehen drejtuesit e këtij pallati kemi dërguar trio vlonjate, por ato nuk kanë rezultuar kaq të suksesshme sa trio e pavdekshme e Melihas, Konstandinit dhe Reshatit.

Janë bërë madje përpjekje për të ri ngritur këtë degë të folkut, por realiteti ka rezultuar se ka qenë i pamëshirshëm, trio janë harruar menjëherë, ose këto trio kanë kopjuar këngët e trios së famshme dhe dihet, që kopja nuk mbahet mend, përpara origjinalitetit, finesës, bukurisë, dhe ëmbëlsisë së këngëve qytetare vlonjate që krijoi trion e parë në vend. Ndoshta thonë specialistët, kjo trio kishte vendin e saj dhe kohën e saj, kur kapi lartësitë e saj. Përmallshëm është pritur si retë e shiut, apo vrapi i erës në pranverë, trio por ato asnjëherë nuk shpresojnë në ato përmasa të trio së parë vlonjate.

Në çdo fest-folku është tentuar, kemi dërguar trio, – më shpjegoi drejtuesi, – publiku e priste atë si deti pulëbardhë, brigjet valët dëshmitare, por trio e kësaj kohe nuk u ngjitet më. Koha e saj ishte një brazdë vitesh, që pati si kubaturë, lindjen, pikën e suksesit, ashtu siç pret minuti – minutën, trio filloi me vitet ’80-të, moshën dhe ndjeu shpërbërjen. Në hapësirat e folkut, ajo ishte pjesa më e kthjelluar, shenjë e veçantisë së këtij folku qytetar. Në gjelbërimin e këngëve, le të cilësohet tërfili me katër fletë më i veçanti. Në bukurin e saj me yjet, meteor kënge”.

Çasti i përhumbjes hyjnore ose magjia shpirtërore

Pas lindjes së idesë erdhi krijesa e parë e ngjizur në pentagrame muzikore. Shfaqjen e këngës së parë të trios, Meliha e sjell në kujtesë se: “Kënga e parë e trios vlonjate, është: ‘Ku këndojnë zogat o’. Është një këngë me një vijë melodike të mrekullueshme. Burimi i saj ishte marrë nga fshati mbi qytet me traditë dhe histori, Kaninë”.

Gjurmuesi e kërkuesi, Reshati

Por promotori i trios ishte Reshati. Reshat Osmani, në pjesën më të madhe ishte gjurmues, kërkues melodish e motivesh nëpër fshatra ku gjendej tabani i këngës, që ishte ngjizur kaq hershëm në mëndje e njerëzve që, e kishin ruajtur brenda shpirtit. Melihaja e përshkruan në këtë mënyrë: “Ai bridhte fshatrave me ditë, gërmonte me pasion. Këngët që ai gjente i merrte, i përpunonte në orkestrën popullore, karakteristikë për trion vlonjate. Dhe nuk janë pak këto këngë të trios vlonjate. Ai ka zbuluar këtë thesar. Pritja e mrekullueshme e trios, na i shtoi dëshirën për këtë gjetje. Filluam të bëjmë turne, madje për herë të parë si do të pritej. Njerëzit kurioz, pyesnin tek autobusi: Ka ardhur trioja vlonjate”?

Këngët e trios në stepat ruse

Në stepa, muzgu përthithte shiun që rigonte. Meliha mbanë mend koncertet në ish-republikat ruse të Bashkimin Sovjetik. “Në vitin 1957, na dërguan në Bashkimin Sovjetik, në një koncert në Festivalin e Moskës. Aty morëm çmimin e tretë. Këngët e trios nën atë qetësi të stepave ruse, ishin një magjepsje. Ne bëmë turne nëpër Bashkimin Sovjetik, ishin tepër melodioze këngët tona, s’kishin ftohtësinë e perëndimit të largët të stepave. Këngët ishin: ‘Hajde moj kumbull vlonjate’, ‘Vajza myzeqare’.

Kur u hap për herë të parë festivali i këngës në fundvitin 1961, këndova dy këngë. ‘Këndoj’, ishte një kompozim i Avni Mulës dhe kënga ‘Vashëzo’ e N.Uçit. Shtypi bëri vlerësime të rëndësishme. Më quajtën fillimisht si Milva e Italisë. Në vitin 1964, u ftuam në Festivalin e Mesdheut në Egjipt. Aty na dhanë çmimin e dytë, si dhe na bënë turne në Algjeri e Marok. Mbasi trio mori këtë famë, fillova të mbaj edhe peshën më të madhe të estradës. Kompozitori im ishte Reshat Osmani”.

Ngasje shpirtërore

“Deri në vitin 1968, isha këngëtare profesioniste në estradë. Por 4 vjet pas martesës, më hoqën nga estrada dhe më dërguan mësuese tek shkolla ‘Teli Ndini’. Dridhesha nga ankthi, por frika për të mos u kthyer më trembte, gjithçka ishte e ngritur si ajo shtëpia dhe mund të prishej”.

Zëri magjiplotë

Një zë i bukur kumbues i buruar, i latur në jug, ishte zëri i Melihas. Në rrëfimin e sjellur me kujdes nga këngëtarja e famshme, tashmë e moshuar Meliha Doda. Ndoshta sillet një kohë që i ka lejuar vetes kapërcimin e hapësirave, mundësive të saj. Ka edhe një paradoks tipik shqiptar, që shfaqej rëndëshm në kohën e shkuar. Sa më i famshëm të jesh, aq më poshtë të rrëzojnë, sepse nuk ishte e vështirë për të rrëmuar nëpër biografitë dhe dosjet për të gjetur misterin e fshehur që do të sillte gjëmën. Melihaja, e kujton kështu atë kohë:

“Përnatë shkoja dhe këndoja në estradë. Suksesin e kisha të garantuar. Madje regjisorët, për këtë arsye më linin në fund. Zihesha me ata, më vendosnin në fillim, nesër do të shkoj në punë dhe ne darkë do të jem këtu. Estrada jepte shfaqje çdo natë, me përjashtim të së hënës. Në çdo premierë kam marrë pjesë Kam kënduar edhe tetë muajshe shtatzënë, aq sa gjinekologu që u ndodh në sallë, thirri: Ik, ik, se ndryshe fëmijën do na i bësh në sallë.

Dhe kur prisja një rikthim, më hoqën fare nga shkolla. Më dërguan edukatore tek kopshti i shkollës “Naim Frashëri”. Deri sa dola në pension, aty punove. Kur shkoja nëpër turne, më quanin profesioniste, nuk e dinin se ç’mundim hiqja, e kisha zemrën copë-copë nga dëshpërimi. Trio vlonjate u zbeh aty nga vitet ’83. Ishte koha e pensioneve, mosha e la këngën. Por e thënë ndryshe nga kjo trio, kush me shpirt, kush me vullnet, e mbanin ndezur.

Në takimin koncert të këngës në Vlorë, me këngëtarët më të mirë, divat ishin: Vaçe Zela dhe Qemal Kërtusha. Ishte një rivalitet i fortë. Nuk po gjeja qetësi, sepse më kishin vendosur pas Vaçes. Dridhesha se, pas çmimit të Vaçes, çdo këngë e jona do të tingëllonte e zbehtë. Ti do të dalësh, më thanë, se të do populli. Ishte e bindur salla, se ishte këngë e mirë, që më priti. Unë përpiqesha të gjeja, këngët që i donte populli”.

Zbardhja e mëngjesit-pjesa e shifruar e ëndrrës

Trio në vitet ’90-të, nuk i përngjiste shprehjes “e vdekur por e pakallur”, por sa më tepër thërrmoheshin vitet, trio ndizej më shumë me shkëlqimin, bëhej më e bukur, ndriste si nuri dhe bëhej më tepër e kërkueshme. I përngjiste floririt, që sa më shumë e rrahin llohërat, më i bukur dhe më tepër ndriçim sillte. Trio vlonjate, përmbante elementë të këtij floriri muzikor qytetar.

“Me shpresë si të gjithë shqiptarët e tjerë. I prita ndryshimet siç pret një i verbër dritën. Ne shpesh themi: Nuk dashka qorri dritën? Në kohën e ndryshimeve pas viteve ’90-të, këngët tona filluan të dalin edhe jashtë. Pati një ‘oreks’ në tregun e kasetave. Sot, gëzohem si fëmijë kur dalë në rrugë e më thonë: Më duhet një kasetë e jotja, ma kërkon vajza në Amerikë, a gjetkë. Por këto vitet e fundit gjendja ka ndryshuar”.

Përkarshi nektarit të hënës

E kanë pikasur në ëndrrën e thellë. Përveçse kanë zgjuar dëshirën për t’u bërë të famshme. Lotin e fundit e kanë ndjerë në shpirt. Thellësisht kanë lëshuar britmën: “Jam bërë e famshme”! Kanë ecur nëpër “monopatin e vështirë” të trios, zërin e tyre, këngët e tyre i kanë marrë, për të arrirë lartësit e trios. Kanë ndjerë, zemra të lodhura, ëndrra të netëve të këqija. Por ka vijuar rrugëtimin i tyre, këmbëngulës dhe i çuditshëm. Shpirti i saj i lodhur mundi t’i afrohej, por përveçse oqeanin e lotëve të saj, trio ishte në kaq distancë, në ç’largësi.

Ka përvijuar një traditë në muzikën qytetare të Vlorës ku këngëtarët, që erdhën pas trios, u munduan të përvetësonin embrionin e trios, por rrënjët e saj tashmë ndjeheshin të thara. Një grup këngëtarësh, sipas kohës: Kleopatra Skarço, Milika, Anita Bitri (e shuar në Amerikë tragjikisht), Ludmilla Baballëku, Aurela Gaçe, por dhe së fundi brezi i vajzurinave, çupëlinave të këtij qyteti, që janë futur disi ndryshe tek turbo-folku. Po sjellin lulëzimin, duan të shprehen, por këngët e tyre janë gjethe të shkëputura nga lulet e trios vlonjate dhe folkut shqiptar.

“Poni”, një emër i shkurtëzuar, Mariola, guxoi t’u merte një grupi folku “Gollovarin” e rrëmbeu paksa, vetes i tha “Fluturo me mua”. Silva Gunbardhi, me: “plakun dhe plakën çu zunë”, bëjnë rrugëtimin e tyre për të gjetur pakëz vend tek piedestali i Melihas, por me ‘cd’ në dorë një ditë, larg çdo përfytyrimi koha do ti gjejë të mos kujtuara. “U plake mike, u plake,” thotë një vargëzim folku, e shkruara me laps, fshihet. Tabani ynë i papërsëritshëm mbetet bukurisht i bukur.

Kopjuesit varfërisht të varfër. Në distancë janë si hemisferat në glob, nga ekuatori i këngës, do të jenë të ndarë, por të larguar njëqindfish, një ditë si ditët e tjera të tranzicionit shqiptar. Këtë ta thonë me dhimbje shumë këngëtarë, nga brezi i atyre këngëtarëve që sollën këngën qytetare në këto nivele. Askush, të paktën deri më sot, nuk e ka zënë dot vendin e trios vlonjate dhe piedestalin e këngëtares popullore, Meliha Doda. Trio vlonjate dhe Melihaja, janë të papërsëritshme. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular