Antologjia e poezisë shqipe, e hartuar nga Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu-Melonashi, e përkthyer në rumanisht ka fituar çmimin e panairit të librit “LIBREX 2024, në qytetin e Jashit në Rumani
Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat
Panairi i Librit LIBREX 2024 u zhvillua në kryeqendrën kulturore të Rumanisë, në qytetin e Jashit, nga datat 10-14 prill 204. Këtë vit ishte edicioni i 29 i këtij panairi me pjesëmarrjen e 76 Shtëpive Botuese nga gjithë Rumania. Në ceremoninë e mbylljes së aktivitetit u krye ceremonia e ndarjes së Çmimeve nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, zoti Cassian Marian Spiridon dhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të Jashit, Mihai Chirica.
Juria akordoi 15 çmime të rëndësishme sipas gjinive letrare.
Këtë vit Shtëpia Botuese e ALAR-it mori çmimin Laurențiu Ulici për antologji letrare për botimin e Antologjisë së poezisë shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme me koordinuar Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu – Melonashi. Antologjia e poezisë shqipe (700 faqe) dhe me 63 autorë shqiptarë që nga zanafilla dhe deri më sot është botuar nga Shtëpia Botuese e ALAR, Asdreni, me një studim hyrës nga kritiku dhe shkrimtari Marius Chelaru, kryeredaktor i revistës “Poezia”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.
Në këtë mënyrë, juria LIBREX shpërbleu vlerën e botimit të antologjisë së poezisë shqipe në rumanisht. Vlerësimi i kësaj vepre të rëndësishme është dhe një nder dhe vlerësim jo vetëm për hartuesit dhe përkthyesit e saj, por për kulturën shqiptare dhe poezinë shqipe në të gjitha kohërat dhe në të gjitha trevat.
Anëtarë të jurisë ishin Eugen Munteanu, Prof. Dr. në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” Jash, Ioan Holban, shkrimtar, drejtor i Teatrit “Luceafărul” Jash, Petru Nicu Gavrilută, profesor PhD në Fakultetin e Filozofisë dhe Shkencave Politike të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” në Jash, Cassian Maria Spiridon, shkrimtar, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali Jash, Florin Cîntic, historian dhe shkrimtar, Valeriu Stancu, shkrimtar dhe Dragoş Pătrașcu, artist figurativ dhe profesor universitetit në UNAGE Jash.