Rreth 28 mijë maturantë do t’u drejtohen qendrave të provimit për të testuar dijet në lëndën e Gjuhës Shqipe.
Nga viti i kaluar do të jenë dy mijë maturantë më pak, teksa pritet që deri në fund (me plotësimin e Formularit A2) numri të firojë me ata që rezultojnë mbetës në provime apo ata që kanë zgjedhur t’ia mbathin në një universitet jashtë.
Bllokues valësh telefonike e kamera vëzhgimi janë vënë edhe sivjet për të monitoruar e penguar depërtimin e informacionit, por jo në masën 100 për qind për të garantuar një proces të rregullt e të barabartë për të gjithë.
MASAT E MINISTRISE
“Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur. Do të angazhohen rreth 2 mijë e 900 mësues e punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug”, ka deklaruar ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu një ditë para provimit të Gjuhës së Huaj (2 qershor) në takimin me monitoruesit e provimeve të MSH 2024 duke dhënë më tej detaje të tjera dhe masa të marra për mbarëvajtjen e këtij procesi që përfshin gjithë maturantët në rang vendi.
“Në provimet e maturës shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Për monitorimin dhe administrimin e procesit do të angazhohen më shumë se 2900 punonjës të sistemit arsimor, përfshirë mësues, administratorë provimesh dhe staf të MAS dhe strukturave të varësisë. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta. Gjithashtu janë 230 administratorë për monitorimin dhe vlerësimin e mbarëvajtjes së testimeve në të 144 pikat e provimeve”.
Provimet e maturës do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, dhe do të zhvillohen në salla të mëdha.
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Politikave Arsimore Parauniversare, Zamira Gjini vetëm rreth 70 për qind e qendrave të provimit janë të pajisura me kamera, që do të monitorojnë procesin e maturës shtetërore.
“Nga MAS janë marrë masa që të zhvillohet në standardet më të larta, në mënyrë që procesi të jetë i njëjtë i barabartë për maturantët. Provimi në salla, por edhe në ambiente palestrash. Dua të garantoj maturantët që testet janë hartuar në bazë të programit orientues që ato kanë të maturës shtetërore me të cilin ato kanë punuar. Janë teste të të njëjtit model që ato kanë punuar dhe zhvilluar më parë në shkollat e tyre. Është i hartuar me të tre nivelet e arritjeve, dhe secili maturantë do të marr atë që meriton sipas përgjigjes që do të jap në testin e maturës shtetërore”.
Pas testit të sotëm vjen ai i Matematikës në datën 18 për ta përmbyllur më 24 qershor me provimin e një lënde që maturantët e kanë zgjedhur kohë më parë.