BallinaEkonomiNdryshimi për pagat e larta, pritet që kufiri që tatohet 23% të...

Ndryshimi për pagat e larta, pritet që kufiri që tatohet 23% të rritet në 250 mijë lekë/muaj, lehtësi edhe për të rinjtë

spot_img
spot_img

Ministri i Financave, Ervin Mete, bëri të ditur në takimin me CEO-t e Dhomës Amerikane të Tregtisë se në muajin qershor pritet të prezantohen disa masa lehtësuese sa i përket tatimit mbi pagën për të punësuarit në sektorin publik dhe privat.

Ministri Mete nuk dha informacion të mëtejshëm se çfarë lehtësimesh pritet të kryhen, por “Monitor” ka mësuar disa detaje të planit që po përgatitet.

Elementi më i rëndësishëm, që po diskutohet, është që shkalla prej 23% e tatimit mbi pagat të zbatohet mbi pagat më të larta se 250 mijë lekë, nga 200 mijë lekë që është sot. Ky ndryshim pritet të prezantohet në qershor dhe do të hyjë në fuqi në korrik, së bashku me rritjen e pagave për administratën.

Tatimi mbi pagat prej 23% filloi të zbatohej në vitin 2014, si pjesë e strategjisë së qeverisë socialiste për të taksuar më shumë të ashtuquajturit të pasur.

Fillimisht pragu mbi të cilin paguhej tatimi prej 23% ishte 130 mijë lekë dhe më pas u rrit gradualisht në 150 mijë dhe 200 mijë lekë që është aktualisht. Ky nivel i lartë nxiti një skemë shmangieje te profesionistët, të cilët dolën nga skema e sigurimeve dhe hapën biznese si persona fizikë, ku paguanin taksa minimale.

Këto lëvizje nxitën tatimet që të bënin disa herë ndryshime ligjore që synonin të kufizonin këto shmangie, ku më i fundit është zbatimi i regjimit të ri tatimor nga 1 janari 2024 për tatimin progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.

Aktualisht, pagat deri në 50 mijë lekë kanë tatim zero, nga 50-60 mijë lekë paguajnë 13% të shumës mbi 35 000 lekë, nga 60-200 mijë lekë paguajnë 13% të shumës, mbi 30 000 lekë, dhe mbi 200 mijë lekë tatimi është 23% (shiko tabelën).

Krahas rritjes së kufirit mbi pagën, financat po diskutojnë masa të tjera nxitëse për ata që bëjnë deklarimin e të ardhurave personave (DIVA) si lehtësi për ata që kanë marrë kredi për shtëpinë e parë për banim; Lehtësi për të punësuarit që kanë fëmijët në kujdestari.

Një tjetër masë që po diskutohet është që të punësuarit deri në 25 vjeç të kenë lehtësi nga taksat, por ende nuk ka detaje konkrete. Vëmendja te të rinjtë është kthyer për faktin se ata po u drejtohen gjithnjë e më shumë emigracionit, por edhe se të dhënat zyrtare tregojnë se papunësia tek të rinjtë vijon të jetë e lartë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular