Tani është koha për një ndryshim rrënjësor në Britani

0
2313

Nga Av.Naim Hasani
Të dashur bashkatdhetarë që jetoni ne Britani!

Më 4 Korrik 2024 mbahen zgjedhjet parlamentare, ndër më të rëndësishmet në historinë e Britanisë duke parë situatën ekonomike dhe gjeopolitike në të cilën ndodhet vendi sot, plot tetë vite pas referendumit për Brexit dhe pas keqqeverisjes së vendit sidomos në 5 vitet e fundit nga Partia Konservatore me katër Kryeministrat Boris Johnson, Teresa May, Liz Truss dhe kryeministrin aktual Rishi Sunak.

Qeveria 46 ditore e Liz Truss shkatërroi ekonomine Britanike dhe solli pasoja katastrofike për cdo familje, sidomos në rritjen marramendëse të interesit të kredive dhe rritjen e frikshme të kostos së jetesës.

Qeveria aktuale e Kryeministrit Sunak sapo u zgjodh 2 vite më parë, shpalli një fushatë të paparë denigruese ndaj shqiptarëve në Britani, duke i etiketuar ata si pushtues dhe kriminelë.

Deklaratat e ish ministres se brendeshme Suella Braveman dhe ish ministrit të Emigracionit Robert Jenrick që nuk ndaluan për asnjë moment mllefin e tyre anti shqiptar, në shêrbim të një fraksioni ekstremist të djathtë brenda Partisë Konservatore, do të mbeten gjatë në kujtesën e cdo shqiptari brenda dhe jashtë Britanise.

Politikat ekstreme ndaj emigracionit sidomos ajo e dërgimit të azilkërkuesve në shtetin Afrikano lindor te Rwandes, duke kulmuar me injorim total të obligimeve ndërkombetare të shtetit Britanik, simbol i lirisë në mbarë botën, dhe vendimit të Gjykates Supreme na turpërojne të gjithëve.

Në Britani nuk fitohet kapital politik duke qenë ekstrem por duke qenë udhëheqes dhe duke lartësuar emrin e kombit Britanik në skenën boterore si vendi ku mbisundon barazia, drejtësia, respekti ndaj ligjit dhe pamvarësia e pushteteve.

Edhe 4 javë na ndajnë nga momenti historik ku qytetarët Britani pas gjitha gjasave do të votojnë për ti dhënë fund sundimit 14 vjecar, kaosit të brendshëm dhe coroditjes ndërkombëtare të Partisë Konservatore.

Tani është koha për një ndryshim rrënjësor në Britani me një qeveri të re, stabile për cdo qytetar në cdo skaj të vendit, që respekton pa asnjë dallim të drejtat dhe liritë themelore të cdo individi, pavaresisht rracës, prejardhjes, ngjyrës, fesë dhe orientimit apo bindjeve politike.

Është koha për një qeveri të re që respekton ligjin dhe garanton barazinë e cdo individi para tij, një qeveri që rikthen respektin ndaj Britanisë në skenën ndërkombetare, që punon ngushtë me partnerin tonë më të madh tregtar dhe fqinjin tonë Bashkimin Europian, një qeveri që në themel të politikës së emigracionit ka respektimin e gjykatave dhe detyrimeve ndërkombetare, duke luftuar pamëshirshëm bandat kriminale që organizojnë tregtinë e pashpirt me emigrantët ilegalë.

Shqiptarët që sot kanë të drejtë për të votuar në zgjedhjet e 4 Korrikut në pjesën dërrmuese kanë ardhur në Britani në fundin e viteve 90 nuk mund të harrojnë pritjen dhe zemërgjerësinë e treguar nga qeveria e asaj kohe e udhëhequr nga Tony Blair dhe padyshim kontributin e jashtëzakonshëm të qeverisë së tij për të ndëshkuar regjimin gjakatar të Miloshevic dhe për të siguruar pavarësinë dhe stabilitetin e Kosovës.

Për të gjitha këto arsye dhe për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për ne dhe fëmijët tanë si qytetar Shqiptar-Britanik, pavarësisht bindjeve të mia personale politike, këtë herë kam vendosur të mbështes ndryshimin që kaq shumë i duhet Britanisë.

Vota ime reflekton pakënaqësinë masive me qeverinë që i kanë shteruar idetë dhe nevojën për një fillim të ri për të gjithë qytetarët e Britanisë dhe forcimit të pozitave e garantimit të të drejtave të cdo qytetari shqiptar që jeton e punon në Britani në mënyrë të ndershme duke u ndjerë padyshim krenarë qe jemi shqiptar dhe Britanik!

🇦🇱
🇬🇧
🇦🇱