Nga Arben Çejku
Jam i lumtur të njoftoj botimin në anglisht të librit tim për Kosovën “Sovraniteti versus Integriteti – prapaskenat e dialogut Kosovë – Serbi 2005 – 2020).
Me këtë rast falenderoj botuesin, UET (Universitetin Europian të Tiranës), që po e sjell këtë vepër në një kohë shumë interesante të raporteve të tensionuara mes Prishtinës e Beogradit dhe kur vëmendja ndërkombëtare është rikthyer në kufirin mes dy vendeve, aty ku po provokohet stabiliteti i rajonit tonë.
Sot i shpreh mirënjohjen time Ambasadorit Avni Spahiu, i cili e përktheu tekstin voluminoz nga shqipja në anglisht, me një përkushtim, durim dhe profesionalizëm të admiruar! E kush tjetër veç Avniut, ish-gazetar, përkthyes e bashkëpunëtor me Rugovën, përjetues i gjithë zhvillimeve në Kosovë, njohës i historisë dhe kontekstit të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, mund ta kuptonte dhe përkthente më mirë këtë libër? Faleminderit Ambasadori i parë i Kosovës në Washington, Kryetar i Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës!
Mirënjohja ime me këtë rast u shkon të gjithë atyre që me sugjerimet dhe mbështetjen e tyre e bënë të mundur përmbylljen e këtij procesi siç janë studiuesi dhe profesori i Columbia University, miku im David L. David L. Phillips, ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, që e pata në krah gjatë misionit tim në Kosovë e ne vazhdim si dhe më ka nderuar me shënimin për botimin anglisht dhe komentet në promovimet e librit në Kosovë, ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Besnik Mustafaj; i cili më emëroi në Kosovë në 2005, me porosinë “mba shënim çdo gjë se do zhvillohen procese të mëdha historike” dhe një ndër lexuesit e parë të librit dhe inkurajues që ai të botohet. E falenderoj për këshillat dhe sugjerimet me vlerë!
Intelektuali dhe shkrimtari i njohur, miku im Prenci Ahmet, nxitësi kryesor që unë të ulem e të shkruaj ato që ja shfaqja përherë si brenga për Kosovën në përditshmërinë e takimeve tona, meriton sot falenderime zemre. Ai më qëndroi pranë si ndihmë e çmuar që nga kapitulli i parë në shqip e deri në botimin anglisht!
Për botimin anglisht një kontribut të madh ka dhënë Prof.Dr. Medlir Mema, një studiues i rrallë i marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili së bashku me kolegun e tij amerikan Ian Sayeedi dhe Jon Çejku, lexuan, korrektuan, redaktuan dhe u kujdesën që teksti të jetë në një anglishte bashkëkohore! Many thanks guys!
Falenderoj miqtë e mij dhe studiuesit Altin Gjeta, Prof.Dr. Veton Latifi dhe koordinatoren time për në Maqedoninë e Veriut, intelektualen dhe veprimtaren e shquar Elita Masha dhe mikun tim të dashur, Ani Masha, të cilët u përkujdesën vazhdimisht për promovimin dhe botimin në anglisht të këtij libri!
Një mirënjohje të veçantë për mikun tim Henri Çili për mbështetjen e këtij projekti në kuadër të UET!
Faleminderit ekipit të UETPress të drejtuar nga Edi Vlusha, që me shumë punë e përkushtim realizuan botimin cilësor në anglisht!
Mirënjohje pa fund edhe për të gjithë ata që morën pjesë në botimin shqip (2020) dhe më ndihmuan ta promovoj këtë libër brenda e jashtë vendit si dhe e zbukuruan e i dhanë vlerë me komentet e tyre!