BallinaOP EDMashtrimet e Ramës me reformën e pensioneve dhe alternativa e PD në...

Mashtrimet e Ramës me reformën e pensioneve dhe alternativa e PD në 2025

spot_img
spot_img

Nga Bujar Leskaj
I ashtuquajturi “diskutim i hapur” i Ramës për pensionet është farsë dhe vetëm propogandë zgjerdhore. I ashtuquajturi “Lider Rajonal” ka 11 vjet në pushtet që mashtron pensionistët me rritje pensionesh. Duke e shitur indeksimin me inflacionin e mallrave të shportës si rritje reale të pensioneve, kur indeksimi është thjesht dhe vetëm detyrim ligjor.

Pas mashtrimeve 11 vjeçare të Ramës, sot pensionin mesatar të 720 mijë pensionistëve shqiptarë në Shqipëri e ndajnë vetëm 265 lekë nga minimumi jetik ende jozyrtar. Pra, nga pragu i varfërisë.

Me një indiferencë dhe tallje të pashpirt, Rama ka çuar në pragun e varfërisë gjysmën e pensionistëve të vendit. Po të mos ishin fëmijët e këtyre pensionistëve që mbajnë me të ardhura prindërit e tyre, 360 mijë pensionistë tanë do të ndjenin vuajtjet dhe privacionet e varfërisë, në një moshë ku më shumë se gjysma e pensionit u ikën për ilaçe.

Shumë i lartë është hendeku pension-mesatar-pagë mesatare në vend. Sot pensioni mesatar mujor i një pensionisti përllogaritet sa 25% e rrogës mesatare, që në fund të qershorit 2024 ishte 75.114 lekë. Në vitin 2008 kur ndodhi edhe rritja e fundit e pensioneve nga qeveria e drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha, pensioni mesatar në vend ishte sa 41 përqind e pagës mesatare.

Për shkak të një reforme të dështuar të pensioneve, të nisur nga Rama në vitin 2014, pensionistët e rinj po përballen me pensione të pjesshme shumë të ulta, pasi pragu i viteve pune me sigurime shoqërore, për të fituar pension të plotë është rritur në vitin 2024 me deri 38 vite! Shumica e pensioneve të reja të pjesshme sot dalin madje edhe më të ulta se pensioni mesatar.

Pensionet e reja të lidhura në vitin 2023 ishin mesatarisht 15,560 lekë, ose sa 39% e pagës minimale, apo sa 21% e pagës mesatare të vendit.

Logjikisht pensionet e reja duhet të dalin më të larta, për shkak të rritjes së shpejtë të pagave në dekadën e fundit. Në fakt, informaliteti i pagave nën Ramën, ka bërë dhe po bën kërdinë me kontributet e pakësuara për pensionistët, duke e rritur defiçitin e skemës së pensioneve në 600 milionë euro, nga 230 milionë euro që Rama e trashëgoi në shtator 2013.

Për shkak të vlerës së ulët të kontributeve apo të mospagimit fare të tyre, me mijëra qytetarë që do të dalin në pension, rrezikojnë të kenë të ardhme të varfër.

xx

Sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet vitin e ardhshëm, ligji i parë që do të votohet në Kuvend do të jetë minimumi zyrtar jetik për çdo shqiptar prej 220 euro, aq sa e ka përllogaritur Avokati i Popullit me Agjencinë Ndërkombëtare të Punës ILO.

Raporti ynë me pensionet e rajonit është turpërues. Kosova kohët e fundit i rriti pensionet e saj me 30 përqind.

Ne detyrimisht dhe minimalisht rritjen e parë të pensioneve të ulta duhet ta bëjmë 30-50 përqind. I gjithë buxheti ynë duhet të ndërtohet mbi një nivel të caktuar pensioni, minimalisht sa mesatarja e vendeve të rajonit. Gjatë mandatit tonë katërvjeçar do të realizohet premtimi solemn i Kryetarit të Partisë Demokratike për dyfishimin e pensioneve.

Partia Demokratike nuk do të tolerojë më tej që shqiptarët të kenë problemin e ushqimit, duke u zotuar që sapo të vijë në pushtet, do të bëjë zero TVSH-në për të gjitha ushqimet, pikërisht për të ndihmuar ndjeshëm dhe menjëherë pensionistët dhe ata në asistencë ekonomike.

Defiçiti kronik, “gropa e zezë” vjetore e pensioneve prej 600 milionë euro do të mbushet përmes mbylljes së PPP-ve të pakërkuara të Ramës, zerimit të prokurimeve të dyshimta, anullimit të ligjeve të qepura me dorë dhe shfrytëzimit racional e të përgjegjshëm të pasurive natyrore të vendit.

Mirëadministrimi fiskal dhe i financave publike do të çlirojë fonde të mjaftueshme për dyfishimin e pensioneve. PD zotohet se që në fillim të mandatit të saj, pensionistët nuk do të marrin kurrë më pak se 120-130 përqind të minimumit jetik zyrtar.

May be an image of 6 people and text

All reactions:

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular