Si është Shqipëria e Partisë Demokratike?

0
33

Nga Ervis Iljazaj
Partia Demokratike ka hyrë prej kohësh në një debat absurd. Retorika e saj publike e vetme është debati mbi drejtësinë. Të gjitha energjitë politike dhe kapitali njerëzor i saj janë investuar për të sulmuar drejtësinë . I vetmi debat që i ofron shqiptarëve është se drejtësia është e kapur, se SPAK është organizatë kriminale etj. Madje, ky debat është transferuar edhe në studiot e mediave. Ka shumë kohë që i vetmi debat që zhvillohet në to është nëse drejtësia është e kapur nga pushteti, apo nëse opozita po përndiqet politikisht nëpërmjet drejtësinë.

Në fakt, shumë pak afër zgjedhjeve, kjo është një çështje që shumicës së shqiptarëve nuk u intereson aspak. E para sepse kjo çështje u duket larg halleve të tyre të përditshme. E dyta, sepse shumica e tyre, sipas sondazheve, nuk e besojnë se SPAK është një organizatë kriminale. Atëherë, përse Partia Demokratike e cila pretendon të marrë pushtetin e përdor të gjithë artilerinë e saj publike në sulmin kundër saj? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse lideri i saj është në konflikt interesi me drejtësinë. Mirëpo, beteja e tij personale po kthehet në betejën e opozitës shqiptare. Madje, shumë pak afër zgjedhjeve, e vetmja ofertë politike serioze dhe e qartë që i ka paraqitur shqiptarëve, është çmontimi i SPAK. Deri më tani, Partia Demokratike ka vetëm këtë propozim për shqiptarët që është rrënjosur në mendjen e tyre.

Vetëm katër muaj përpara zgjedhjeve, shqiptarët e kanë të vështirë të imagjinojnë se cila është Shqipëria e Partisë Demokratike. Nëse ajo vjen në pushtet në zgjedhjet e ardhshme, si do të jetë ekonomia, rendi, shëndetësia, arsimi, apo dhe gjeopolitika. Ndoshta e kanë dhe programin, por ai akoma nuk ka arritur të depërtojë në mendjen e shqiptarëve. Dhe një ofertë politike, përpara se ta refuzosh apo ta pranosh duhet ta imagjinosh. Nëse Shqipërinë e Edi Ramës e kanë të qartë në mendjen e tyre, shqiptarët e kanë të vështirë të imagjinojnë atë të Partisë Demokratike me Kryeministër Sali Berishën.

Të arrish të përcjellësh te qytetarët vizionin tënd për Shqipërinë, është një elementë kyç për mundësinë e fitores. E pikërisht këtë gjë, Partia Demokratike ende nuk po arrin ta bëjë. Sepse të gjitha energjitë e saj janë fokusuar të beteja me ligjin e liderit të saj. Sot Sali Berisha është një person që zhvillon aktivitetin e tij politik normalisht, edhe pse është në një proces. Ka shumë raste që politikanë nën hetim kanë vazhduar betejën e tyre politike dhe proceset nuk i kanë ndaluar aspak. Ata kanë vazhduar projektin e tyre, idetë e tyre për vendin dhe nuk kanë ngecur te beteja e tyre individuale me drejtësinë dhe nuk e kanë futu  dhe partinë në këtë kurth.

Për shembull, në zgjedhjet për President në ShBA, amerikanët e kishin të qartë se çfarë Amerike do të kishin me Trump dhe çfarë Amerike me Harris. Në fund bënë zgjedhjen e tyre për Trump. Nuk kuptohet nëse Partia Demokratike e ka një vizon dhe nuk e përcjell dot te shqiptarët, apo e gjithë beteja e tyre është kundra drejtësisë dhe nuk kanë asnjë qëllim tjetër. Por përderisa nuk do të arrijmë dot ta imagjinojmë  Shqipërinë në pushtetin e Partisë Demokratike, është e vështirë ta gjykojmë nëse është i duhuri apo jo.