James Doshi, një prej djemve të kreut të Partisë Social-Demokratike, Tom Doshi, ka aksidentuar një çift bashkëshortësh.
Bëhet fjalë për pronarin e hotel “Gjuetia”, Viktor Jushi dhe bashkëshorten e tij, e cila ka marrë dëme të mëdha, por është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gajush të Lezhës, teksa djali i Doshit po udhëtonte në drejtim të Shkodrës.
Por edhe pse ka qenë fajtor në aksidentin që ka shkaktuar, James Doshi është favorizuar nga autoritetet dhe Policia e ka lejuar të marrë mjetin e të largohet.
Pas hetimeve, Prokuroria e Lezhës ka regjistruar një procedim penal për “shpërdorim detyre”.
Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula është pezulluar nga detyra, ndërsa nën hetim është e gjitha struktura drejtuese e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Si ndodhi aksidenti
Djali i ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi, teksa po lëvizte me makinë, ka përplasur një automjet ku lëvizte pronari i “Hotel Gjuetia” dhe i fabrikës së mermerit “ARPEG Stone Art & Craft”, Viktor Jushi me bashkëshorten e tij.
Nga hetimet ka rezultuar se djali i Doshit ka qenë fajtor, por është favorizuar nga policia, e cila nuk ka kryer veprimet konform ligjit, duke e lejuar që të marrë automjetin dhe të largohet.
Në lidhje me këtë çështje organi i akuzës është vënë në lëvizje, duke regjistruar procedim penal për “shpërdorim detyre”.
Prokuroria e Lezhës ka kërkuar verifikimin e tabulateve telefonike të efektivëve të Komisariatit të Policisë Rrugore, për të zbardhur rolin e secilit prej tyre në këtë aksident dhe cili nga eprorët i ka urdhëruar të mos bënin detyrën dhe të ngarkimin me përgjegjësi djalin e Tom Doshit.
Kush është djali ‘problematik’ i Tom Doshit
Më 26 prill të vitit 2022, në zonën e ish-Bllokut, James dhe Marcos Doshi, së bashku me shokun e tyre Eduart Laskajn dhunuan me sende të forta një 38-vjeçar.
Në vendngjarje shkruan edhe forcat e Policisë, por tre të rinjtë nuk i janë bindur efektivëve, duke i kundërshtuar dhe duke i goditur.
I marrë në pyetje për atë që ndodhi, Laskaj tregoi se sherri me 38-vjeçarin kishte nisur në rrjete sociale dhe më pas agravoi në ish-Bllok.
Jeta përrallore e djemve të Tom Doshit
James dhe Marcos quhen të rinjtë, të cilët pasionin pas makinave të shtrenjta e tregojnë në çdo postim në Instagram.
Marcos preferon AMG-të gjykuar nga foto e shumta që poston me to. Një Mercedes AMG CLA ku kushton rreth 50 mijë euro dhe djemtë e Doshit kanë një batalion të tërë.
Ata frekuentojnë klubet më të mira në vendet më të shtrenjta jashtë vendit, ku gjithmonë gjenden në zonën VIP.
Përsa i përket “bishave” që për ta janë makina të thjeshta, posedojnë një autosallon më vete me një vlerë mbi 70 mijë euro.
Të rinjtë janë trashëgimtarë të hoteleve më luksoze në Tiranë dhe “Coloseut” në Shkodër. (VoxNews)