Eden Babani, Bruksel
Këtë të shtunë, më 10 tetor, Asllan Krasniqi, miku dhe bashkëpunëtori im i pazëvendësueshëm prej më se dy dekadash, mbushi 75 vjeç. Gjej rastin që, përpos urimeve të mia bash ditën e tij të lindjes, ta uroj edhe publikisht me anë të këtij shkrimi.
Fotografi i njohur anekënd hapësirës shqiptare, në trojet etnike, në diasporën shqiptare të Europës Perëndimore e më tej, Asllan Krasniqi ka lindur në Tugjec të Gjilanit, Kosovë.
Veprimtarinë e tij si fotograf autodidakt, e filloi në vitin 1963 duke fotografuar refugjatët e parë kosovarë të cilët, në atë kohë, strehoheshin përkohësisht në Republikë Jugosllave të Maqedonisë, për të ikur me pas në Turqi. Në vitin 1966 u diplomua në kursin për fotografi (gjatë shërbimit ushtarak në Ajdovçin të Sllovenisë). Në vitin 1967 emigroi në Belgjikë, ku vazhdon veprimtarinë e tij edhe sot e kësaj dite.
Krasniqi është ndoshta i vetmi fotoreporter shqiptar nga diaspora, që ndoqi tragjedinë e 800.000 kosovarëve të dëbuar nga trojet e tyre etnike prej forcave militare e paramilitare serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Nëpërmjet objektivit të aparatit të tij, në periudhën prill – maj – qershor të vitit 1999, e deri në kthimin e tyre në vendlindje, Krasniqi ka fiksuar çaste nga jeta në kampet e refugjatëve në Belgjikë (Bruksel dhe Morlawelz,), në Turqi (Stamboll dhe Kirklareli), në Shqipëri (Kukës, Durrës,Tiranë, Kavajë), dhe Maqedoni (Bllacë, Stankovec, Çegran).
Krasniqi ka hapur mbi 50 ekspozita në qytete të ndryshme të Belgjikës, të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Francës me tema të ndryshme: “Trojet e shqiponjave”, “Trojet shqiptare pakufi”, “Pëllumbi i paqes”, “Grafiket e Lirisë”, “EKSODI ‘99” etj.
“EKSODI ’99” mbetet njëra prej fotoekspozitave të tij më të suksesshme.
Asllan Krasniqi ka besim të plotë se i gjithë arkivi i reportazheve të tij prej mbi 1.000.000 fotografish realizuar vullnetarisht, do të mbetet dëshmi e gjallë, që askush të mos e harrojë atë që ka ndodhur me popullin shqiptar. Në arkivin e tij, mund të gjesh edhe Rambujenë, edhe gjyqin e Milosheciçit në Hagë, edhe veprimtaritë e bashkësisë sonë të këtushme, edhe, edhe, edhe…
Por, nuk kishte sesi të mos kalonte gjithë kjo veprimtari atdhetare e artistit fotograf pa tërhequr vëmendjen e qarqeve armiqësore kombëtare shqiptare, si të atyre pa maska, ashtu edhe të tinëzarëve me maska. Sjell në kujtesë dy ndodhi tepër domethënëse, ndonëse kam shkruar më gjatë për to.
Në 17 shkurt të 2014-s, bash ditën e përvjetorit të shtatë të Pavarësisë së Kosovës, Policia e Shtetit në Tiranë, u përpoq të ndalonte një ekspozitë lëvizëse në qendër të Kryeqytetit, ndonëse Asllani pati marrë lejen e Policisë Bashkiake. Absurd i politikës shqiptare. Asohere, opozita qeveriste Bashkinë e Tiranës, kurse shumica në pushtet i nxirrte asaj pengesa të herëpashershme, ani se dëmtonte reputacionin e vendit ballë shqiptarëve e të huajve. Përballjen mes dy forcave policore, e shmangu ndërhyrja e fuqishme e publikut. Ekspozita u hap, siç ishte parashikuar.
Në mars të 2014-s, Krasniqit i vodhën në Shkup, arkivin prej qindra-mijëra fotografish, teksa po pinte një kafe. Bashkë me arkivin, edhe aparatet fotografike e shënimet vetjake. Ato nuk i janë kthyen ende deri sot, me gjithë kërkesat e lutjet e tij të vazhdueshme, duke u premtuar vjedhësve t’u falte aparatet fotografike e të filmimit, veç t’i kthenin fotografitë dhe shënimet.
Asllan Krasniqi është anëtar i Organizatës Botërore te Shtypit Periodik, i Shoqatës se Gazetarëve në Shqipëri, i Shoqatës së Fotografëve “Gjon Mili”, i Akademisë Evropiane të Arteve, i Lidhjes së të drejtave të njeriut, i Reporterëve Pakufi.
Tashmë, që nga e shtuna e kaluar, Asllan Krasniqi është edhe anëtar i Akademisë Shqiptare-Amerikane të Shkencave dhe Arteve me seli në SHBA (AShAShA). Bash kjo e re, e cila përkoi me ditëlindjen e tij, më nxiti të shkruaj edhe njëherë për mikun tim.
* * *
Do të kisha qenë i lumtur të merrja pjesë në ceremoninë e pranimit të mikut tim si anëtar AShAShA, një eveniment tepër i rëndësishëm në jetën e tij artistike. Asllani më ftoi, por koha e pandemisë më frenoi të ndërmerrja riskun e një udhëtimi aq të gjata. Gjithsesi, në lidhje të vazhdueshme telefonike vizuale e ndoqa gjithë evenimentin hap pas hapi.
Ceremonia u mbajt të shtunën e shkuar në mjediset e Bibliotekës Kombëtar “Pjetër Bogdani” të Prishtinës, ditën e përurimit të veprës Leksikon Enciklopedik, botim AShAShA, e para vepër e këtij lloji në jetën akademike mbarëkombëtare shqiptare.
Në fjalën e tij të mirënjohjes, Krasniqi falënderoi gjithë pjesëmarrësit, në veçanti personalitetet e spikatura të AShAShA, zotërinjtë:
Akademik Prof. Dr. Skënder Kodra, Kryetar i Akademisë; Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, Kryetar për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; Akademik Prof. Dr. Nijazi Halili Recensent; Akademik Prof. Regjisor Dibran Fylli, Kryeredaktor
Po sjell me këtë rast për lexuesin tonë do fotografi që i bëjnë jehonë jetës së Asllan Krasniqit.