BallinaKryesoreDetyrimi vjetor për profesionet e lira arrin edhe 9 mijë euro pas...

Detyrimi vjetor për profesionet e lira arrin edhe 9 mijë euro pas taksimit 15% të fitimit; Bizneset: Është shumë i lartë, do nxisë evazionin

Prej datës 11 Prill administrata tatimore u ka nisur bizneseve të profesioneve të lira njoftim vlerësimi për detyrimin vjetor për tatimin e thjeshtuar. Nga 1 janari 2024 me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” ofruesve të shërbimeve të profesioneve të lira u taksohen fitimet nga 15 deri 23%.

Në njoftimin e dërguar nga Drejtoria Rajonale Tiranë një prej bizneseve ofrues të shërbimeve të profesioneve të lira, detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për t’u paguar është 918,534 lekë apo rreth 9 mijë euro në vit.

Tatimi për fitimin 15% që ky biznes do të paguajë përgjatë 2024 është llogaritur mbi të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara prej tij përgjatë vitit 2023.

Konkretisht biznesi më lart që ka detyrimin tatim të thjeshtuar mbi fitimin prej 918,534 lekë për të paguar për 2023 ka deklaruar të ardhura në vlerën e 6,320,760 lekëve. Shpenzimet vjetore të deklaruara kanë qenë 197,200 lekë (pra më të ulëta se shpenzimet fikse prej 30% të padeklaruara në kontabilitet që parashikon ligji për bizneset me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë).

Fitimi i tatueshëm i deklaruar është në vlerën e 6,123,560 lekëve.

Fitimi i tatueshëm 6,123,560 x 15% = 918,534 detyrimi vjetor për t’u paguar.

Sipas njoftimit të tatimeve tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël për vitin 2024, do të jetë i ndarë në tremujore si më poshtë përkatësisht në datat 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor dhe 20 Dhjetor të vitit dhe kur është tatim fiks për vitin brenda datës 30 qershor.

Bizneset deklarojnë se detyrimi që ata do të paguajnë është shumë i lartë dhe do të nxisë evazionin. “Me ndryshimin e taksimit do të duhet të punojmë të paktën 2 muaj vetëm për të paguar detyrimet ndaj shtetit. Kjo do të nxisë edhe më tej mosdeklarimin dhe do të rrisë çmimet e tarifave të shërbimeve të ofruara. Rritja e tarifave ka nisur në shumë sektorë. Për shërbimet e avokatisë tarifat ndaj qytetarëve do rriten të paktën deri 25%”, pohoj një nga drejtuesit e zyrave juridike në vend.

Të vetëpunësuarit e profesioneve të lira dhe subjektet tregtarë kanë deklaruar edhe më herët se ndryshimi i taksimit nga 0% në 15 dhe 23% do të rrisë tarifat e shërbimeve. Nga avokatët u deklaruar rritje e tyre 15-25-30%. Shtrenjtimi ka nisur të zbatohet në disa raste me rritje të tarifave të kontrolleve mjekësore në klinikat private, por edhe të psikologëve. Sakaq edhe profesionet e tjera të lira, si avokatët dhe kontabilistët pohuan më herët se brenda vitit pritet të këtë ndryshimi masiv të tarifave nga vendosja e tatimit mbi të ardhurat.

Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit sipas ligjet do të llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve ndaj totalit të të ardhurave vjetore. Për profesionet e lira të përcaktuar sipas listës të vendimit “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit shpenzimet e zbritshme fikse të padeklaruara në kontabilitet njihen në vlerën 30%.

Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë më herët sqaroi se te shpenzimet e zbritshme do të njohë edhe të ardhurat mujore të pagës minimale. Në deklaratën e biznesit për rastin kur shpenzimet e deklaruara në vlerën prej 197,200 lekë sipas tij janë përfshirë vetëm shpenzimet e qirasë vjetore dhe kancelarisë.

Deklarimet për 2023

Të ardhurat dhe shpenzimet

Të ardhurat                        6,320,760

Shpenzimet                       197,200

Humbja                                0

Fitimi                                    6,123,560

Fitimi i tatueshëm           6,123,560

Njoftimi i Tatimeve për llogaritjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin

Ju njoftojmë se nga shqyrtimi i të dhënave që disponojmë në mbështetje të nenit 15 “Parapagimet“ pika 1,2,3,4 dhe nenit 16 “Deklarimi” të ligjit Nr. 9632 datë 30.10.2006, “Për Sistemin e Taksave Vendore” i ndryshuar, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël për vitin 2024, do të jetë për shumën 918,534 lekë, i ndarë në tremujore si më poshtë: (me këste në lekë)

Tatimi fiks për Vitin 2024 në lekë . Pagesa e detyrimeve të mësipërme konform kërkesave të Ligjit Nr. 9632 datë 30.10.2006, “Për Sistemin e Taksave Vendore”, i ndryshuar, do të bëhet në llogaritë e DRT , me formularët përkatës të marrë nga kjo drejtori, përkatësisht në datat 20 Prill, 20 Korrik, 20 Tetor dhe 20 Dhjetor të vitit dhe kur është tatim fiks për vitin brenda datës 30 qershor.

Nëse kini kundërshtim mund të bëni kërkesë për rishikim në bazë të nenit 30, pika 5, të Ligjit Nr. 8438 datë 28.12.1998 “Për Tatimin Mbi të Ardhurat”, i ndryshuar dhe pikës 3.13.2 të Udhëzimit Nr. 5 datë 30.01.2006 “ Për Tatimin Mbi të Ardhurat”, i ndryshuar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular