BallinaEkonomiAlessandro D’Oria, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri: Turizmi mund...

Alessandro D’Oria, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri: Turizmi mund të jetë minierë ari për Shqipërinë, por duhet menaxhuar dhe diversifikuar

Intervistë me Alessandro D’Oria, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri
Vitet e fundit, sektori bankar karakterizohet nga një transformim tërësor, falë teknologjisë. Bankat janë institucione të drejtuara nga të dhënat sipas kuptimit, dhe zhvillimi i mësimit të makinerive dhe e ashtuquajtura Inteligjencë Artificiale do të sjellin përshpejtim në automatizimin e proceseve dhe pagesave dixhitale

Turizmi në përgjithësi mund të bëhet miniera e re e arit për Shqipërinë, por duhet menaxhuar dhe diversifikuar në nivel të lartë profesionalizmi.

Alessandro D’Oria, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri, thotë për “Monitor”, se nga pikëpamja bankare, sektori është shumë interesant, pasi paraqet një kërkesë të lartë për investime të rëndësishme.

Sipas tij, prania ndërkombëtare kërkon më shumë pagesa dixhitale dhe transparencë, që janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm përshpejtimi dhe modernizimi për vendin.

Z. D’Oria mendon se arritja më e rëndësishme për sektorin financiar vitin e kaluar ishte pikërisht tendenca në rritje e pagesave dixhitale, në të cilën të gjitha Bankat, Fintech dhe rregullatori po investojnë dhe për ta zhvilluar më shumë në të ardhmen.

Duke parë nga e ardhmja, z. D’Oria mendon se pikërisht zgjerimi i mëtejshëm i dixhitalizimit dhe mungesa e profesionistëve janë ndër sfidat kryesore për sektorin bankar.

Si e vlerësoni ecurinë e Intesa Sanpaolo Bank Albania gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në vitin 2023?

Në vitin 2023, Intesa Sanpaolo Bank Albania, shënoi 15 vite të suksesshme në Shqipëri.

Kjo arritje u kurorëzua me performancën më të mirë të Bankës ndonjëherë në vend, duke ndjekur të njëjtat hapa të Grupit tonë Intesa Sanpaolo. Jemi krenarë që kemi arritur një fitim neto prej më shumë se 3 miliardë lekësh, me rritje vjetore mbi 137%, nën koordinimin e Divizionit Ndërkombëtar të Bankave Filiale.

Këto rezultate u mundësuan jo vetëm falë rritjes së normës së interesit, që e bëri shpërndarjen e likuiditetit tonë më fitimprurës, por edhe për shkak të fitimit neto në komisione.

Fitimi neto i akumuluar nga komisionet na siguron qëndrueshmëri në vazhdimësi, në fitimin e të ardhurave, në rast se normat e interesit mund të pësojnë ulje gjatë vitit 2024.

2023 ishte një vit transformues, në përputhje me qëllimin tonë: ndryshojmë teksa performojmë. Gjatë vitit të kaluar, ne prezantuam nisma të reja, produkte, shërbime dhe një model të ri pune: Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Eurizon Capital S.A., filial i Eurizon Capital SGR, u bënë subjektet e para që u licencuan nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për t’u ofruar qytetarëve vendas akses të drejtpërdrejtë në investimet kolektive në BE;

nisi Projekti Bancassurance, që ofron sigurimin për mbrojtjen e kredisë për klientët e bankës; hapi Qendrën Hipotekore, për të ofruar shërbim të dedikuar për segmentin në rritje të klientëve të kredisë hipotekore; hapi degën e saj të parë Smart pa-cash në zonën e Piramidës në Tiranë;

vendosi bankomatet e depozitimit të parave të biznesit në degë; zgjeroi ATM-të dhe degët e saj, për t’u shërbyer më mirë nevojave të komunitetit dhe turizmit etj., njëkohësisht duke përmirësuar performancën komerciale në huadhënie dhe depozita.

Intesa Sanpaolo Bank Albania mori pjesë si bashkëfinancuese në projektin e parkut solar të Karavastasë; një investim prej 135 milionë eurosh dhe një projekt historik për Shqipërinë – i ndërtuar nga kompania franceze “Voltalia” gjithashtu i bashkëfinancuar nga International Finance Corporation (IFC), Privredna Banka Zagreb dhe Voltalia.

Ishte një vit i suksesshëm për sistemin bankar në Shqipëri. Nga këndvështrimi im, arritja më e rëndësishme për sektorin ishte tendenca në rritje e pagesave dixhitale, në të cilën të gjitha Bankat, Fintech dhe rregullatori po investojnë dhe për ta zhvilluar edhe më shumë në të ardhmen.

Pas pandemisë ka pasur një rritje të ndjeshme të rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme për zhvillimin e ekonomisë. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?

Turizmi është një nga sektorët kryesorë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Shqipëria, si “brand”, përmirësoi reputacionin e saj dhe rriti vëmendjen e ndërkombëtarëve, falë operatorëve që nisën dhe zhvilluan aktivitetet e tyre këtu, si dhe lidhjeve të forta me një numër mbresëlënës fluturimesh që e bëjnë Tiranën dhe Shqipërinë një destinacion të lehtë dhe të përballueshëm nga Europa dhe Lindja e Mesme.

Ka shumë hapësirë për rritje të mëtejshme për sa i përket cilësisë dhe diversifikimit të ofertës.

Nga pikëpamja bankare, sektori është shumë interesant, pasi ka një kërkesë të lartë për investime të rëndësishme. Për më tepër, prania ndërkombëtare kërkon më shumë pagesa dixhitale dhe transparencë, që janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm përshpejtimi dhe modernizimi për vendin. Turizmi në përgjithësi mund të bëhet miniera e re e arit për Shqipërinë, por duhet menaxhuar dhe diversifikuar në nivel të lartë profesionalizmi.

Nga ana tjetër, zhvillimi i pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes së operatorëve dhe sigurisht po kontribuon në ndryshimin e imazhit të vendit, kryesisht në Tiranë dhe qytetet bregdetare të Durrësit dhe Vlorës, me investime të konsiderueshme të iniciuara nga Qeveria Shqiptare (Tuneli i Llogorasë, Aeroporti i Vlorës, Marina e Vlorës, Porti i Durrësit etj.) që mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të turizmit dhe tregtisë ndërkombëtare.

Për mendimin tim, oferta duhet të jetë më e larmishme për sa u përket tipologjive të akomodimit, që mund të arrijnë të gjitha kategoritë e turistëve.

Në lidhje me sektorin e pasurive të paluajtshme, një vëmendje më e madhe duhet t’i kushtohet strehimit social dhe rikualifikimit të ndërtesave, me fokus në eficiencën e energjisë.

Së fundmi, një tjetër sektor i rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë është agroturizmi dhe agrobiznesi, si elemente kryesore të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, e cila do të ringjallë zonat rurale të vendit dhe do të ofrojë edhe më shumë mundësi për të tërhequr vizitorë të eko-turizmit dhe turizmit kulinar.

Është thelbësore që Shqipëria të zhvillojë strategjinë e duhur, për të tërhequr më shumë investime edhe në këta sektorë.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2024?

Vitet e fundit, sektori bankar karakterizohet nga një transformim tërësor, falë teknologjisë. Bankat janë institucione të drejtuara nga të dhënat sipas kuptimit, dhe zhvillimi i mësimit të makinerive dhe e ashtuquajtura Inteligjencë Artificiale do të sjellin përshpejtim në automatizimin e proceseve dhe pagesave dixhitale.

Sfida është e dyfishtë: këto teknologji kërkojnë kapitale të mëdha dhe investime, dhe këto nuk janë as të përballueshme statistikisht nga të gjitha bankat.

Intesa Sanpaolo Bank Albania ka aftësinë për ta bërë këtë, duke përfituar nga të qenët pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo, i cili me të vërtetë po investon ndjeshëm në këtë fushë.

Sfida e dytë është mungesa e profesionistëve, pra e kapitalit të duhur njerëzor. Bizneset shqiptare po investojnë për këtë me disa nisma. Megjithatë, thelbësore për të tërhequr dhe për të mbajtur këta punonjës nuk janë vetëm pagat dhe zhvillimi në karrierë, por krijimi i një mjedisi pune bashkëpunues dhe i aftë për të nxitur nismën, kreativitetin dhe zhvillimin.

A do të jetë në gjendje sektori bankar shqiptar ta bëjë këtë? Kjo mbetet për t’u parë.

Banka nuk është vetëm procese dhe teknologji. Ne ende besojmë se kapitali njerëzor, i kombinuar me të dhënat, do të mbajë një rol thelbësor për shërbimet me vlerë të shtuar.

Ne kemi nevojë për punonjës të aftë për të ofruar njohuri dhe për të mbështetur klientët me konsulencë të sofistikuar financiare. Kjo kërkon jo vetëm punësimin e më të mirëve, por edhe përforcimin e trajnimit dhe zhvillimit për stafin ekzistues.

Rikualifikimi është tendenca e re në industrinë tonë (dhe jo vetëm për ne).

Së fundi, puna dhe jeta jonë do të kushtëzohen gjithmonë e më shumë nga ndryshimet klimatike: rrjedhimisht, ne duhet të mbajmë në konsideratë investimet e gjelbra dhe përgjithësisht temat ESG dhe të mbështesim, në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet financiare ndërkombëtare, tranzicionin e dyfishtë (energji dhe dixhitalizim) sa më shumë që të jetë e mundur.

Sigurisht që viti 2024 dhe vitet e ardhshme nuk do të jenë aspak të mërzitshme!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular