U prezantua sot në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit në Tiranë, krijimtaria poetike e autores Drita Ademi Beqiri.
Vëllimet e saj poetike “Andrra e gjethe” dhe “Me kënd fola” u prezantuan nga studiuesit e letërsisë Behar Gjoka dhe Flamur Maloku.
Për studiuesin Behar Gjoka, poezia e saj është një poezi lakonike që del nga shpirti dhe kërkon lexuesin që pranon andrrën. “Poezia e Drita Ademit ndihet e çlirët edhe në gegnisht dhe në standard, gjë që përbën një dukuri që kërkon lexim dhe interpretim të veçantë”, u shpreh Behar Gjoka.
Për studiuesin Flamur Maloku, poezia e Drita Ademit vjen natyrshëm nga vetja dhe kthehet te vetja. Ai e cilëson atë si një zë të veçantë poetik, shfaqur dhe forcuar ndër vite në Perëndim.
Për botuesen Irena Toçi, ajo çfarë e bën të veçantë Dritën, është fryma lirike e poezive të saj. Fakti që është botuar në gjermanisht dhe vazhdon të bashkëpunojë me krijues në këtë gjuhë i kanë dhënë poezisë së saj një dimension më të gjerë.
Gjatë aktivitetit, nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” komentuan vargjet e Drita Ademit. Miq të poetes nga Tirana dhe Prishtina i rezervuan asaj surprizën më të bukur me praninë dhe komentet e tyre. Në mbyllje të aktivitetit poetja dha me dhjetëra autografë për të pranishmit. Në organizimin e këtij aktiviteti ndihmuan Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe Shtëpia Botuese Toena. ATSH