BallinaKulture"ERRËSIRË, JAM SHKREPËTIMË RRUFEJE"! Cikël poetik nga Halil Teodori

“ERRËSIRË, JAM SHKREPËTIMË RRUFEJE”! Cikël poetik nga Halil Teodori

spot_img
spot_img

Nga HAlil Teodori
ERRËSIRË, JAM SHKREPËTIMË RRUFEJE!

E thellë,
e ftohtë,
e zezë dhe ngjethëse.
Perde prej terri që i hidhet syve prej drite.
Mjegull, që peshon mbi drurë dhe ajër,
heshtje që struk frikën,
lëshohet kah me sy vizatoj,
duke marrë të përpjetën.
Majëmalesh si pishtar i Prometheut
shihen me qiellin;
me retë e yjet,
më fluturimet dhe horizontin
Poshtë;
rrënjët dhe trungjet,
rrugët dhe gjurmët,
ikjet dhe shastisjet,
rënkojnë nën peshën e territ.
Në ditë me borë,
në bardhësinë që nderet si vello,
gjurmët si pend korbi,
një mesazh pikëllues më sjellin,
një krisje në zemër më çelin,
dhe..
kruspull mblidhem me dhimbjen,
me mallin dhe plagën.
Sa herë që i jepem lartësive,
epjes së kreshtës,
kaplimit të thirrjes,
ngasjes së gjakut dhe ashtit,
beh si një shkrepëtinë,
atje ku limfa dhe loti,
qumeshti dhe dëshirimi,
jepen.
Jo i them errësirës,
unë jam prej drite dhe jehonash,
jam prej plagësh dhe stralli,
prej amaneti dhe plisi, jam.
Jam dhe do të jem,
ai zë dhe ajo prekje
që peshon në gurin e pragut,
dheun e varrit.
Jam,
në çdo britmë dhe prehje
në çdo kryengritje dhe theror,
shkrepëtimë rrufeje.

Shpirti i poetit

Ai është gjithçkaje e çdogjësë!
Është shpirti dhe trupi…
Ajri…
Gjithësia derdhen në të si limf.
Ai është në çdo gjë dhe gjithkund
Ai…?!
Një poet merr frymë në flatërim flladi,
Atje ku zogu bën folenë, era gjen prehje,
Reja ia mëkon hënës misterin e natës,
Si nëna gjirin foshnjës…
Aty është shpirti i poetit,
Ku…
Pema e struk në fëshfërima kushtrimin e stuhisë
Ku rëra, valëve etjen shuan,
E shkëmbinjtë flenë në kujtesën e anijeve të mbytura.
Poeti, zëri dhe heshtja e asaj që ndjej
… zjarri i asaj që më djeg e më shndërron.

Kush është poeti

Poeti…
Ai që shpirt i jep gjithçkaje,
Fjalën e ngjyen në zjarr,
Syrin e mpreh në vetëtimë,
Buzës i mëson puthjen,
Kraharorin ka prehër dhe breg dallgësh,
Vetëm ai të prek,
Të ndjen,
Të merr.

I VETMUAR NUK JAM

Vetminë e njoh,
ajo nuk e di se kush jam unë,
nuk di asgjë për heshtjen dhe braktisjet,
nuk e mësoi kurrë rrugën e kthimit tek unë
mbeti vetëm në vetminë e vet,
unë…
jam gjithnjë atje ku gumëzhin,
ku zërat dhe sytë preken,
ku duart dhe buzët puthen.

Nuk jam asnjëherë vetëm,
as nuk e di se çfarë është vetmia.
Iki dhe vij gjithnjë me veten,
me kujtimet e mija,
me pëshpërimat e zërave.


Edhe kur dua vërtetë të rri vetëm,
s’më lë zëri i nënës,
vështrimi i atit,
dhe heshtja ime që kuvendon me ta.
Jo, i vetëm nuk jam,
edhe nëse dua,
s’më lënë…
vajzat dhe gruaja
gjaku dhe miqt
… poezia.

NË ATË MËNGJES

Në atë cak ku dielli vesh me dritë gjithçka,
kur nata…
dhe heshtja reshtin si të lehurat e qenve,
unë dhe ti,
i jepemi një zgjimi të bardhë,
një përqafim strallë,
në gjokse na ndez.
Syve pijmë dhe dehim agimin,
e zërave që flasin me heshtjen,
u pëshpërijmë ninulla netësh të largëta.
Gumëzhin jeta përtej kësaj dhome,
tej kësaj perde bota luan në skenë,
në të dy shihemi,
puthemi dhe presim,
do tregojmë se çfarë nata na tha,
çfarë heshtja na çuçuriti në heshtje,
çfarë dita është gati të na japë,
çfarë sublime kemi ne të japim.

DËSHIRIM!

Në krahet e tu,
shndërrohem në flakë,
unë mbaj peshën e zjarrit,
gjetheve,
luleve dhe pranverës,
unë jam ajri,
fryma,
heshtja
unë jam vetmia që të jepet.

TI IKE!

Ti po ikën,
duke marrë me vete aromën e luleve,
duke mos lënë azgjë veç vetmis time
asaj që t’u dha ty me kaq shumë zjarr.

Po ikën
por unë të thashë,
jo, mos ik.
Ti nuk mund të qëndroje,
ti doje t’i shkoje pas ikjes,
gjithçka tek ty donte të rrinte me mua,
por, ti…
ikjes i kishe bërë një përbetim
dhe unë,
vetminë, braktisjen mora
duke e vënë plagë në shpirti tim.
Dera nga marrin rrugën të gjitha ikjet
ja ku është, Angel,
ja aty ku një torbë malli rri varur,
aty ku një etje lotësh të pret,
ku një dhimbje kris një zemër,
dhe një buzë çahet,
e një puthje djeg prush.
Ike, sepse dëshiroje t’i jepeshe ikjes.

siç ikja t’u dha ty.
dhe trishtimi më murosi mua.
Ti ike…unë këtu do të jem
me vetminë time duke pritur.

SHËTITORE!

Shëtitoreve,
ku mijëra hapa shkelin mbi njëri-tjetrin,
ku qindra sy kryqëzojnë,
ku dhjetra prekje ndezin,
ku, ka përherë një çast që shkrepëtin,
ku dashurive u mësohet fluturimi,
u mëkohet fjala prej ajri,
e përskuqja prej droje.
U takuam atëherë në bulevard
si ndër ëndrra.
Një botë e endur në adhurim,
u bë e jona dhe ne mbetëm të sajë.
Jetuam në atë botë magjike,
magjinë e dashurisë,
dhe u zgjuam në një harrim,
me ëndrrën për të qenë…
dashuria dëshirim

PERENDIM!!!

Në perëndimin e përflakur,
atje ku retë dhe horizonti ngjyhen në gjak,
ku sytë na shtangen,
dhe dehja e epshit na kaplon,
trupat i thërret jëhona e zjarreve,
i jepemi këtij therori,
dhe zgjohemi nën dritën e hënës,
duke u parë…
në sy që na xixëllijnë.
duke u shkrehur,
në trupat që skuqin.

VETËM S’MË LË DOT VETMIA

Ti erdhe si nëpër ëndërr,
dhe ike po ashtu,
vetëm më gjete,
vetëm më le,
vetëm s’më lë dot vetmia
sepse nga vetmia çdo vetmi ka frikë
siç ka nga unë vetmia.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular