NGA FATOS ÇOÇOLI
Përllogaritje të disa OJF-ve serioze për studimet ekonomike tregojnë se shifra e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të papaguara, nga diferenca abuzive e pagave në borderonë që i dorëzohet shtetit, me listë-pagat reale të biznesit privat, është në nivele 60-70 milionë euro në vit. Në vetëm këtë dekadën e fundit, janë rreth 660 milionë euro të mohuara pensioneve të 580- 720 mijë pensionistëve tanë. Kjo përbën vjedhje të pastër dhe krim ekonomik. Nëse kjo dukuri e shëmtuar, me gjithë paralajmërimet e strukturave tona tatimore, përsëritet, atëherë duhet të ketë edhe pasoja penale, nëse sipërmarrjet që trukojnë nuk i korrigjojnë pagat e deklaruara. Pas 22 dhjetorit 2021, ditës së skandalit të 637 mijë pagave të shqiptarëve të bëra publike, nga rrjedhja më e madhe e informacionit në historinë e administratës sonë publike, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve u formua Njësia Anti-Informalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet.
Kjo njësi analizoi 142 mijë vende pune, të paguara nga mbi 10 mijë kompani private. Pastaj analizoi pagat e mijëra kompanive të tjera. Rezultati i marrë ishte tronditës. Pas dekadash pune në tym dhe mjegull të inspektorëve të Inspektoratit të Punës dhe të strukturave të tjera që kanë detyrë të kontrollojnë deformimet nga pagat reale dhe të zbulojnë punën në të zezë, doli që mbi një e katërta e të punësuarve të kontrolluar fillimisht, ose tre mijë e treqind e pesëdhjetë e tre tatimpagues, reaguan pozitivisht nga kontrolli jo gjobvënës dhe oferta publike e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përmes letrës në janar 2022. Këto kompani e rritën vetë pagën për më shumë se 30 për qind të numrit të punonjësve të tyre.
Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se gati në një të tretën e sipërmarrjeve private, ka punonjës që firmosin në bordero për pagën e tyre, më pak nga sa realisht marrin. Tani tatimet tona nxjerrin një shifër akoma dhe më tronditëse. 63 për qind e punëve në sektorin privat janë, ose në të zezë, ose me paga të trukuara. Me fjalë të tjera, nëse je i punësuar në privat dhe ke rënë dakord me pronarin e kompanisë ose administratorin, që të paguhesh tetëqind mijë lekë të vjetra në muaj, me bankë merr 500 mijë lekë të vjetra, përmes borderosë të dorëzuar në organet tatimore, ndërsa në kesh me zarf, financierja e kompanisë ose vetë pronari, të japin çdo muaj kusurin, 300 mijë lekë të vjetra. Shteti, ose më mirë pensionistët, humbin çdo muaj nga rroga jote 45 mijë lekë që duhet t’i paguante pronari yt, ose 15 për qind të 300 mijë lekëve, ndërsa nga ty 9.5 për qind, ose 28 mijë e pesëqind lekë të vjetra.
Ti vetë, po vazhdoi kjo gjendje vjedhjeje konstante e pensionistëve, kur të bëhesh për pension, do të marrësh një pension të vogël fare, sa mos të të dalë as për shpenzimet për ilaçe. Mungesa e pasqyrimit të rritjes së fortë të pagave në mesataren e pagave në vend, lidhet me këtë informalitet të përhapur keqazi në tregun tonë të punës, ku mijëra sipërmarrje private deklarojnë në bankë pagën minimale ose diçka mbi të, ndërsa pjesën tjetër ua japin në dorë punonjësve të tyre. Duke trukuar pagat, ulet sidomos vlera e kontributeve që paguhen nga punëdhënësi, i cili në pagën mbi 40 mijë lekë të vjetra, ka 15 për qind sigurime shoqërore për punëmarrësin. Ne nuk kemi si të kemi 160 mijë punonjës me pagë minimale! Për pasojë, vetëm si rezultat i kontributeve të ulëta, për shkak të trukimit të pagave, pensionet po dalin çdo vit e më të ulëta. Nëse evazioni do të ndalej, puna në të zezë do të luftohej fort dhe kompanitë do të tregonin në organet tatimore pagat e vërteta, pikërisht ato që kalojnë përmes bankës në llogaritë bankare të punonjësve të tyre, atëherë çdo pensionist mund ta kishte parë pensionin e tij të rritej me 12- 16 mijë lekë të vjetra më shumë çdo muaj.
Ja përse këto para të mohuara, të vjedhura pensionistëve, përbëjnë krim ekonomik. Kjo dukuri duhet ndëshkuar në mënyrën më të ashpër, që trukimi i pagave të mos jetë më masiv tek ne. Asnjë shtet në rajon nuk e ka këtë dukuri të shëmtuar kaq të përhapur. Prandaj dhe vende në rajon, si Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, janë në gjendje të rrisin pensionet më shumë se ne. Pak javë më parë, administrata jonë tatimore u nisi një letër të dytë, pas asaj të janarit 2022, bizneseve që mendon se kanë shumë mundësi që trukojnë pagat. Janë me dhjetëra mijëra biznese të tilla në ndërtim, prodhim, tregti dhe turizëm. Administrata tatimore ju bëri thirrje bizneseve të deklarojnë pagat reale të punonjësve brenda datës 20 tetor 2024.
Të deklarojnë jo vetëm pagat reale, por edhe orët e punës, profesionin dhe numrin real të punonjësve të punësuar në biznesin e tyre. Ju rikujtojnë detyrimet ligjore, si dhe ndëshkimet që parashikohen nga Ligji i Procedurave Tatimore dhe nga Kodi i Punës, kur këto detyrime nuk respektohen. Ndërsa bizneseve të tjera, ju është dërguar një letër-email po nga tatimet, për të korrigjuar deklaratat dhe për të paguar sigurimet e punonjësve. Tani, administrata tatimore po analizon deklarimet e pagave që kanë bërë bizneset deri më 20 tetor 2024. Atyre sipërmarrjeve që klasifikohen me rrezik për evazion, administrata do ju lërë afat deri më 20 nëntor 2024, për të reflektuar. Nëse nuk reflektojnë, strukturat e hetimit tatimor do t’i kontrollojnë. Vjedhja ndaj pensionistëve duhet të pushojë!