BallinaOP EDErion Veliaj në SPAK, globi është rrumbullak…?

Erion Veliaj në SPAK, globi është rrumbullak…?

Nga Xhevat MUSTAFA
Lajmi se më në fund SPAK, nënkuptueshëm edhe pas një “pickimi të lehtë” apo “kujtese në vesh” nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, pse jo edhe nga vetë Edi Rama, “u kujtua” t’i bëjë një “ftesë për vizitë” në një nga zyrat e tij edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, më së pari është pritur me shqetësim, pasiguri, frikë, panik…prej atij vetë dhe bashkëshortes. Nënkuptohet, logjikshëm edhe nga njerëz të tjerë të afërm të rrethit familjar, farefisnor, miqsor, oligarkor, kullaist, teatro dhe lulishte rrënues, ajër dhe ambientndotës në Tiranë…, duke e bërë, me shumë gjasa, kryeqytetin më të ndotur në Evropë nga tymra, gazra, helme, plehra dhe për “pisllëqe korrupsioni”. E padiskutueshme që janë alarmuar dhe depresuar edhe bosë të inceneratorëve funksionalë apo në letra e dosje, që këto vite i kanë djegur buxhetit të shtetit, të vendit, të popullit, ndër më të varfrit në Evropë, më shumë miliona në lekë dhe euro se sa kodra me plehra…Ndër më të frikësuarit apo të keqardhurit nga ky lajm mund e duhet të jenë Xhorxh dhe Alex Soros, Yuri Kim, McGonigal… Është e logjikshme që ndryshe nga këta erionveliajistë me zemër ose për nga firmat shumëmilionëshe të tij, ky lajm të jetë pritur si sihariq e si fitore nga fronti opozitar i vërtetë apo i sinqertë, jo nga “lepujt” dhe “të përdorurit nga Saliu, vajza e Saliut apo çuni i Fahriut”! Domethënë jo nga ata gjase opozitarë, që pasi e kanë “bombarduar me kritika” në protesta apo media, fshehurazi apo si hajdutshe, kanë shkuar në kabinetin e tij ose në një zyrë të një besniku të tij, për të marrë lejet e ndërtimit dhe për të përfituar favore të tjera prej “bujarisë” dhe firmës milionarizuese të Erion Veliajt, duke pranuar kështu të bëhen “kukulla e kartona të përdoruara” në duart e tij apo të Edi Ramës!? Ka shumë të ngjarë që ftesa e tejvonuar nga SPAK për Erion Veliajn firmarëndë, bëmamadh dhe dosje e çelësashumë, të jetë pritur me kënaqësi të hapur e të përmbajtur pa dëshirë e me sforco edhe nga jo pak socialisto-rilindas. Disa prej këtyre mund të kanë mbetur të harruar e të zhgënjyer prej tij. Ndonjëri apo disa të tjerë, duke qenë me poste më të lartë se ai, ia kanë pasur dhe ia kanë frikën se mos ka ambicie dhe ka punuar si urithi pas kurrizit të tyre për t’ua rrëmbyer e zënë fronet e për t’i gremisur, fillimisht, në një nga zyrat e frikshme dhe drithëruese të SPAK-ut. Të tjerë socialistë të vërtetë dhe idealistë, pasi janë bindur se ai gjatë 9 viteve të kryetarllëkut në Bashkinë e Tiranës ka punuar më shumë për veten individualisht dhe familjarisht; për miqtë apo ortakët e tij bosë e oligarkë; për ca drejtora dhe drejtoresha të pangopshëm e të paskrupullt për të marrë për vete dhe kompanitë e tyre tenderë shumëmilionash në euro; për “si babanë”-Xhorxh Soros e “sivëllanë”-Alex Soros; duke ia lënë “kopilët” e tij në derë PS-së, qeverisjes së saj dhe imazhit “të së majtës”, nuk e kanë dashur dhe nuk e durojnë më Erion Veliajn si përfaqësues, shpërdorues, turpërues i votës së tyre e si kryebashkiak… Gjithsesi, le t’i lëmë mënjanë hamendësimet për gëzimet dhe frikërat e të tjerëve e të përqendrohemi tek ndjesitë dhe përgatitjet e Erion Veliajt për vizitën e parë, me ftesë zyrtare, në SPAK! Siç e kemi traditë e zakon ne shqiptarët dhe siç ua kemi përcjellë edhe atyre jo 100% shqiptarë, nuk mund të mendohet se Erioni do të shkojë duarbosh tek godina hijerëndë e Altin Dumanit, Arben Krajës, Irena Gjokës dhe të tjerëve, që përbëjnë ekipin e frikshëm e “të pavarur”të SPAK-ut. Me një dozë humori, referuar traditës dhe praktikës rreth 9 vjeçare të Erion Veliajt, mund të mendohet më shumë që atij t’i ketë shkuar ndërmend për t’i nderuar duke u dhuruar secilit nga një çelës të madh të Tiranës. Por, ama jo shoqëruar me çelësat e kabinetit, të kasafortës dhe të sirtarëve të tij mbush me dokumente “tepër sekret” apo me “tepër spec”! Nuk po zgjatem më, po e mbyll me urimin për kryebashkiakun e Tiranës, as socialisto-rilindas bio, as edramist me bindje të sinqertë e të palëkundshme: Rruga e mbarë për vizitën e parë në SPAK, Erion Veliaj! Dalsh nga kabineti i Altin Dumanit jo si nipërit dhe mbesat nga dhoma gjyshit dhe gjyshes e fëmijët nga dhoma e babit dhe e mamit…! Ndoshta, kur të dalësh nga godina e SPAK do të të kujtohet nga tekstet e gjeografisë se globi, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria dhe Tirana, nuk është si një kullë 20-35 katëshe , por si një top, rrumbullak e që rrotullohet pa u ndalur ASPAK!?

Botuar në gazetën “BOTA SOT”, 30.04.2024

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular