BallinaPolitikeMerr fund kaosi në Kuvend, bien dakord Berisha-Rama! Zbardhet dokumenti, ja pikat...

Merr fund kaosi në Kuvend, bien dakord Berisha-Rama! Zbardhet dokumenti, ja pikat e marrëveshjes dypalëshe! Si do të funksionojnë

VALENTINA MADANI/ Konferenca e kryetarëve zyrtarizoi dje marrëveshjen mes PS dhe PD për të ngritur Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi dhe Komisionin Hetimor për nxjerrjen e të dhënave të sistemit TIMS.

Mazhoranca dhe opozita dakordësuan ngritjen e 2 komisioneve hetimore si dhe të një mekanizmi që do të merret me reformat që kërkojnë 84 vota. Krerët e grupeve parlamentar socialisti Bledi Çuçi dhe demokrati Gazmend Bardhi e quajtën fitore ndërsa ministrja e Shtetit për Parlamentin, Erisa Spiropali, njoftoi se nga e enjtja kaosi do ia lë vendin seancave ku do diskutohen nismat.

Komisioni i ligjeve që do të ngrejë mekanizmin për reformat, me në përbërje 2 anëtarë të opozitës e dy të maxhorancës, për t’i çuar reformat drejt seancave plenare me një konsensus paraprak. Komisioni hetimor do të përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe 6 anëtarë propozohen nga Grupi Parlamentar i PD dhe 8 anëtarë propozohen nga Grupi Parlamentar i PS-së. Përbërja e Komisionit caktohet me vendim të veçantë të Kuvendit. Komisioni Hetimor do të zhvillojë veprimtarinë e tij në afat kohor prej 4 muajsh, nga data e miratimit të vendimit.

Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të Komisionit, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. Dy grupet parlamentare miratuan me konsensus të plotë në Konferencën e Kryetarëve ngritjen e dy komisioneve hetimore. Ka qenë kjo e fundit kërkesa e vazhdueshme e opozitës, e madje për 8 komisione të tilla. Në Nëntor të 2023-it, mazhoranca depozitoi në Kuvend nismën për disa shtesa dhe ndryshime në funksionimin e ligjit për Komisionet Hetimore.

Sipas kreut të grupit të PS-së, Bledi Çuçi, ka pasur konsensus të plotë mes palëve për ngritjen e 2 komisioneve. Përkatësisht, ai për sistemin e të dhënave TIMS dhe për shërbimet në Shëndetësi. Te këto të fundit, siç sqaroi Çuçi, përfshihen “Sterilizimi” e “Check up-i”. Ai bëri po ashtu me dije se ka pasur dakordësi mes palëve për një platformë brenda Komisionit të Ligjeve.

“Gjithashtu ramë dakord dhe morëm një vendim që të mandatojmë Komisionin e Ligjeve për të ngritur një platformë për të krijuar një dialog politik për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave dhe që kanë të bëjnë me integrimi europian. Me numër të barabartë anëtarësh, nuk ka të drejtë vetoje. Ka konsensus”, shpjegoi kryetari i grupit mazhoritar.

Të njëjtën retorikë mbi pikat që u diskutuan në mbledhje, pati edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi.

“Nuk është çështje e Konferencës së Kryetarëve, në ditët në vijim grupet parlamentare do vendosin për të dyja çështjet. Në mbledhje të grupit do merren vendimet për anëtarët. Nuk do ndalem te projeksioni i kolegëve, që do jenë në komisionet përkatëse. Sot ka një dakordësi për të kthyer normalitetin në veprimtarinë e Parlamentit. Detaje të tjera do keni mundësi t’i mësoni në ditët në vijim”, tha Bardhi.

Ai theksoi se “çdo denoncim që ka paralajmëruar do bëhet, në komision apo jashtë tij” si dhe “mbledhjet e komisioneve do jenë të hapura”. Po ashtu, i pyetur se çfarë synon të arrijë komisioni për shërbimet në shëndetësi, përderisa SPAK po heton çështjen e “Sterilizimit”, Bardhi u shpreh: “Së pari, nuk ka asnjë pengesë kushtetuese që për çështje që i heton Prokuroria t’i hetojë edhe Kuvendi, sepse qëllimet janë të ndryshme. Tanimë pritet të shihet puna e komisioneve të cilat sapo janë miratuar dhe rezultatet.”

Ndërkohë, më 21 mars përfundon afati i Komisionit të Reformës Elektorale. Para pak ditësh, presioni i diplomacive të huaja në vendin tonë prodhoi një takim të parë mes Lindita Nikollës, Gazment Bardhit, Bledi Çuçit dhe 2 krerëve të grupeve të vogla parlamentare Dashamir Shehi e Mesila Doda.

I Dërguari me Punë i SHBA-së në vendin tonë, David Wisner takoi personalisht kryeparlamentaren për t’i përcjellë mesazhin se parlamenti duhet të rikthehet në normalitet. Në këto përpjekje është përfshirë edhe OSBE/ODIHR-i, specifikisht për reformën zgjedhore. Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë e BEja zyrtare bënë thirrje për normalizimin e situatës në Kuvend.

Basha reagon ashpër

Kreu demokrat, Lulzim Basha, reagoi ashpër pas arritjes së akordit mes PS-së dhe Rithemelimit për ngritjen e dy komisioneve hetimore në kuadër të normalizimit të jetës parlamentare. Basha u shpreh gjatë një takimi me demokratë në Kurbin se “revolucioni i premtuar” nga Rithemelimi “u shit”, pasi sipas tij, aty bëhej fjalë për interesa personale të Berishës.

“Por diku tjetër fle lepuri, te marrëveshja famëkeqe e Kushtetutës 2008-ës për të mbajtur monopolin për kandidatët për deputetë, për të kontrolluar sistemin politik siç u ka lënë trashëgimi Ramiz Alia. Për fat të keq, revolucioni u flijua. Revolucioni i shpallur me bujë u flijua për dy komisione hetimore, njëri prej të cilëve sot u njoftua që kanë mbaruar hetimet dhe që do të komunikohen akuzat dhe që me të drejtën e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve nga Ilir Beqja me shokë, do të shkojnë në burg, sepse kanë vjedhur. Këta kanë rënë dakord që të ngrenë komision, ta hetojnë, të shohin çfarë shkeljesh administrative kanë bërë dhe t’i propozojnë Ramës që të ndryshojnë ligjet. Për këtë u shit revolucioni i premtuar kurbinasve dhe gjithë demokratëve shqiptarë”, tha Basha.

Ai apeloi se “ka ardhur koha të vëmë gishtin në plagë, ku ndoshta të gjithë kemi gisht në këtë plagë kush më shumë e kush më pak”.

SHBA dhe BE përshëndesin konsensusin

Ambasada e Shteteve të Bashkuara më Tiranë dhe ambasadori i BE-së përshëndetën dje vendimin e Konferencës së Kryetarëve përmes së cilës u mundësua kthimi i normalitetit në Kuvend.

Ambasada e SHBA-ve përmes një postimi në ‘X’ shkruan se inkurajon deputetët që vazhdojnë të tregojë përkushtim ndaj demokracisë. Ambasada u shpreh se mirëpret marrëveshjen e Konferencës së Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament. Po ashtu, ambasada amerikane theksoi se nxit deputetët të vazhdojnë të tregojnë përkushtim ndaj demokracisë në dobi të popullit shqiptar.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë mirëpret marrëveshjen e Konferencës së Kryetarëve për rikthimin e rendit normal në Parlament. Ne nxisim deputetët të vazhdojnë të tregojnë përkushtim ndaj demokracisë në dobi të popullit shqiptar.”

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X” pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve. Gonzato u shpreh se ai mirëpret vendimin e Konferencës së Kryetarëve përmes së cilës u mundësia rikthimi i jetës parlamentare. Ai përgëzon lidershipin nga të dyja palët për arritjen e gjetjes së gjuhës së përbashkët. Gonzato theksoi se delegacioni i BE në Shqipëri ka përsëritur vazhdimisht se një Parlament funksional është kyç për procesin e integrimit të vendit drejt BE-së.

“Përshëndes vendimin e sotëm të Konferencës së Kryetarëve, i cili bën të mundur rifillimin e funksionimit normal të Parlamentit dhe vlerësoj lidershipin dhe përgjegjësinë e treguar nga palët në arritjen e marrëveshjes. Delegacioni i BE-së ka përsëritur se një Parlament funksional është kyç për procesin e integrimit drejt BE”, u shpreh Gonzato.

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith, ka reaguar pas kompromisit të arritur mes mazhorancës dhe opozitës për normalizimin e jetës parlamentare. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, King Smith, u shpreh se është i vetëdijshëm se kompromiset politike janë të vështira dhe kërkojnë guxim e vendosmëri, ndërsa shtoi se është i kënaqur me progresin e vazhdueshëm drejt rikthimit të Parlamentit normal. Sipas tij, ky i fundit është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe perspektivës së ardhshme të Shqipërisë.

“E di që kompromiset politike janë të vështira dhe kërkojnë guxim dhe vendosmëri. I kënaqur që shoh progresin e vazhdueshëm sot drejt rikthimit të një Parlamenti normal, funksional, i cili është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe perspektivës së ardhshme të Shqipërisë”, – shkroi ai në rrjetin social ‘X’.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular