Auto Moto Park, 5.3 mln euro për Fazën II, hapet gara për infrastrukturën mbështetëse

0
139

Projekti për Auto Moto Park në Elbasan ka kaluar në fazën II, ku tashmë Fondi Shqiptar i Zhvillimit po kërkon ngritjen e infrastrukturës mbështetëse.

Këtë të mërkurë, ky institucion çeli garën me një fond limit 531 milionë lekë, apo rreth 5.3 milionë euro.

Konkretisht, sipas dokumentacionit që shoqëron procedurën ku do të ndërhyhet në katër rrugë, të cilat do t’i shërbejnë jo vetëm projektit të Auto Moto Park, por edhe komunitetit dhe pjesës turistike në këtë rajon.

Pot cilat janë tre segmentet ku do të ndërhyhet?

Segmenti i parë rrugor është pjesë aksit të rrugës “Nezir Muzhaqi”, fillon nga rreth-rrotullimi i vazhdimit të rrugës “Borodin Mitarja” para parkimit dhe përfundon në kryqëzimin e rreth-rrotullimit ku ndodhet kryqëzimi i rrugëve “Ymer Alushi”, “Teofik Bekteshi” dhe aksi lumor “Zija Luniku. Ky  aks rrugor ka gjatësi  1016 metra linear.

Segmenti i dytë është pjesë e aksit rrugor “Zija Luniku” fillon me rreth-rrotullimin e kryqëzimit të rrugëve “Ymer Alushi”, “Teofik Bekteshi”, “Nezir Muzhaqi” dhe përfundon në kryqëzimin me rrugën kodrinore “Gjergj Araniti”. Ky segment rrugor ka gjatësinë 1766 metra linear.

Segmenti i tretë kalon në rrugën “Gjergj Araniti” fillon nnë kryqëzimin (rreth-rrotullim  i propozuar) i rrugëve Zija Luniku” Hyssej Bakalli  përfundon në kryqëzimin me rrugën  Bexhet Hysi. Ky segment është 1396 metra linear i gjatë.

Segmenti i katërt kalon në pjesën urbane të lagjes “Emin Matraxhiu”  njësia administrative  nr.1  zona e ish frigoriferit  në Mengel. Ky segment rrugor fillon ndërprerjen e rrugës “Gjergj Aranit” me poligonin e ndërtimit në Mengel dhe lidhet me rrugën “Bexhet Hysi” në pjesën e portës së kantierit dhe vazhdon në aksin rrugor në kryqëzimin e rrugës Elbasan-Librazhd.

Projekti Auto Moto Park

Në shkurt të vitit të shkuar Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor shpalli kompaninë fituese për projektin e Auto Moto Park. Projekti i austriakëve të “Test & Training International” ishte fituesi. Më pas ky institucion do të hapte një procedurë për kryerjen e një studimi fizibiliteti mbi efektet ekonomike dhe qëndrueshmërinë e projektit.

DPSHTRR do të nënvizonte pak kohë pas shpalljes së fituesit mbi projektin elementët që do të kishte projekti

“Struktura do të ketë në qendër Autodromin e parë të përmasave ndërkombëtare në Shqipëri, një pistë multidisiplinore e asfaltuar, me gjatësi rreth 3,800 metra.

Pista do të pajiset me të gjitha homologimet e nevojshme nga FIA dhe FIM, për të mirëpritur aktivitete garuese të niveleve të ndryshme, qoftë ato gara lokale apo ndërkombëtare, në disiplina të larmishme, duke filluar nga Karting e deri te disiplinat më të avancuara të automobilizmit e motoçiklizmit.

Pistë offroad për të zhvilluar, në mënyrë të kontrolluar, sportet motorike që ushtrohen jashtë rruge, si Motocross, Trial, Crosscar, Autocross, Rallycross, etj.

Mundësia për të shfrytëzuar hapësirat e strukturës për të zhvilluar sporte të tjera, të cilat deri më sot nuk kanë pasur hapësira të përshtatshme për të lulëzuar në nivelet e duhura.

Akademia Kombëtare e Sigurisë Rrugore do të jetë gjithashtu në fokus të këtij projekti. E konceptuar për të ofruar më të mirën në fushën e trajnimit mbi sigurinë rrugore, kjo qendër formimi do të përfshijë një infrastrukturë që mundëson kurse trajnimi të niveleve të ndryshme.

Programi formues do të jetë gjithashtu i diversifikuar, duke filluar nga kurset për drejtuesit e zakonshëm të mjeteve, të cilët kërkojnë më shumë siguri në udhëtim, e deri te drejtuesit profesionistë, siç janë drejtuesit e flotave tregtare, transportit të udhëtarëve, forcat e ruajtjes së sigurisë fizike, ata që përdorin mjetet e ndihmës së shpejtë (Polici, Ambulancë, Zjarrfikës, etj.), forcat e Ushtrisë, etj.

Në kuadër të zhvillimit të komunitetit Retro, do të ndërtohet edhe Akademia e Restaurimit të mjeteve historike”.