BallinaKulture"KARMA"/Cikël poetik nga Petrit Nika

“KARMA”/Cikël poetik nga Petrit Nika

(Cikël poetik nga Petrit Nika)

Në mëngjeset e dimrit dikur

Në mëngjes ishte ftohtë.
Në  rrugë nëpër gjysmëerrësirë dukeshin
Përgjysmë rrugëtarë të paktë
Ca fshesa rrëshqisnin mbi trotuar
Dhe gjethet e fundit drithëroheshin.
Në stacionin e trenit lëviznin përgjumshëm
Kunduktorët
Nëpërdhëmbin fjalë pa kuptim
Me shijen e vrazhdë të duhanit
Të djeshëm në gojë
Pa parë njeri në sy,
Pështyjnë në peron
Pastaj treni vjen dhe qyteti i vogël
zgjohet plotësisht.

Në mëngjes ishte ftohtë,
Në fakt isha gati fëmijë
Dhe ditët e mia ishin ngjyrë myshku.

Atëherë lëvizja mes rrapëllimës së viteve “90
Si një çafkë e re
Pothuajse e paditur
Mendoja se në peronin e stacionit tjetër
Befas do shfaqej një tavolinë

Me byrekë të ngrohtë …
Dhe me këtë ëndërr treni nisej.

Kohë dreke

Është drekë, dielli rri varur në zenit
Një tingull i butë përshkon tisin blu
midis dy maleve që përfundojnë në lumë,
Dhe malli përfundon në brengë…

Ngadalë lëviz koha,
por jo aq ngadalë sa mos ta vëmë re;
Praktikisht në fillim jemi ne që nuk e besojmë,
Më pas keqardhja përshkon tisin e lëbyrtë
të viteve të shumtë
Për tu kthyer në pikën fillestare.
Ne ecëm asaj rruge gjithë ditën,
Pastaj edhe tjetrën,
Edhe ca ditë të tjera,
Edhe ca muaj të tjerë…
Pastaj në rrugë reshti pluhur
Në rrugë reshtën gjethet e vjeshtës
Në rrugë reshti bora
Në rrugë reshtën petalet e bardha të kumbullave
Pastaj reshti heshtja…
Vetëm malli im
sot shpon si matrapik
në muret e ronitura të kujtesës.

Ka qenë viti 1992
Nuk mund ta mendoja atëherë
se çfarë do ndjeja 28 vjet më vonë,
Duke kujtuar një peisazh jetik fshati,
I cili në atë kohë
Për mua
Ishte 17 vjeçar.

Cantiunicula carmen*

Kur vdekja rri pezull çdo ditë mbi pullaz
dhe çapet ngadalë me gjethet e vjeshtës,
një shkulm i erës që derdhet çapraz,
t’i zbeh dëshirat nën vellon e heshtjes.

Dhe thua çdo ditë: Kjo është e fundit!
Por çështja shtyhet dhe fundi nuk ças,
dhe vjeshta epet në shpërgejt e gjumit,
vetë ankthi është vdekja që më plas.

Në tokë kudo baret si hije,
e trishtë në misterin e saj pa formë,
kjo vuajtje vjeshte me vello zije,
që çap ngadalë përdrejt me nojmë.

Ngadalë vjen ngapak çdo ditë,
pa humbur tharmin e trishtë të fatit,
në mot të zymtë, as diell plot dritë,
në zulm të mallit, as inatit.

E ditët shkojnë në vrunduj ankthi,
bashkë me netët – rrokopujë;
nuk vdes kollaj vetëm nga makthi,
gjersa në gotë të ketë pak ujë.

Po pse o shpirt, në kaq errësirë
po shkon kur ende këtu ka dritë?
Dhe nuk shikon asgjë të mirë,
që të ngushëllon e të flladit.
_____________
*cantiunicula carmen – lat. vajtim

Karma

Seç rrekesh ta duash vetveten,
Këtë masë bastarde që të bart
Shpirtin që përpëlitet përqart,
Mes hirit të shpresave që u tretën.

Dashuri e pamundur, do të thuash,
Këtë trajtë të plakur s’e do asnjeri,
Se shpirti kërkon prapë rini,
Por trajta të bën veç të vuash.

Me të ky shpirt është i lidhur
Dhe bota nuk shohin përtej,
Flokëve të brymtë e kockave gjithë nej
Derisa shpirti kërkon për t’u zgjidhur,

Dhe trajtën ta braktisë përjetë,
Teksa niset një shtegu të ri,
Mbase te një ketër, kushedi,
Ndoshta më shumë fat do të ketë.

Sonata e humbjes

N’ agshol, n’ errësinën e flurtë që lë nata,
ngrihem ngadalë çdo ditë e nisem në plogështi,
të sos n’ Itakë, por detit në thellësi,
mbasi më sfilit – në breg më kthen rish dallga.

Nji trëndafil i akullt ndrin nëpër agshol,
dhe unë e cek çdo ditë e nisem prapë –
kohë s’kam të humb, por fatin s’e bëj zap,
çdo ditë e nis fllugën vetëm nga ky mol.

E tash që krenaria vdiq bashkë me kujtimet
e një rinie që s’e ndjeva kurrë,
veç n’Itakë uzdajë kam me gjet njat gurrë,
që mi leton pak dhimbjet e idhnimet.

Por dimri vrazhdë më sheh me sy polar
dhe pa ia dā brymon mbi kripin tim;
dro kam se tash gjithë këtë zhgënjim,
as Itaka s’e e shëron dot si ma parë.

Bashkëbisedim në distancë

Për D.

Ti s’mund ta dish çka ndodhur kur Zoti krijoi Edenin,
nuk mund ta dish se ç’pa njeriu i parë në Eden,
historia jote është udhëtim i përmallshëm e lot,
ndarje e pritje pambarim si në legjendën e Ago Imerit.
Vetëdija të ka gjetur në rrugë të largëta
me sytë nga e shkuara,
vetëdija jote po aq mistike sa krijimi yt,
sa ardhja jote në jetë, sa rruga jote në këtë labirint.

Është Eros dhe Thanathos dhe ky është fatpërcaktimi –
të gjitha qytetet dhe gjithë çka mbi dhè notojnë
në amzën e ëmbël të këtyre hyjnive efemere;
ujërat që rrjedhin, pemët, malet, fushat e molepsura,
valët e detit që ke parë nga frëngjitë e anijeve
në detet e panjohur,
mjegullat që ti i ke shquar
nga trenat e perëndimit në ikje,
mbi fantazmat e pemëve në toka të huaja,
stinët që marshojnë në skuadrilje treshe në ekran,
që nga historia e panjohur e Edenit
deri tek çdo supozim tjetër.

Ti s’mund ta dish çka ndodhur
kur Zoti rrafshoi Antlantidën,
Babiloninë, Sodomën, Gomorrën, Pompein,
kur e shtriu rërën në hapësira të pamata në Sahara,
kur oqeanet i dërgoi në të katër anët e botës,
kur Himalajet i ngriti në qiell dhe barkën e Noes
e ngjiti në një luginë të malit Ararat …
Janë aq gjëra që asnjë pritje s’mjafton për t’i mësuar.
Pritja ime e pashembullt tani po ma kthen gjakun,
nga i kuq bozhuri në të kaltër shprese qiellore.

Përralla e Edenit

Koha i mori me vete te gjitha,
lulet e gjineshtrës çdo maj çelin në sukë,
por ëndrrat u kthehen në plisa
veç helmi mbeti në kupë.

Nuk mund ta dish. Ti zanafillë ishe ende,
dhe djalli ende vinte vërdallë,
“molla e mëkatit” nuk ishte në mendje,
tash e gjitha ngjan si përrallë!

Ende s’kishte lindur as Eva,
në Eden baresnin Adam dhe Lilitë,
pahiteshin nën lulet e verdha,
gjithë jeta ngjante një ditë.

Koha si koha – kalonte ndërkohë,
(asgjë nuk e ndal dot numërimin),
dhe zuri një dimër i ashpër me llohë,
Lilitë s’ish gati për thëllimin.

Së fundi koha i fshiu të gjitha,
tani bën ftohtë dhe lule s’gjen më –
gafrruar janë gjineshtrat në driza,
n’Eden s’pipëtin asnjë zë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular