BallinaEkonomiBanka e Shqipërisë: Sulmet kibernetike ndaj sektorit bankar në 2023 dështuan

Banka e Shqipërisë: Sulmet kibernetike ndaj sektorit bankar në 2023 dështuan

spot_img
spot_img

Sektori bankar tregoi aftësi të përmirësuar për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike vitin e kaluar.

Sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në rrafsh global dhe pozicionimit të Republikës së Shqipërisë në mënyrë aktive ndaj këtyre zhvillimeve, edhe gjatë vitit 2023, sektorë kritikë, përfshirë sistemin bankar dhe më gjerë atë financiar, kanë qenë nën kërcënime të vazhdueshme kibernetike të përshkallëzuara.

Kjo situatë u shoqërua me rritjen e nivelit të alarmit dhe të masave parandaluese, në raport të drejtë me kërcënimet.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vëren se sistemi financiar ka administruar në mënyrë të kujdesshme sulmet e vazhdueshme dhe të shumëllojshme, të cilat kanë pasur si synim fundor dëmtimin e imazhit dhe besimit ndaj institucioneve financiare dhe, veçanërisht, bankave në publikun e gjerë, më shumë sesa për qëllime përfitimi të vlerave monetare.

Për rrjedhojë, banka qendrore vë në dukje se sulmet kibernetike nuk kanë arritur të përmbushin në mënyrë të suksesshme qëllimin e tyre.

Gjatë vitit 2023 veçohen sulmet e mohimit të shërbimit (DoS – Denial of Service) të vërejtura në tremujorin e tretë, të cilat kanë pasur si shënjestër edhe bankat e nivelit të dytë, me qëllim ndërprerjen e shërbimeve të ofruara nga faqet e tyre të internetit.

Ndërsa në tremujorin e katërt të vitit 2023 pati disa tentativa për smishing (imitimin e faqeve zyrtareve të bankave), të cilat kanë rezultuar gjithashtu të pasuksesshme, falë masave të marra nga bankat dhe fushatave të ndryshme për ndërgjegjësimin e klientëve.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë thekson se po vërehet një vëmendje e shtuar e klientëve në rastet e aksesimit në distancë të lidhjeve me shërbimet e bankës, dhe, nga vetë klientët e bankave, janë identifikuar dhe raportuar disa tentativa për vjedhjen e kredencialeve të tyre.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se ka forcuar shkallën e komunikimit dhe ndërveprimit veçanërisht me sektorin bankar dhe autoritetet rregulluese përgjegjëse të fushës, duke shtuar fokusin dhe vëmendjen në këtë drejtim, veçanërisht në procesin e inspektimeve në vend.

Në këtë kontekst, me qëllim përditësimin e kuadrit rregullator me zhvillimet e sigurisë se informacionit dhe përmirësimin e proceseve mbikëqyrëse, Banka e Shqipërisë po vijon me procesin e rishikimit të kuadrit rregullator sipas standardeve dhe praktikave më të mira të Bashkimit Evropian.

Ky proces, sipas Bankës së Shqipërisë, do të finalizohet edhe me bashkëveprimin e industrisë bankare, me qëllim përfshirjen edhe të praktikave më të mira të tregut.

Qysh prej vitit 2022, sektori bankar është përballur me një valë sulmesh kibernetike ndaj sektorëve me rëndësi kritike në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe sistemin bankar.

Nëse në vitin 2022, disa prej sulmeve ndaj sektorit bankar rezultuan pjesërisht të suksesshme, duke krijuar edhe probleme për klientët e bankave, për vitin 2023 sektori bankar duket se i ka menaxhuar më mirë rreziqet e lidhura me sulmet kibernetike.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular