BallinaEkonomiINTERVISTA/Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri: Turizmi ka sjellë...

INTERVISTA/Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri: Turizmi ka sjellë përmirësim strukturor të ekonomisë

Intervistë me Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri
Rritja e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme ka ndikim të rëndësishëm në sektorin bankar, duke sjellë sfida të reja dhe mundësi të reja për bankat për të shfrytëzuar potencialin e këtyre sektorëve.

Ritmi i lartë i ecurisë së turizmit ka ndikuar në një përmirësim strukturor të ekonomisë shqiptare dhe pozicionit të saj të jashtëm.

Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri, thotë për “Monitor” se turizmi ka rritur eksportet e shërbimeve dhe paralelisht ka nxitur një zinxhir të investimeve publike dhe private në infrastrukturën turistike, duke përfshirë ndërtimin e hoteleve, restoranteve, infrastrukturës së transportit dhe atraksioneve turistike.

Turizmi ka rritur kërkesën për prona të paluajtshme, ka krijuar mundësi për investime të reja dhe financime në sektorin bankar. Lidhur me sfidat e sektorit në vazhdim, z. Canacaris shprehet se adoptimi i teknologjisë kërkon vëmendje të shtuar për të forcuar sistemet e informacionit dhe proceset shoqëruese për një siguri më të lartë, por edhe edukim të tregut për të marrë shërbime bankare online.

Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të Raiffeisen Bank Shqipëri gjatë vitit të kaluar? Cilat ishin zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në vitin 2023?

Në vitin 2023, Raiffeisen Bank ka shënuar një performancë të shkëlqyer dhe ne jemi të kënaqur të ndajmë këto rezultate pozitive me ju. Raiffeisen Bank e zgjeroi aktivitetin e vet në 2023, duke rritur aktivet me 7% krahasuar me një vit më parë.

Treguesit kyç të performancës financiare të bankës mbetën të shëndetshëm, duke reflektuar një strategji të suksesshme dhe të qëndrueshme të zhvillimit të biznesit tonë.

Në të njëjtën kohë, zgjerimi i kredisë në total dhe rritja e kredive për segmentin e individëve me 7.9% tregon besimin e rritur të klientëve në produktet dhe shërbimet tona. Ky është rezultat i përkushtimit tonë për të ofruar zgjidhje financiare të përshtatshme për nevojat e tyre.

Ne mbetemi banka më e madhe në treg për kreditë dhënë individëve, me rreth 19.9% të tregut. Duhet përmendur që zhvlerësimi i monedhës Euro ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e përmbajtur të kredisë për biznes, duke qenë se ky portofol përmban një pjesë të konsiderueshme në monedhë të huaj e kryesisht euro.

Volumi i depozitave ka shënuar rritje të moderuar prej afërsisht 4% gjatë vitit 2023, përkrahur sidomos nga likuiditetet e rritura të bizneseve në fund të vitit, duke treguar një nivel të lartë të besimit të klientëve dhe partnerëve tanë në bankën tonë.

Edhe në këtë rast, zhvlerësimi i Euros ka luajtur rol kyç në përqindjen e rritjes së depozitave.

Një aspekt i rëndësishëm është edhe angazhimi ynë në dixhitalizim dhe inovacion. Ne kemi vazhduar të investojmë në teknologjinë e informacionit dhe në zhvillimin e platformave dixhitale për të përmirësuar eksperiencën e klientit dhe për të ofruar zgjidhje inovative.

Kjo përfshin ofrimin e shërbimeve bankare nëpërmjet aplikacioneve mobile dhe platformave të tjera të shërbimit.

Po ashtu, jemi krenarë të njoftojmë se kemi certifikuar praktikat tona për menaxhimin e informacionit të sigurisë sipas standardit ndërkombëtar ISO 27001. Certifikimi dëshmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të mbrojtur të dhënat e klientëve dhe për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të besueshëm për të gjithë palët e interesuara.

Një tjetër projekt shumë të rëndësishëm, që Raiffeisen realizoi gjatë vitit 2023, të cilin dua ta përmend, është bashkëpunimi dhe mbështetja e Bursës Shqiptare të Energjisë, ALPEX.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, Raiffeisen Bank u bë partneri i parë bankar në Shqipëri që ofroi shërbime të shlyerjes dhe klerimit të transaksioneve për klientët e saj të angazhuar në tregun e energjisë.

Kjo, jo vetëm që kontribuon në zhvillimin e sektorit të energjisë në vend, por gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të tregut financiar në Shqipëri.

Në përgjithësi, rezultatet pozitive të vitit 2023 tregojnë për një performancë të qëndrueshme dhe angazhim të vazhdueshëm për të ofruar shërbime cilësore për klientët tanë, duke përfshirë edhe përdorimin e teknologjisë së informacionit, menaxhimin e sigurisë së informacionit sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe ofrimin e produkteve novatore tërësisht online si Kredia Flash.

Edhe tregu bankar ka përjetuar një periudhë të rritjes dhe të ndryshimeve të rëndësishme në vitin 2023.

Performanca e sektorit bankar në vitin 2023 është karakterizuar nga rritja e qëndrueshme e aktiveve, depozitave dhe e fitimeve, zgjerimi i kredisë me theks të veçantë në kredinë për individë dhe përmirësimi i performancës së kredisë së keqe nga 5% e totalit të kredive në 2022 në vetëm 4.7% në 2023.

Niveli i kapitalizimit të sistemit bankar vijoi të rritet edhe këtë vit, në 19.6%, duke rritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e sistemit bankar. Të gjitha së bashku, këto zhvillime tregojnë për një sektor të fortë dhe të përgatitur për t’u përgjigjur ndaj sfidave të tregut dhe rreziqeve të mundshme.

Përveç kësaj, bankat po përparojnë në dixhitalizimin e shërbimeve, duke investuar në platformat dhe aplikacionet mobile për të përmirësuar përvojën e klientit dhe për të siguruar akses të lehtë dhe të shpejtë në shërbimet e tyre.

Gjithashtu, ka një rritje të interesit në financimin e projekteve të qëndrueshme dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Bankat po zhvillojnë produkte dhe shërbime të reja për të ndihmuar klientët në financimin e projekteve të tilla dhe në investime të qëndrueshme, duke u përgjigjur ndaj sfidave të kohës dhe ndikimit të tyre në mjedis.

Bankat janë angazhuar në zbatimin e konceptit të “bankingut të hapur”, po punojnë për të zhvilluar dhe për të implementuar sisteme të reja të pagesave të shpejta (Instant Payments), duke lejuar transferime të menjëhershme të fondeve nga një llogari bankare në një tjetër.

Sektori bankar ka investuar në platforma dhe aplikacione të reja për të lehtësuar dhe për të përshpejtuar procesin e hapjes së llogarive bankare, duke e bërë atë plotësisht të dixhitalizuar dhe të qëndrueshëm deri në nënshkrimin e kontratës.

Sektori bankar ka përkrahur zbatimin e ligjit të ri për identifikimin elektronik dhe nënshkrimin dixhital, duke e lehtësuar procesin e verifikimit dhe autorizimit të dokumenteve dhe transaksioneve nëpërmjet mjetesh elektronike.

Përgjithësisht, sektori bankar ka bërë hapa të rëndësishëm drejt dixhitalizimit dhe modernizimit të shërbimeve financiare në vitin 2023, duke përmirësuar përvojën e klientit dhe duke u përshtatur me trendet dhe kërkesat e tregut të ndryshuar.

Pas pandemisë, po vërehet një rritje e ndjeshme e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme në ekonomi. Si po ndikojnë këto zhvillime në sektorin bankar?

Po, sektori i turizmit, me rritjen e përshpejtuar të numrit të turistëve pas pandemisë, ka qenë një nga nxitësit kryesorë të rritjes reale të Produktit të Brendshëm Bruto në vitet post-pandemi.

Nxitur nga performanca e shkëlqyer e turizmit, eksportet e shërbimeve janë rritur shumë, e për herë të parë në tremujorin e tretë, llogaria rrjedhëse rezultoi pozitive.

Duke parë dhe përmirësimin e saj të qëndrueshëm vitet e fundit, mund të themi se kemi të bëjmë me një përmirësim strukturor të ekonomisë dhe sektorit të jashtëm në veçanti.

Ritmi i lartë i ecurisë së turizmit ka shkaktuar rritje të investimeve publike dhe private në infrastrukturën turistike, duke përfshirë ndërtimin e hoteleve, restoranteve, infrastrukturës së transportit dhe atraksioneve turistike.

Turizmi ka rritur kërkesën për prona të paluajtshme, si vila, apartamente dhe toka në destinacione turistike të njohura. Kjo ka ndikuar në tregun e pasurive të paluajtshme, duke rritur vlerën e pronës dhe duke krijuar mundësi për investime të reja dhe financime në sektorin bankar.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme dhe është bërë një faktor kyç në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte.

Për herë të parë, në vitin 2022, sektori i pasurive të paluajtshme kishte fluksin më të madh të Investimeve të Huaja Direkte në vend, me një shumë më tepër se 290 milionë euro.

Ai vazhdoi të ishte sektori më tërheqës nga investitorët e huaj dhe në tre tremujorët e parë të vitit 2023, me një fluks prej 222 milionë eurosh.

Rritja e turizmit dhe sektori i pasurive të paluajtshme kanë krijuar një numër të madh të vendeve të punëve, duke përfshirë jo vetëm sektorin turistik, por edhe sektorë të tjerë të lidhur me infrastrukturën, shërbimet, ndërtimin dhe restaurimin.

Kjo ka ndihmuar në rritjen e të ardhurave dhe kontributit të punësimit, duke ndikuar volumin e depozitave dhe të kreditimit në banka.

Në të vërtetë, në vitin 2023, kredia hipotekore për individë dhe kreditë për pasuritë e paluajtshme për biznese kanë qenë shtytësit kryesorë të rritjes së kredisë.

Rritja e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme ka ndikim të rëndësishëm në sektorin bankar, duke sjellë sfida të reja dhe mundësi të reja për bankat për të shfrytëzuar potencialin e këtyre sektorëve.

Bankat mund të përjetojnë rritje të kreditit të akorduar për bizneset në sektorin e turizmit dhe të pasurive të paluajtshme për të ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe në mbështetjen e aktivitetit të tyre.

Por, nga ana tjetër, kjo kërkon që bankat të kenë kujdes të veçantë në menaxhimin e rreziqeve dhe në sigurimin e kreditit të qëndrueshëm për këto biznese.

Cilat mendoni se do të jenë sfidat kryesore për sektorin bankar në vitin 2024?

Presim që politika monetare të vazhdojë rrugën drejt normalizimit të saj, për t’ju përgjigjur presioneve të brendshme inflacioniste, ndaj kërkesa për financim mund të shënojë ngadalësim në vitin 2024.

Nga ana tjetër, nevoja për të mbajtur në nivele të shëndetshme kredinë e keqe do të kërkojë kujdes të shtuar për të financuar projekte me perspektivë pozitive.

Zhvillimi i teknologjisë dhe inovacioni në sektorin bankar po rritet në Shqipëri.

Bankat po investojnë në teknologji të reja dhe të përparuara për të përmbushur pritshmëritë e klientëve për shërbime dhe produkte më të shpejta, më të sigurta dhe më të përshtatshme.

Adoptimi i teknologjisë së informacionit kërkon vëmendje të shtuar për të forcuar sistemet e informacionit dhe proceset shoqëruese për një siguri më të lartë, por edhe edukim të tregut për të marrë shërbime bankare online.

Kërkesat e ndryshme rregullatore i vendosin bankat përballë presioneve në rritje për kapital dhe investimeve të shtuara për të përmbushur kërkesat dhe standardet e kërkuara nga rregullatorët lokalë dhe ndërkombëtarë.

Konkurrenca e lartë me të cilën përballet sektori bankar në Shqipëri, me rritjen e numrit të institucioneve financiare dhe fintech-eve, kërkon nga bankat një përshtatje dhe diferencim të shërbimeve dhe produkteve të tyre, për të mbajtur dhe për të rritur pozicionin në treg.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular