BallinaPolitikeHumbja e kauzësë së një lideri

Humbja e kauzësë së një lideri

Nga Florenca Meço
Kryetare e PD Berat dhe anetare e Keshillit KOmbetar
Të paktën në parim rënia dhe ardhja në pushtet e një force politike, krahas faktorëve të shumtë, varet edhe nga kauza politike apo kali i betejës politike të cilën lideri zgjedh. Ky fakt është i lidhur ngushtë me të kuptuarin e problematikës së kohës kur zgjidhet ky kal beteje dhe me aspiratën që mban gjallë shtresat me masive të popullsisë. Kjo do të thotë se njerëzit që e ndjekin pas, duhet të kenë të gjallë shpresën. Një situatë e tillë sjell përmbysje, në të kundërtën lideri dhe forca e tij politike mbeten brenda kuadrit të një mbështetje tradicioale partizane.
Dhe ajo që po ndodh aktualisht në vendin tonë është anomali në raport me ndarjen e pushteteve. Institucioni që në këto kohë po ushqen shpresën e opinionit publk shqiptar nuk është një parti politike, por një organ u pushtetit gjyqsor. Kjo është edhe arsyeja më e madhe përse lidërshipi i PD-së ka mbajtur, mban një qëndrim kaq koherent mbështetës për këtë institucion. Kjo është edhe arsyeja që gjithmonë e më shumë njerëzit janë të bindur që pas tyre është SHBA dhe jo partia në pushtet. Faktet e shumta indirekte të deri tanishme kanë filluar madje të bëhen më të drejtpërdrejta për këtë mbështetje ndërkombëtare të SPAK-ut.
Në gjithë këtë kontekst duket qartë që qeverisja e ka humbur prej kohësh kalin e saj të betejës me të cilin erdhi në pushtet. Po ashtu edhe Rithemelimi ndodhet përballë një situate të tillë dëshpruese. Socialistët janë më me “ fat” për faktin se ata janë në pushtet dhe nëpërmjet joshjeve të pushtetit e mjaft marifete për të cilët ata janë të njohur, arrijnë të qëndrojnë në pushtet pavarësisht se korrupsioni ka marrë forma të organizuara në formë grupesh kirminale.
Më fjalë të tjera, po të shihet historiku i ardhjes në pushtet i të dy forcave politike kryesore të vendit, ai ka qenë i njejtë. Fillimisht Berisha pati për kalin e tij të betejës rrëzimin e komunizimit. Kauza dhe koha kur ajo u përqafua ishin në përputhje të plotë me njëra tjetërn dhe ai erdhi lehtësisht dhe gjerësisht në pushtet. Dora e fortë, mungesa e tolerancës, shpesh abuziviteti me të cilën ai trajtoi opozitën e asaj kohë, sollën këtë të fundit në pushtet me kal beteje dhunën e ushtruar nga pushteti mbi opozitën, burgosjen e liderit të saj. ( sigurisht kishte dhe faktorë të tjerë). Edhe ardhja e Nanos në pushtet tregoi se rënia e komunizimit nuk ishte më përparësia e opinionit shqiptar.
Ashtu siç dihet, qeverisja Nano e çtensionoi situatën sociale, por rriti dukshëm shqetësimin e korrupsionit. Ky i fundit do të përbënte sigurisht kalin e betejës së Berishës dytë. Dhe ai fitoi. Arritjet e dukshme të qeverisjes së PD nuk mundën të mbulojnë disa skandale të saj dhe rritjen e percpetimit publik se korrupsioni u shtua pavarësisht se në emër të luftës kundër tij u arrit ardhja në pushtet.
Më pas, e edhe kali i betejës së Ramës, përfshi 21 janarin kundër kurrupsionit të aleatit të tij të kohës, ishte lufta kundër korrupsionit. Në këto vite të gjata të qeverisjes së këtij të fundit, korrupsioni mori përmasa më madhore dhe forma më të afërta me krimin e organizuar e për rjedhim pavarësisht se Rama flet rregullisht për luftë kundr korrupsionit apo mundohet të marrë autorësinë e SPAK-ut, besueshmëria e tij në këtë drejtim mbahet gjallë vetëm nëpërmjet demagogjisë për këtë autorësi.
Pra në tërësi kemi disa dekada që pushtetet alternohen ndërmjet dy partive me të njëjtin kal beteje: luftë kundër korrupsionit. Dhe ky i fundit mbetet ende më i gjallë se kurrë, dhe i vetmi institucion që ka për detyrë ligjore, që ka bërë hapa konkretë kundër tij, është vetëm SPAK.
Sikur të mos mjaftojë gjithë kjo situatë e stërgjatur, ajo që bie në sy aktualisht është që Rithemelimi dhe Berisha kanë zgjedhur përsëri për kal beteje luftën kundër korrupsionit. Përzgjedhja e tij është e saktë, por koha në të cilën po zhvillon betejën nuk përputhet me të. Kjo sepse shpresat e vrasjes së korrupsionit nga këto dy forca politike ka vdekur e për rjedhim edhe kauza nuk zë vend sepse mungon shpresa, mungon besimi. Pasi u rrëzua nga pushteti pikërisht për aktet korruptive, nuk ka asnjë shans që Berisha të rivijë në pushtet për ta luftuar atë apo duke pretenduar se korrupsioni i qeverisa aktuale është më masiv. Edhe sikur ai të mos ishte “ non grata”, edhe sikur të mos ndiqej penalisht, perceptimi publik e ka rrëzuar një herë dhe nuk vjen dot më në pushtet me të njëjtën kauzë
Duket qartë që koha dhe shqiptarët kërkojnë të njëjtin kalë beteje për një betejë e cila nuk është fituar ende, lufta kundër korrupsionit. Për këtë kërkon një lidërship të ri, alternativ siç është ai i Partisë Demokratike të sotme.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular