Sonte në “Opinion” temë diskutimi është puna e SPAK vitet e fundit, e veçanërisht nën drejtimin e Altin Dumanit. Për këtë të fundit, gazetarja Fatjona Mejdini tha se është një njeri shumë korrekt si në aspektin profesional, ashtu edhe familjar.
“Bashkëshortja e tij është pedagoge në një Universitet shtetëror në Durrës, e cila nuk është në fushën e drejtësisë, por të gjuhëve të huaja. Vajza e madhe është studente në SHBA, ka një element interesant në fakt se është me bursë të shtetit amerikan. Do të thotë që është ekselente, ndërsa vajza tjetër është në sistem publik 9 vjeçar në Shqipëri”, tha ajo shkurtimisht për familjen e kreut të Strukturës së Posaçme.
Më tej, Mejdini ndau një detaj shumë interesant për Dumanin. Sipas saj, në vitin 2009 ai çoi një koleg të tij në Prokurorinë e Tiranës në qeli, për një rast ryshfeti. Element që tregon besnikërinë e tij ndaj punës e cila u bë më pas arsyeja e krijimit të raporteve të mira me amerikanët.
“Në vitin 2009 kur ai drejtonte task-forcën në Prokurorinë e Tiranës. Ka qenë mini SPAK-u që u drejtua nga Dumani. Ka një element shumë interesant që është një shembull shumë i mirë ilustrativ. Në vitin 2009, Dumani ka çuar për arrest një kolegun e tij prokuror. Për shkak të një rasti ryshfeti. Po flasim për vitin 2009 kur prokurorët ishin edhe sekserë. Ishte gjë që ndodhte rëndom. Bashkëshortja e tij ishte gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe prokurori kishte marrë një ryshfet nga një grup kriminal për t’i zbutur dënimin një elementi kriminal. Kjo ishte një gjë e madhe për kohën, nëse ti mund të arrish të hetosh kolegët e tu, atëherë toleranca për të tjerët është shumë e vogël dhe mendoj që në këtë formë ai fitoi edhe besimin e amerikanëve. Në 2013-ën Dumani është përgjuar, për këtë çështje. Çështje e cila është e zbardhur. I është vendosur nga persona të afërt me prokurorin, i cili është dënuar si përfundim me një vit burg. I kishin vendosur GPS në makinë për të parë lëvizjet e tij. Kjo mund të ishte edhe për shkak të një atentati të mundshëm. Është kapur në kohë, ka pasur një aksident, GPS ka rënë nga makina. Dumani e ka pikasur dhe e ka çuar çështjen, dhe në fund ka dalë se ishin njerëz të afërt të prokurorit që në formë hakmarrje po e përgjonin. Kjo është një provë e madhe!”, tha Mejdini./tvklan.al