Orgel Fusha, 37 vjeç, ndodhet në Spanjë që prej gjashtë muajsh, por ka shkëputur kontaktet me familjen prej 20 tetorit.
Familjarët e tij janë alarmuar pas një mesazhi që ai u ka dërguar atyre, duke i thënë që të kujdesen për fëmijët.
“Hallall ma bëj gjirin, fëmijët bab shikoji. Bëhu e fortë”, ishte mesazhi i fundit që ai i dërgoi të ëmës, një mesazh që ka ngritur dyshime të forta mbi fatin e 37-vjeçarit.
Ndërkohë motra e tij, Marsela Fusha ka reaguar duke sqaruar më shumë rreth dinamikës së kësaj ngjarje.
Ajo tregon edhe bisedën e fundit që ka pasur më të vëllain, i cili i ka thënë se është në rrezik.
“I është dërguar mamit tim në datën 20 në darkë, rreth orën 20:00. Në atë orë, kam folur edhe unë me të dhe më ka thënë ‘jam në rrezik’. I thashë ik nga ai vend, e pyeta ku ndodhesh. Nuk më ka kthyer asnjë përgjigje. I kam treguar fotot e fëmijëve, ai qau dhe më mbylli telefonin. Kjo ka qenë biseda e fundit”, ka treguar motra në emisionin “Shqipëria Live”.
Pyetje: E vure re të ishte i shqetësuar? Pse nisi të qante? Pse tha jam në rrezik?
Motra e Orgelit: Nuk e di as vetë, ai nuk tregonte. Ishte shumë i mbyllur
Pyetje: Në çfarë vendi të Spanjës qëndronte vëllai dhe me kë qëndronte
Motra e Orgelit: Me shokët iku, unë as nuk i njoh. Vetëm na thoshte që jam në Spanjë. Edhe kur i thashë ik nga ai vend ku je se je në rrezik, më ka thënë ‘nuk kam lekë, nuk di rrugë ku të shkoj’.
Pyetje: Sa fëmijë ka vëllai juaj
Motra e Orgelit: Dy fëmijë
Pyetje: Nëse mund t’ju pyes, vëllai juaj është ende i martuar
Motra e Orgelit: Është i ndarë
Pyetje: Ju nuk keni asnjë lloj kontakti të miqve të tij në Spanjë, që mund t’i pyesni
Motra e Orgelit: Asnjë! Ne një lajm presim, të na thotë që është gjallë, ose çfarë ka ndodhur me të. Vetëm të na kontaktojnë ku është
Pyetje: Çfarë kujtoni nga biseda e fundit me të, çfarë detajesh mbani mend, ku ndodhej
Motra e Orgelit: Nuk e di, ishte errësirë, ishte shumë i frikësuar