Drejtori i IT Ervin Muço, u vu në “Arrest shtëpie” të martën, pasi dyshohet të ketë ndërhyrë verën e shkuar në sistemin TIMS.
Arrestimi përkon me nisjen e punës së Komisionit hetimor pikërisht për ngjarjen për të cilën u arrestua drejtori Muço. Prokuroria e Tiranës e cila nisi hetimet, pas kallëzimit të vetë strukturave të policisë, bëri të ditur se drejtori i IT-së, dyshohet për “Hyrje të Paautorizuar Kompjuterike”.
“Në 2 gusht te vitit 2023, në bazën e të dhënave të Policisë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara, nga Drejtori Ervin Muco. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”.
Prokurori bëri të ditur se hetimet janë shtrirë në marrjen në pyetje të të gjithë personave të përfshirë në ditën e ngjarjes, ndërkohë që verifikimet e mëtejshme mbi drejtorin Muço, kanë nxjerrë në dritë probleme dhe me të kaluarën e tij.
“Rezulton se në.2007 në Itali është raportuar si përgjegjes për veprat penale të dokumenteve false. Në 2008 Ervin Muços, i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së ne Bari Itali.. Po ashtu, ka rezultuar se Muço “është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Muço nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e Drejtorit në Policinë e Shtetit.”
Procedimi penal për ngjarjen, është regjistruar që në shtator të vitit të kaluar dhe Muço, ka qenë person nën hetim. Në Prokurori ka patur fillimisht një referim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në 8 gusht, dhe më pas, në fund të po atij muaji nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
Në gusht të vitit të kaluar, ngjarja mori vëmendje pasi i Ngarkuari me punë në ambasadën amerikane Martin McDowell, vuri në dukje shqetësimin e SHBA-së, në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit.
Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshirë dhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri, bënte të ditur në atë kohë një postim i ambasadës amerikane mbi takimin e zotit McDowell më 17 gusht me ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Top Channel