Nga Qemal Çejku
“Dështimi i suksesshëm i vitit shkollor 2020-2021” ishte një vendosje në vëmendje apo një ALARM për atë që do të ndodhte realisht pas datës 14 shtator, dhe 1 apel për institucionet përkatëse që duhet të kishin hartuar, elemente të tilla si plane, apo strategji për vitin e ri shkollor 2020-2021.
Çfarë po ndodh sot dy javë nga fillimi i vitit shkollor, si po funksionon mësimi, masat dhe protokolli për zhvillimin normal të mësimit në këtë realitet të ri.
• Mësuesi super i ngarkuar, i cili bazuar në rregullat e deritanishme nuk kontrollon dot asgjë, nga 20 orë në kohë normale; ai sot bën 40 apo dhe 50 orë në javë, që do të thotë…. duhet të ishin marrë masat për mësues të rinj apo paketë financiare për pagesën e këtyre orëve të ndara në turne.
• E pamundur të arrihen qëllimet e orës mësimore, mësuesi shpjegon mësimin e ri, jep detyrat për ditën në vijim, por e ka të pamundur kontrollin e dijes së nxënësve, apo detyrave të lëna nga mësimi paraardhës… që do të thotë… misioni i pa kryer!
• Situata me COVID-19 totalisht jashtë kontrollit, nuk matet më temperatura, dezinfektantet nuk ekzistojnë në asnjë pikë të shkollës apo klasës, nxënës e mësues në ambiente lëvizin pa maska, nxënësit vijnë në shkollë ndërkohë prindërit e tyre janë pozitivë me covid 19 dhe janë të karantinuar, distanca nuk është mbajtur në asnjë rast përveç rasteve kur bëhen foto për propaganda dhe postime. Amullinë e krijuar e vërteton më së miri fakti që vetëm në 1 gjimnaz në Kamëz raportohen te mjeku pediatër cdo ditë rreth 10 nxënës me tempetaturë.
• Masat e marra nëpër shkolla janë jofunksionale dhe sipërfaqësore, nuk fuksionon asnjë nga masat apo protokollet e miratuara për këtë çështje.
Ju drejtohem me thirrje autoriteteve, të ulen në tavolinë të gjithë faktorët, institucionet, ekspertët, duhen marrë masa tani, më mirë tani që është disi vonë, (por më mirë vonë se kurrë) që shkolla të mos kthehet në bombë biologjike dhe një rrezik për të gjithë shoqërinë tonë që paguan taksa e tarifa për një jetë më të mirë apo për funksionimin e zinxhirit jetësor.
E gjitha kjo pa prekur situatën e vështirë të nxënësve të cilët ngarkesën mësimore e kanë të plotë për pjesën e detyrimeve mbi detyrat e shtëpisë apo projekteve, por koha që vihet në dispozicion është shumë e ulët. Ka filluar të hyjë në rrugën e funksionimit edhe platforma ku mendohet të zhvillohet mësimi në rast se situata përkeqësohet.
Nga një vëzhgim i thjeshtë që i bëhet platformës bie në sy që një pjesë e funksionaliteteve janë ende në ndërtim. Bëhet pyetja, që nga fillimi i pandemisë, ose marrim një kohë që nga përfundimi i vitit të kaluar shkollor, pse nuk është përfunduar platforma? Pyetja logjike në vazhdim, nëse është planifikuar që herët një kthim i mësimit online pse është vonuar akademi.al në ndërtim? Duhet vepruar me zgjuarsi, por duket se këtyre problematikave do duhet kohë për t’iu dhënë zgjidhje e kohë duket se nuk ka.
Mos u merrni me propagandë, sepse arsimi nuk është biznes i vogël për t’u tallur me të që sot i heq taksën, nesër hyn në fuqi përsëri, arsimi është një mundësi e humbur për një gjeneratë, që nesër do të ktheheshin në elitë për të na udhëhequr.