Nga Besart Logu
Ka gati 3 vjet që Berisha akuzon se Basha bashkëqeveris me Ramën. “Në dhjetor shpallet qeveria e përbashkët”, thoshte nga 9 shtatori në çdo foltore që mbajti. Pasi nuk ndodhi, e ndryshoi skemën, “do shkojë Basha në presidencë kur ti mbarojë mandati Metës”. As kjo nuk ndodhi. Iu kthye prap qeverisë së koalicionit duke e shtyrë në shtator, “në sesionin e ri parlamentar shpallet qeveria Rama-Basha”. Nisi sesioni dhe asnjë ndryshim qeverie nuk pati, se normal, nuk ekzistonte një dakortësi e tillë. Dhe kështu kaloi viti (2021-2022), me gënjeshtra sezonale dhe pa mbajtur përgjegjësi në çfarë akuzonte publikisht. Mbi të gjitha, pa i’a kujtuar askush se çfarë ka thënë.
Edhe pse i dorëhequr nga kreu i PD, madje i tërhequr edhe nga politika aktive, në mendjen paranojake të Berishës, Basha ishte në qeveri. Pasi e pa që balta u bë llucë dhe nuk mbante më, helmoi ndjekësit e tij me gënjeshtrën e rradhës; “mbështetës të Bashës janë punësuar në administratë”. Kjo po, ngjiti, sepse ishte një akuzë që nuk e provoje dot të kundërtën. Ndërkohë e vërteta është se mbështetësit e Bashës ose janë të punësuar në sektorin privat ose të papunë si të gjithë opozitarët e tjerë. Gjithsesi, një akuzë e tillë duhej sepse mbante shtrënguar rradhët e ndjekësve, duke i bërë të ndihen të tradhëtuar nga Basha, pasi vendi po bëhej gati të futej në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Se si shkoi viti 2023, jemi dëshmitarë të gjithë. Në aspektin zgjedhor, nga 61 bashki Berisha mori vetëm 6. E kundërshtoi rezultatin dhe nuk njohu përgjegjësi. Ndërsa në aspektin penal, SPAK rriti veprimtarinë hetimore. Në janar regjistron procedimin penal për çështjen “McGonigal” (dyshuar si i përfshirë Edi Rama). Në prill kalon për gjykim dosjen “Gërdeci”. Në korrik kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Arben Ahmetajn. Në tetor vendos masë “detyrim paraqitje” për Berishën dhe në dhjetor kulmon me masën e arrestit shtëpiak.
Viti 2024 nis edhe më mbarë! Erion Veliaj, figura më e lartë politike në PS pas Edi Ramës, bie në rrjetën e SPAK. Gjithashtu, pritet leterporosia nga SHBA për çështjen McGonigal, Beqja shkon për gjykim, thellohen hetimet ndaj Xhaçkës, Krifcës, drejtorëve të Belindës, arrestohet Jorgo Goro, dhe shumë çështje tjera që provojnë korrupsionin e kësaj qeverie të shtrirë në çdo qelizë të shtetit.
Sa më sipër, kuptojmë të gjithë panoramën 3 vjeçare. Kuptojmë pse Berisha akuzoi e baltosi Partinë Demokratike dhe këdo që nuk e ndoqi pas në hallin e tij. Kuptojmë gjithashtu edhe pse dështoi komisioni i reformës zgjedhore, pse bashkuan votat për amnistinë dhe pse nuk pranojnë propozimet e PD për rritjen e rolit të SPAK apo vetingun në politikë. Të gjitha këto sqarojnë ofertën publike që Rama i bëri dje opozitës (Rithemelimit).
Duhet shkruar me shkronja të mëdha; BERISHA-RAMA KANË SALDUAR PUSHTETIN E TYRE QË ME NDRYSHIMET KUSHTETUESE TË VITIT 2008. ATA JANË BASHKË, KANË BASHKËQEVERISUR DHE SOT JANË MË AFËR SE KURRË SEPSE SPAK GËZON PAVARËSI DHE ËSHTË I VETMI MEKANIZËM QË DO TË PËRMBYSË ELITËN KLEPTOKRATE TË DYSHES BERISHA-RAMA. PRANDAJ NUK E DUAN NDRYSHIMIN, AGONIA QË PO KALOJMË SI SHOQËRI I FAVORIZON. TASHMË PERDJA KA RËNË DHE AKTORËT JANË TË QARTË PËR OPINIONIN PUBLIK.