BallinaAktualitetShuhet atdhetari dibran Abdulla Kadriu. Jeta e tij udhërrëfyes për brezat; nga...

Shuhet atdhetari dibran Abdulla Kadriu. Jeta e tij udhërrëfyes për brezat; nga arratisja, vuajtjet në Jugosllavi dhe liria në SHBA

Nga Mina HYSA
Sot një shqiptar patriot mbylli sytë përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një humbje e madhe jo vetëm familjen dhe të afërmit, por dhe për diasporën dibrane e cila është e madhe në tokën e bekuar amerikane, vendin e lirisë dhe demokracisë, por edhe shqiptarët në këtë vend.
Është një personalitet me integritet në kuptimin e plotë të fjalës. Vuajtjet, origjina, të qenit i derës së madhe siç i thonë në Dibër, do ta shtynin të ia rriste më tej emrin familjes, fisit, krahinës dhe shqiptarisë. Ai ishte një patriot dhe çdo ditë të jetës do të shoqëronte dashuria për atdheun, i gjithë aktiviteti do të ishte pro çështjes shqiptare.
Quhet Abdulla Kadriu lindur në Dohoshisht të Dibrës, rrjedh nga një familje e madhe antikomuniste i cili nga sot nuk ndodhet më mes nesh. Jeta e tij është një histori që frymëzon, është një udhërrëfyes për brezat se si mund të ia dalësh të fitosh lirinë duke sakrifikuar dhe rrezikuar deri dhe jetën.
Shqiptarët janë përballur me diktaturën më të egër, por disa prej tyre kanë mundur të shpëtojnë nga ferri komunist. Duke e konsideruar veten pjesë e një “varreze kolektive” nën administrimin e qeverisjes komuniste Abdulla Kadriu guxoi të sfidojë diktaturën me jetën e tij në kërkim të lirisë ndaj vendosi të largohej nga Shqipëria. Nuk ishte një vendim aspak i lehtë, ajo çfarë e priste ishte shumë e rëndë nga plumbi në kufi, tek arrestimi ku dënimi do të ishte minimumi 20 vite deri në pushkatim me akuzën standarde të diktaturës: – “Tradhti ndaj Atdheut”.
Me aktin e arratisjes Abdulla Kadriu ishte shembulli për dibranët dhe shqiptarët se; më mirë të vdekur, se nën komunizëm! Koha iu dha të drejtë! Dullë Kadriu ishte dëshmitar i një Shqipërie që po hante bijtë e vet ndaj as dhe një ditë nuk dëshironte të qëndronte nën diktaturë. Njerëz të tillë janë krenari shqiptare, për kohën ishin dallëndyshet që lajmëronin herë pas here ndonëse në mënyrë sporadike ardhjen e demokracisë në Shqipëri.
Arratisja, vuajtjet në Jugosllavi dhe internimi i familjes në Shqipëri
Më 15 gusht të vitit 1981 Abdulla Kadriu u arratis nga fshati Lladomericë Dibër, duke lënë pas një shprehje që ai e përdorte gjithnjë: – “Nuk kam tradhtuar Atdheun, por regjimin komunist”.

E vërteta kjo ishte. Nën atë maskarallëk, varfëri ekstreme, luftën e klasave ku Dulla i përkiste shtresës së të përndjekurve politikë, nuk kishte rrugë të mesme, vetëm që t’i shpëtonte vuajtjeve.
Pas largimit dhe ndalimit që autoritetet jugosllave i bënë në Dibër të Madhe do ta çonin në Beograd. Torturat psikologjike për Dullë Kadriun nuk do të kishin të sosur. Do të kalonte një situatë nën trysni nga autoritetet policore dhe ushtarake jugosllave të cilët kërkonin të dinin më shumë për qëllimet e arratisjes duke mos u bindur se kishte të bënte thjesht me kërkimin e lirisë.
Thellë në shpirt kishte të skalitur ndjenjën atdhetare, Dulla nuk do të dekurajohej aspak nga ajo që po i ndodhte në Beograd nga autoritetet jugosllave.
Së pari, Abdulla Kadriu nuk kishte asnjë skenar tjetër veç lirisë si dhe qëllimit të tij për t’u larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se nuk mund të nxirrnin atë që kërkonin tek Abdulla Kadriu, u tentua të rekrutohej, por as këtu nuk ia dolën. Ajo derë tek Dulla ishte e mbyllur. Vërtet ishte larguar nga Shqipëria nën diktaturë, por kurrë, asgjë në kurriz të vëllezërve për hesap të autoriteteve të Beogradit nuk do të bënte. Kjo do t’i kushtonte shumë, do të vuante plot 7 muaj në kampet me tela në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, me bukë dhe pa bukë, më shumë zbathur se mbathur, derisa gjeti mundësinë të arratisej dhe përkohësisht të vendosej në një vend demokratik, Austri e mandej të largohej drejt SHBA.  

Largimi i Dullë Kadriut do të ishte me pasoja për familjen në Dibër. Regjimi komunist do t’i internonte menjëherë si dënim për arratisjen e kryefamiljarit të tyre, tashmë armik i partisë dhe pushtetit popullor. Në fakt familja Kadriu armike e partisë ishte edhe para arratisjes së Abdulla Kadriut, por që kësaj herë  dy djemtë Islami, Ariani dhe bashkëshortja e Dullës, Shpresa do të internoheshin në Kuç të Vlorës për pesë vjet. Siç dhe e thamë edhe më sipër, kur rrjedh nga derë e madhe, je fëmijë i Abdulla Kadriut, nënshtrimi ishte i pamundur për familjarët. Islami dhe Arjani do të mbanin kokën lart, do të ishin krenar për babain e tyre, për aktin e tij heroik, sepse vetëm trimat do të guxonin ta bënin. Arratisja nga regjimi komunist ishte e ngjashme me thyerjen e prangave në duar, ishte një thikë në zemër për diktaturën dhe Dullë Kadriu mundi ta bënte këtë gjë.
Vendosja në SHBA dhe bashkimi i familjarëve
Kur komunizmi në Shqipëri nisi të binte, Abdulla Kadriu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte gati një dekadë jetë. Atje kishte krijuar një familje dhe kishte dy fëmijë July dhe Tony, në Shqipëri kishte dy djemtë Islamin dhe Arjanin.
Referuar shprehjes së përdorur në Dibër “derë e madhe”, Dullë Kadriu për fatin e të cilit nuk dinte askush gjë deri në vitin 1990, por as ai për familjen në Dibër, do të bashkonte të dashurit e zemrës për të krijuar familjen e madhe në shtetin më të madh dhe te botë SHBA. Koha i dha të drejtë atij që guxoi dhe vuri veten në rrezik në kërkim të lirisë që të bashkojë në vendin më të lirë njerëzit e shtëpisë, ata të cilët kishin mundur t’i mbijetonin ferrit komunist.
Amerika është vendi që të ofron gjithçka. Prej vitit 1990 e deri më sot, familja Kadriu do të spikaste me aftësitë e jashtëzakonshme të secilit. Shembulli për tu ndjekur ishte Abdulla Kadriu, të cilit sot në moshën 85-vjeçare i pushoi së rrahuri zemra. Abdulla Kadriu, ose Dullë Kadriu siç thirrej, jetonte në Florida të SHBA dhe la pas dy djem të suksesshëm në fushën e biznesit, Islamin dhe Arjanin si dhe July dhe Tony.  
Përcjellja për në banesën e fundit, është bërë në Deland Florida me 27 mars 2024 në orën 12-të. Ikja e tij la pas dhimbje, jo vetëm për Lamikën dhe familjen Kadriu, por të gjithë ata që njohën nga afër cilësitë e një dibrani dhe shqiptari të mirë i cili e donte me shpirt Dohoshishtin, Dibrën dhe Shqipërinë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular