Furrat e bukës dhe pastiçeritë për rreth 2 javë, përkatësisht nga data 7 deri më 20 Maj do të plotësojnë formularin e shpërndarë nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) për kushtet konkrete se në cilën fashë të energjisë elektrike përfshihen.
Plotësimi i formularit i paraprin zbatimit të vendimit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për ndarjen e çmimit të energjisë elektrike në 3 fasha, sipas kategorizimit të bizneseve të prodhimit të bukës.
Nga Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave u njoftua se çdo objekt nga data 7 deri më 20 Maj do të plotësojë një formular sipas kushteve konkrete se në cilën fashë përfshihet subjekti.
“FSHU-ja do të bëjë me grupe pune verifikimin e gjendjes konkrete të furrave të bukës e pastiçerive, nga data 7-20 Maj. Ky do jetë hapi i parë për zbatimin e këtij vendimit të ERE-s Nr.72 datë 15/04/2024”, pohon shoqata.
Faturimet e reja që do të kryhen duke filluar 1 Maj 2024 deri në 31 dhjetor 2024 do të zbatohen sipas çmimeve të reja për prodhuesit e bukës. Pas ngritjes së një grupi pune dhe konsultimeve të vazhdueshme, Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave dhe MIE e OSHEE Group, kanë rënë dakord për tre çmime të ndryshme sipas llojit të aktivitetit që ka subjekti.
Në vendimin e miratuar nga ERE për kategorinë e parë ku përfshihen “Vetëm Furra buke/prodhim mielli” çmimi i energjisë elektrike do të jetë 7.6 lekë/kWh. Për kategorinë e dytë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri” çmimi do të jetë 9,5 lekë/kWh dhe për kategorinë e tretë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe” çmimi do të jetë 12 lekë/kWh.
Aktualisht vetëm furrat e bukës dhe prodhimit të miellit për tension 0.4 kv duhet të paguajnë një tarifë të subvencionuar prej 7.6 lekë/kWh të vendosur nga ERE që në vitin 2018.
Ndërsa për bizneset të lidhura në tension 0.4 kv tarifa e energjisë është 14 lekë për kWh. Por pavarësisht vendimit të mëparshëm aktualisht të gjitha furrat në vend pavarësisht shërbimeve që ofronin si pastiçeri apo bar-kafe, energjinë e blinin me 7.6 lekë.
Vendimi për kategorizimin e 3 çmimeve të energjisë elektrike
FSHU sh.a., në kërkesën për përcaktim të çmimit të shitjes së energjisë elektrike për subjektet “Furra buke dhe/ose prodhim mielli” të lidhura në nivelin e tensionit 0.4 kV, ka propozuar një kategorizim të ri të këtyre subjekteve si më poshtë vijon:
Kategoria I, ku përfshihen subjektet të cilat përfitojnë çmimin 7.6 lekë/kWh të energjisë elektrike.
Për përfitimin e kësaj tarife subjektet duhet të disponojnë:
- Licenca për prodhim dhe tregtim buke me NIPT të veçantë të dedikuar ose Sekondar.
- Ambienti i prodhimit ose tregtimit të jetë i veçantë, me dalje më vete dhe i ndarë me ambientet e tjera.
- Duhet të jenë këto pajisje të domosdoshme: Dhomë ardhje, brumatriçe me kapacitet mbi 50 kg, pajisje frigoriferike pune, makinë prerëse buke, sistem ndriçimi, ajrosje, kondicionimi, si dhe pajisje të tjera ndihmëse për prodhimin dhe tregtimin e bukës.
– Kategoria II, ku përfshihen subjektet të cilat përfitojnë çmimin 9.5 lekë/kWh të energjisë elektrike.
Për përfitimin e kësaj tarife subjektet duhet të disponojnë:
- Licenca duhet të jetë: prodhim dhe tregtim buke, brumëra dhe pastiçerie.
- Në ambientet e prodhimit dhe tregtimit duhet të jenë këto pajisje të domosdoshme: Dhomë ardhje, brumatriçe me kapacitet mbi 50kg, pajisje frigoriferike pune, makinë prerëse buke, sistem ndriçimi, ajrosje, kondicionimi, si dhe pajisje të tjera ndihmëse për prodhimin dhe tregtimin e bukës.
- Në ambientet e saj mund të ketë dhe pajisje të tjera për prodhimin, ruajtjen dhe tregtimin e të gjitha produkteve të veta, të pastiçerisë dhe brumërave si: Pajisje frigoriferike pune, ngrirës dhe freskues, mikser, abatitor, sfoliatriçe, pajisje të tjera pastiçerie, banaqe (ekspozitor), freskues, ngrirës, ngrohës për tregtimin vetëm të produkteve të veta, të bukës, pastiçerisë dhe brumërave.
– Kategoria III, subjektet të cilat përfitojnë çmimin 12 lekë/kWh të energjisë elektrike.
Për përfitimin e kësaj tarife subjektet duhet të disponojnë:
- Këtë çmim do ta përfitojnë të gjitha ato subjekte që në ambientet e tyre, prodhohet dhe tregtohet: bukë, pastiçeri dhe prodhime brumërash.
- Duhet të ketë të instaluar pajisjet përkatëse, si: Dhomë ardhje, brumatriçe me kapacitet mbi 50kg, pajisje frigoriferike pune, makinë prerëse buke, sistem ndriçimi, ajrosje, kondicionimi, si dhe pajisje të tjera ndihmëse për prodhimin dhe tregtimin e bukës.
- Në ambientet e saj mund të ketë dhe pajisje të tjera për prodhimin, ruajtjen dhe tregtimin e të gjitha produkteve të veta, të pastiçerisë dhe brumërave, si: Pajisje frigoriferike pune, ngrirës dhe freskues, mikser, abatitor, sfoliatriçe, pajisje të tjera pastiçerie, banaqe (ekspozitor), freskues, ngrirës, ngrohës për tregtimin vetëm të produkteve të veta, të bukës, pastiçerisë dhe brumërave.
- Në këto ambiente mund të përfshihet edhe shërbimi Bar-Kafe dhe ushqim vetëshërbim. Monitor