Për herë të parë nga viti 2016, njësitë e sinjalizuesve që janë të ngritura dhe duhet të raportojnë shkeljet dhe praktikat e korrupsionit, janë bërë aktive edhe në sektorin privat.
Në raportin vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konflikteve të Interesave, për vitin 2023 rezulton se mes 7 rasteve që janë bërë sinjalizime, tre u përkasin dy kompanive private.
Pjesa tjetër u takon institucioneve publike. Po jo në të gjitha rastet, sipas Inspektoratit, këto sinjalizimeve kanë përfunduar në hetim administrativ.
Por cilat janë institucionet shtetërore për të cilat është bërë sinjalizimi pranë ILDKPKI?
Sipas këtij institucioni në analizim të raporteve të paraqitura të sektorit publik, konstatohet se, në 4 Njësi Përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste, në kuadër të Ligjit nr. 60/2016, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar, si më poshtë:
1.Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a.: Gjatë vitit 2023, nga ana e Njësisë Përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, raportohet se është regjistruar dhe hetuar 1 (një) rast sinjalizimi. Bazuar në rezultatet e auditimit të kryer për verifikimin e rastit të paraqitur ndaj personave përgjegjës për shkeljet e konstatuara është depozituar kallëzim për ndjekje penale në organin e Prokurorisë, si dhe është rekomanduar marrja e masave deri në largim nga puna.
2.Universiteti Bujqësor i Tiranës: Njësia Përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, ka raportuar se përgjatë vitit 2023 ka regjistruar dhe hetuar 1 (një) rast sinjalizimi. Pas veprimeve proceduriale të kryera për shqyrtimin e rastit, ka rezultuar se, referuar nenit 7, pika 2 e Ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar, të dhënat e sinjalizuara nuk siguronin bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit. Për këtë arsye, bazuar në nenin 14, të Ligjit nr. 60/2016, Njësia Përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në përfundim të hetimit administrativ ka vendosur “Mosfillimin e hetimit administrativ”.
3.Bashkia Lushnje: Njësia Përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve ka raportuar për 1 (një) rast sinjalizimi të administruar gjatë vitit 2023, nga shqyrtimi i të cilit ka rezultuar se sinjalizimi nuk ishte depozituar sipas përmbajtjes së kërkuar nga neni 7, i Ligjit nr. 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar. Për këtë arsye, sinjalizuesit i është kërkuar informacion më i hollësishëm dhe dokumentacion provues në mbështetje të sinjalizimit të kryer, duke vijuar hetimi për vitin 2024.
4.Posta Shqiptare Sh.a.: Njësia Përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve pranë Postës Shqiptare Sh.a., gjatë vitit 2023 raportohet të ketë pasur 1 (një) rast sinjalizimi, për të cilin, në përfundim të hetimit administrativ dhe veprimeve proceduriale të kryera, është bërë me dije sinjalizuesi mbi konkluzionet e arritura.
Nga sektori privat
Sipas ILDKPKI Në lidhje me Njësitë Përgjegjëse pranë sektorit privat, janë marrë dhe administruar 283 raporte sinjalizimi, nga të cilat rezulton se 232 Njësi Përgjegjëse kanë paraqitur raportet brenda afateve ligjore. Në analizim të raporteve të paraqitura, konstatohet se në 2 (dy) Njësi Përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste sinjalizimi.
1. “NELT” sh.p.k.: Gjatë vitit 2023, raportohet të ketë pasur 1 (një) sinjalizim lidhur me një praktikë të dyshuar korrupsioni. Në përfundim të hetimit administrativ bazuar në nenin 14 të Ligjit nr. 60/2016, i ndryshuar, është vendosur “Përfundimi i hetimit administrativ”, pasi nga hetimi ka rezultuar që sinjalizuesi nuk ka vepruar në kushtet e mirëbesimit, në zbatim të nenit 6 të ligjit të sipërpërmendur.
2 .“Sisal Albania” sh.p.k.: Gjatë vitit 2023 raportohet të ketë pasur 2 (dy) raste sinjalizimi, në përfundim të trajtimit të të cilave janë informuar palët e interesuara mbi konkluzionet e arritura.
Prej vitit 2016 Shqipëria ka miratuar kuadrin ligjor për ngritjen e strukturave të sinjalizuesve pranë institucioneve të cilët kanë më shumë se 80 punonjës në strukturën e tyre nëse janë sektor publik dhe 100 punonjës në privat . Nga viti në vit numri i njësive që raportojnë pranë Inspektoratit të Lartë ndryshon. Në raportin e vitin 2023 Inspektorati nënvizon se në sektorin publik funksionojnë 191 njësi përgjegjëse të kësaj natyre kurse në privat 593 njësi./Monitor