BallinaKryesoreVetë-punësimi zuri 30% të totalit të punësimit më 2023, por vetëm gjysma...

Vetë-punësimi zuri 30% të totalit të punësimit më 2023, por vetëm gjysma paguajnë sigurime

Struktura e punësimit në vendin vijoi të dominohet nga vetëpunësimi edhe në vitin 2023. Të dhënat zyrtare nga INSTAT që burojnë nga Anketa e Forcës së Punës tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar te vetë-punësuarit kontribuuan në rreth 30% të totalit të punësimit, nga rreth 31 % që ishte në vitin 2022.

Në tremujorin e fundit të 2023 ishin të punësuar gjithsej 1,324,773 persona ku rreth 30 % e tyre (mbi 397 mijë ishin të vetë-punësuar).

Shqetësimet mbi vetëpunësimin janë të lidhura më faktin se shumica nuk paguajnë sigurime shoqërore, duke investuar në varfërinë e tyre në moshën e pensionit.

Të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës tregojnë se vitin e kaluar vetë-punësimi u luhat në një mesatare prej 397 mijë personash, por vetëm 215 mijë kishin paguar sigurime shoqërore. Krahasimi i të dhënave tregon se vetëm 54 % e të vetë-punësuarve paguajnë sigurime. Të vetë-punësuarit zunë vetëm 16 për qind të totalit të kontribuuesve në vitin 2023, teksa zënë 30 për qind të punësimit në vend.

Institucionet Financiare Ndërkombëtare kanë këshilluar qeverinë shqiptare që të forcojë masat rregullatorë për përfshirjen e të vetë-punësuarve në skemën e sigurimeve në mënyrë që të shmangen problemet sociale që kjo shtesë mund të ketë në moshën e pensionit.

Shqipëria renditet ndër vendet më peshën më të madhe të vetë-punësimit në Europë, ku popullsia në moshë pune vetë-angazhohet në biznese familjare si tregtia, shërbimet apo zanatet.

Pjesa më e madhe e të vetë-punësuarve në vend janë me arsim të ulët. Sipas INSTAT, gati 41% e të punësuarve më arsim 8/9 vjeçar e fitojnë jetesën përmes vetëpunësimit. Edhe ata me arsim të mesëm tentojnë që të hapin bizneset e tyre, me vetëpunësimin që zë 34% të kësaj kategorie.

Ndryshe është për personat që kanë arsim të lartë, që duket se e kanë më të lehtë që të gjejnë një punë në biznese që nuk i kanë hapur vetë. Vetëm 12% e të punësuarve me arsim të lartë janë të vetëpunësuar.

Meshkujt janë më të prirur të hapin sipërmarrje, me 38% të tyre që janë të vetëpunësuar, kundrejt 25% të femrave.

Sipas grup-moshave, përqindja më e lartë e vetëpunësimit rezulton tek personat që janë mbi 65 vjeç (60%) dhe më e ulëta për të rinjtë deri në 24 vjeç (20%)./Monitor

Burimi: INSTAT
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular