Dalin detaje të reja nga arrestimi në Greqi i 41-vjeçarit Olsi Leku që kishte mundur t’i fshihej drejtësisë nën emra të ndryshëm si Jorgo Leku apo dhe Giorgo Lekua. Ai akuzohet për ngjarjen e 15 gushtit 2012, ku brenda në banesën e tyre është vrarë babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri.
Ai ishte shpallur në kërkim nga 12 qershori 2020 ishte shpallur në kërkim nga policia dhe prokuroria e Elbasanit dhe u deshën 5 muaj për ta vënë në pranga. Përfshirjen e Lekut në vrasje e ka përmendur i penduari i drejtësisë Ervis Bardhi.
Ai ka rrëfyer me detaje se si së bashku me Lekun kanë hipur në katin e pestë të një pallati dhe kanë vrarë shokun e tij Gentianin dhe babain e tij. Gentiani ndodhej i paralizuar dhe në “arrest shtëpie”.
“Unë kisha njohje me Olsi Lekun, dhe Gentian Beqirin. Gentianin e kam njohur përmes Etien Canit, të cilin e kam shok dhe ai kishte shumë lidhje me Gentianin. Në shtëpinë e Gentianit hyja vetëm unë dhe Etien Cani dhe asnjë tjetër njeriu nuk i hapej dera, pasi ai ishte në hasmëri me familjen Çapja dhe për më tepër ruhej me policë.
Ditën e ngjarjes, kur kemi bërë krimin Etien Cani, ka qenë me detyrë vëzhgues, ndërsa unë dhe Olsi Leku, do hynim në banesë dhe të vrisnim Gentian Beqirin. Porosia është dhënë nga Çapjat.
Etien Cani, ka parë nënën e Gentianit të zbresë nga pallati dhe të shkojë për pazar. Mandej na ka informuar se janë larguar dhe dy policët nga hyrja e pallatit dhe kanë hyrë në makinë.
Menjëherë unë dhe Olsi Leku, kemi hyrë në hyrjen e pallatit dhe me shpejtësi jemi ngjitur lart në katin e pestë. Në derë kam trokitur unë dhe kam qëndruar para syrit optik të derës, pasi babai Gentianit, Neziri, më njihte dhe ma kishte hapur disa herë portën e shtëpisë, pasi i kisha vizituar edhe disa herë të tjera.
Vizitat në shtëpi i kryeja, për të shoqëruar me muhabet Gentian Beqirin, pasi me të isha shok dhe e vizitojë në banesë kur ishte me arrest shtëpie. Kur unë kam qëndruar para syrit optik, Olsi Leku, ka qëndruar disa shkallë më poshtë në mënyrë që të mos dukej nga brenda derës, pasi do krijonte dyshim dhe nuk do e hapnin derën.
Sapo Neziri, ka hapur derën nga brenda dhe më ka thënë “…Mirmëngjes…”, unë e kam shtyrë me forcë dhe jam drejtuar në dhomën ku qëndronte Gentian Beqiri. Ky i fundit ishte i shtrirë dhe në gjumë.
E kam goditur me pistoletë në kokë, armë të cilën ma ka dhënë Olsi Leku. Ndërsa pas meje ka hyrë në banesë dhe Olsi Leku, i cili duke parë që ka filluar të bërtasë babai i Gentianit, ai e ka rrahur me grushta e shkelma në korridorin e apartamentit, duke e lënë të shtrirë Nezir Beqirin.
Por Neziri, vetëm ulëriste dhe Olsi Leku, ka hyrë në një nga dhomat ka marrë një jastëk dhe ja ka vendosur në fytyrë, duke ja mbajtur të shtrënguar, derisa Nezir Beqiri, nuk ka lëvizur më…”, – ka treguar në rrëfimin e tij Ervis Bardhi.
Ai ka nxjerrë dhe 3 emra të tjerë të anëtarëve të familjes Çapja, por ende nuk është ndërhyrë për arrestimin e tyre nga policia dhe prokuroria e Elbasanit. Tashmë janë arrestuar Etien Cani, Ervis Bardhi dhe Olsi Leku.
Ka dyshime se Olsi Leku është njëri nga personat që ka dërguar nga porti i Pireut, Athinë, sasinë prej 137 kg kokainë në drejtim të portit të Durrësit. Por kjo ngarkesë u zëvendësua nga agjentët e DEA, duke hequr kokainën dhe vendosur një sasi orizi brenda në kontinjer.
Pakot kanë ardhur në portin e Durrësit, dhe janë tërhequr Altin Myslihaka, Adrian Bega dhe Gentian Malindi. Por në zonën e shkëmbit të Kavajës, pakot me “kokainë”, janë hedhur nga makina, pasi Malindi ka konstatuar se ishin futur në kurth pasi në pako kishte oriz. ©LAPSI.al